Mehmeti: Të gjithë sektorët e sistemit financiar shënuan rritje

Ekonomia January 05, 2019 - 08:07
Lexo tjera detaje
Image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” thotë se gjatë vitit që lamë pas kemi pasur një rritje të të gjithë sektorëve të sistemit financiar në Kosovë. Sipas tij, gjatë vitit që lamë pas norma mesatare e interesit në kredi ka rënë në 6,3 për qind, derisa niveli i kredive joperformuese ka rënë në 2,8 për qind. Sektori bankar i Kosovës në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e tij në financimin e rritjes ekonomike në vend, shkruan Gazeta "Zëri".

Zëri: Z. Mehmeti, si ka performuar sektori financiar gjatë vitit 2018 në raport me vitin paraprak?

Mehmeti: Në përgjithësi sektori financiar në Kosovë është duke operuar me rritje të vazhdueshme dhe me gjendje të kënaqshme të qëndrueshmërisë. Sektori bankar, si komponent kryesor i sistemit financiar, vazhdon të performojë mirë si në kredi, ashtu edhe në depozita. Në muajin nëntor 2018 kreditë e sektorit bankar arritën shumën prej 2.73 miliardë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 11,1%.

Burim kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.24 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7,7%. Kushtet e kreditimit vazhduan të përmirësohen edhe më tutje. Norma mesatare e interesit në kredi zbriti në 6,3% nga 6,7% sa ishte në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes së sektorit privat në financim bankar. Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2,7% në nëntor 2018, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte 3,4%. Performanca e sektorit bankar vazhdoi të jetë pozitive.

Fitimi neto i realizuar deri në nëntor të vitit 2018 arriti vlerën prej 75 milionë eurosh. Treguesit kryesorë të përfitueshmërisë, siç janë kthimi mesatar në mjete dhe kthimi mesatar në ekuitet në muajin nëntor 2018 ishin 2,3%, respektivisht 19,1%. Zhvillime pozitive u evidentuan edhe në sektorët tjerë përbërës të sistemit financiar, siç janë sektori pensional, sektori i sigurimeve dhe sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare. Vlera e pasurive të sektorit pensional në shtator 2018 arriti në 1.76 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11,2%.

Kthimi nga investimet e fondeve pensionale vazhdoi të jetë pozitiv, gjë që tregon për rritje të vlerës së kursimeve pensionale të kontribuuesve pensionalë. Sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve në shtator 2018 ishte 69.1 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 4,8%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 31.5 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8,2%. Rritja e dëmeve të paguara, përveç rritjes së numrit të policave të sigurimit, reflekton edhe sjelljen më të përgjegjshme të kompanive të sigurimit ndaj të siguruarve. Sektori i sigurimeve ka vazhduar që për të dytin vit me radhë të ketë performancë financiare pozitive, i cili deri në muajin shtator 2018 kishte rezultat financiar pozitiv prej 2.1 milionë eurosh. Përmirësimi i performancës financiare të këtij sektori vjen pas një periudhe të gjatë të brishtësive financiare që e kanë karakterizuar këtë sektor dhe reflekton masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së. Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare paraqet njërin ndër sektorët me rritjen më të shpejtë të aktivitetit gjatë vitit 2018.

Gjithsej vlera e kredive të këtij sektori në nëntor 2018 arriti vlerën prej 181.6 milionë eurosh, duke shënuar një rritje vjetore prej 29,1%. Rritja e shpejtë e kreditimit të këtij sektori paraqet rritje të presioneve konkurruese në tregun kreditor dhe mund të kontribuojë në përmirësimin e mëtejmë të kushteve të qasjes në financa. Sidoqoftë, një rënie e normës së interesit nga niveli aktual mesatar prej 21,7% do ta bënte këtë sektor edhe më konkurrues dhe me rol më të madh në mbështetjen e ekonomisë së vendit. Ngjashëm me sektorin bankar, edhe ky sektor karakterizohet me cilësi të mirë të portofolit kreditor. Norma e kredive joperformuese në këtë sektor në nëntor 2018 ishte 2,8%, e cila paraqet nivel të ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zëri: Po ashtu viti që po e lëmë pas është karakterizuar me norma më të ulëta të interesit në kredi, si dhe me zvogëlim të përqindjes së kredive joperformuese. A pritet rënie e kamatave në kredi edhe në vitin 2019?

Mehmeti: Rritja ekonomike, ndryshimet e kohëve të fundit legjislative, që ndërlidhen me lehtësimin e ekzekutimit të kolateralit dhe zbatimit të kontratave, edukimi financiar si i individëve, ashtu edhe i bizneseve në Kosovë dhe çka është më e rëndësishmja, përgjegjshmëria e qytetarëve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të tyre ka ndikuar pozitivisht që sot sektori bankar të ketë nivel të ulët të kredive joperformuese prej 2,7%. Duke marrë parasysh faktorët e lartcekur që kanë ndikuar në nivelin e ulët të kredive joperformuese, si dhe duke pasur parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit, konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar dhe rritjen e efikasitetit të këtij sektori, vlerësojmë se sektori bankar do të reflektojë edhe më tej në uljen e normave të interesit për kredi. Rënia e mëtejme e normave të interesit në sektorin bankar do të ishte kishte ndikim në zhvillim të biznesit në vend dhe në zvogëlim të kostove të tyre, të cilat do të mundë të kanalizoheshin në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, qoftë prodhuese ose të tjera e me këtë edhe në rritjen e punësimit.

Zëri: Aktualisht si qëndron Kosova me norma të interesit, duke e krahasuar me vendet e rajonit, a ka hapësirë të mëtutjeshme për t’i ulur ato?

Mehmeti: Vitet e fundit normat e interesit në kredi kanë shënuar një rënie të theksuar, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të qasjes në financimin bankar. Në muajin nëntor 2018 norma mesatare e interesit në kredi ishte 6,4%, duke e krahasuar me normën prej rreth 11%, që ishte vetëm 5 vjet më parë. Zvogëlimi i normave të interesit pa dyshim se ka nxitur kërkesën për kredi, duke shërbyer si faktor i rëndësishëm në nxitjen e rritjes së kredive bankare, të cilat janë ndër burimet kryesore të financimit të konsumit dhe investimeve në ekonominë e Kosovës. Normat e interesit në kredi dhe depozita në Kosovë janë pothuajse në të njëjtin nivel me normat e interesit në kredi dhe depozita të vendeve të rajonit dhe sikurse kemi theksuar më herët, duke marrë për bazë nivelin e ultë të kredive joperformuese, rritjen e efikasitetit, konkurrencën në rritje të sektorit bankar, lehtësimet e zbatimit të kontratave, si dhe përmirësimet tjera në ambientin e biznesit, konsideroj se paraqesin përmirësim të rëndësishëm të kushteve të nevojshme për të pasur rënie të mëtutjeshme të normave të interesit në kredi. Rënia e normave të interesit do të ishte e favorshme për rritjen e mëtejme të mbështetjes së sektorit bankar ndaj bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Zëri: Sa po kontribuon sistemi bankar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës?

Mehmeti: Roli i ndërmjetësimit financiar është i pakontestueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Sektori bankar i Kosovës në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e tij në financimin e rritjes ekonomike në vend, duke përshpejtuar ritmin e rritjes së kredive, si dhe duke zvogëluar në masë të konsiderueshme normat e interesit në kredi. Standardet më të lehtësuara kreditore dhe zvogëlimi i normave të interesit në kredi kanë shërbyer si stimuj të rëndësishëm për rritjen e kërkesës për kredi, duke rezultuar në një rritje vjetore të kredive prej 11,6 për qind në muajin tetor të këtij viti. Kjo tregon se qasja në financa, e cila për një kohë të gjatë është raportuar nga bizneset si njëra ndër barrierat kryesore për zhvillimin e afarizmit të tyre, tani po shënon përmirësim të vazhdueshëm. Kjo mund të vërehet edhe nga rritja e kreditimit për sektorët e ekonomisë, të cilët në periudhat paraprake kanë pasur qasje më të kufizuar në financimin bankar, siç janë sektori i bujqësisë dhe sektori i prodhimit, të cilët në vitin e fundit ka qenë ndër sektorët me rritjen më të lartë të kredive të pranuara.

Zëri: Përpos rritjes së kreditimit për ekonomitë familjare, rritje e kreditimit bankar është shënuar edhe për bizneset. Në cilët sektorë të ekonomisë janë të përqendruara kryesisht kreditë bankare?

Mehmeti: Struktura e kreditimit sipas sektorëve ekonomikë ka filluar të përmirësohet, duke e krahasuar me periudhat e kaluara, megjithatë ekziston hapësirë për një diversifikim më të madh të portofolit kreditor në favor të sektorëve që kanë potencial më të madh për të gjeneruar rritje ekonomike. Aktualisht rreth 50 për qind e gjithsej kredive të lëshuara për ndërmarrjet përfaqësohen nga kreditë për sektorin e tregtisë, e përcjellë nga sektori i prodhimit me 12,1 për qind dhe sektori i ndërtimtarisë me 9,2 për qind. Gjatë këtij viti sektori i bujqësisë dhe sektori i prodhimit kanë qenë ndër sektorët me rritjen më të lartë të kredive të pranuara. Megjithatë, shuma e përgjithshme e kredive të lëshuara për këta sektorë vazhdon të jetë ende e ulët. Pjesëmarrja e sektorit të prodhimtarisë në gjithsej kreditë për ndërmarrjet në muajin nëntor ishte 12,1 për qind, ndërsa kreditë për sektorin e bujqësisë përfaqësuan rreth 4 për qind të gjithsej kredive.

Zëri: Gjatë vitit 2018 a ka pasur interesim për licencim të bankave, por edhe të kompanive të sigurimit?

Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj është në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke e ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar. Në këtë aspekt BQK-ja i ofron sistemit financiar standardet më bashkëkohore të rregullativës dhe mbikëqyrjes financiare në harmoni me Direktivat e Bashkimit Evropian, duke bërë që bankat dhe institucionet tjera financiare në Kosovë të operojnë në bazë të rregullave që janë në fuqi në të gjitha vendet e zhvilluara. Duke u bazuar në këtë, gjatë vitit ka pasur palë të interesuara për të qenë pjesë e sistemit financiar të vendit, megjithatë aktualisht nuk kemi ndonjë aplikacion në shqyrtim. BQK-ja mbetet e hapur për të trajtuar çdo aplikacion të ri dhe në vazhdimësi promovon sistemin financiar të Kosovës, që u ofron institucioneve financiare mundësi të mira për të zhvilluar afarizëm të shëndoshë financiar.

Zëri: Vite më parë, para se ju të zgjidheshit në krye të BQK-së, kompanitë e sigurimeve operonin me humbje. Si po operojnë viteve të fundit këto kompani?

Mehmeti: Sektori i sigurimeve vitet e kaluara ka operuar me rezultat financiar negativ, ku vetëm gjatë vitit 2016 humbja e këtij sektori ishte në vlerë prej 25.6 milionë eurosh. Kjo humbje në radhë të parë ishte si rezultat i kërkesës së BQK-së për rivlerësimin e provizioneve teknike të disa siguruesve. Rritja e theksuar e provizioneve teknike në njërën anë, si dhe mosmenaxhimi i duhur i nivelit të shpenzimeve në anën tjetër kishte ndikuar në masë të madhe në rritjen e humbjes financiare në tregun e sigurimeve gjatë vitit 2016, por edhe gjatë viteve të kaluara. Për shkak të shpenzimeve të larta të evidentuara BQK-ja në fund të vitit 2016 ka nxjerrë rregulloren për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve, me qëllim të kufizimit të shpenzimeve dhe zvogëlimit të tyre.

Masat e ndërmarra nga ana e BQK-së kanë rezultuar të jenë efektive në zvogëlimin dhe kufizimin e shpenzimeve, duke marrë parasysh rënien e konsiderueshme të shpenzimeve të gjithë sektorit të sigurimeve gjatë kësaj periudhe. Po ashtu gjatë dy vjetëve të fundit në sektorin e sigurimeve kemi edhe rritje të pagesës së dëmeve. Si rezultat i masave të ndërmarra legjislative dhe masave tjera sektori i sigurimeve në fund të vitit 2017 ka operuar me rezultat financiar pozitiv në vlerë prej 6.4 milionë eurosh, ndërsa deri në fund të muajit shtator të këtij viti rezultati financiar pozitiv i sektorit të sigurimeve është në vlerë prej 2.1 milionë eurosh.

Zëri: A ka zvogëlim të borxheve të papaguara nga kompanitë e sigurimeve apo a ka rritje të tyre?

Mehmeti: Duke u bazuar në të dhënat e pranuara të datës 30 shtator 2018, vlera e provizioneve teknike të siguruesve jojetë është në shumën prej 112 milionë eurosh, e krahasuar me 113.8 milionë euro sa ishin në shtator 2017. Gjithashtu pagesa e dëmeve bruto nga sektori i sigurimeve jojetë më 30 shtator 2018 arrin në shumën prej 31 milionë eurosh, e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishte në shumën prej 28.7 milionë eurosh. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur shihet se sektori i sigurimeve jojetë në tremujorin e tretë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, duke e krahasuar me periudhën paraprake, si dhe kemi rënie të lehtë të provizioneve teknike të sektorit të sigurimeve.

Zëri: Gjatë vitit që lamë pas edhe institucionet mikrofinanciare kanë operuar me fitim të konsiderueshëm, derisa gjatë viteve të kaluara ato gjithmonë kanë mbyllur vitin me humbje. Pse?

Mehmeti: Rritja e efikasitetit të këtij sektori në njërën anë, rritja e kreditimit dhe rënia e kredive joperformuese në këtë sektor në 2,8 për qind kanë ndikuar që ky sektor të jetë profitabil.

Zëri: Normat e interesit në kredi të IM-së vazhdojnë të jenë të larta, a pritet ulje e normave të interesit gjatë vitit 2019?

Mehmeti: Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare është komponent mjaft i rëndësishme i sistemit financiar të vendit. Ky sektor edhe gjatë vitit 2018 ka përshpejtuar ritmin e kreditimit, duke u shndërruar në një sektor që çdo ditë e më tepër po i kontribuon rritjes së konkurrencës në tregun e kredisë dhe po shërben si sektor plotësues i sektorit bankar në kreditimin e ekonomisë. Gjithsej asetet e këtij sektori në muajin shtator 2018 ishin në shumën prej 247.7 milionë eurosh. Gjithashtu vlera e kredive të këtij sektori prej 181.6 milionë eurosh ka shënuar rritje vjetore prej 29,1%. Kjo nënkupton që ky sektor po luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, te sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare normat e interesit vazhdojnë të mbesin të larta dhe për të cilat vlerësojmë se duhet të ketë rënie.

Zëri: Sa duhet të jetë rritja ekonomike në vend për të hapur vende të reja të punës?

Mehmeti: Vlerësimet preliminare të BQK-së sugjerojnë se ekonomia e vendit gjatë vitit 2018 shënoi një normë reale të rritjes prej rreth 4%, e mbështetur kryesisht nga rritja e kërkesës së brendshme, përderisa thellimi i deficitit tregtar kishte ndikim negativ në normën e rritjes. Ritëm të ngjashëm të rritjes ekonomike, sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës pritet të ketë edhe gjatë vitit të ardhshëm, kur norma reale e rritjes pritet të jetë rreth 4,2%. Sidoqoftë, kjo normë e rritjes vazhdon të jetë e pamjaftueshme për të adresuar sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet ekonomia e vendit e që janë norma e lartë e papunësisë dhe deficiti i lartë tregtar. Shtimi i kapaciteteve të prodhimit vendor është i domosdoshëm për të gjeneruar më tepër vende të reja pune, si dhe për të mundësuar zëvendësimin e importit të mallrave dhe shërbimeve me eksport.

Zëri: Si mund të nxitet sektori privat për t’i rritur eksportet në vendet e rajonit, por edhe më gjerë?

Mehmeti: Investimet në sektorin privat do t’i mundësojnë këtij sektori që të bëhet për çdo ditë e më shumë konkurrues me sektorin privat të vendeve tjera. Kjo do t’u mundësojë kompanive vendore që të rrisin vëllimin dhe efikasitetin e tyre dhe produktet ose shërbimet e tyre të bëhen me atraktive qoftë nga çmimi ose cilësia dhe në këtë mënyrë do ta kenë më të lehtë prezencën në vendet tjera. Në të njëjtën kohë, pavarësisht angazhimeve të deritanishme, institucionet duhet të punojnë në vazhdimësi për të përmirësuar edhe më tutje ambientin e të bërit biznes në Kosovë. Ky angazhim duhet të shoqërohet edhe me një përforcim dhe rritje të kontakteve ndërmjet institucioneve dhe afaristëve vendorë me qëllim të krijimit të kushteve të favorshme për rritje të prodhimtarisë dhe zhvillimit të mëtejmë të tyre, identifikimit dhe adresimit të problemeve me të cilat ky sektor ballafaqohet. Rol të rëndësishëm në këtë proces pa dyshim se luan edhe qasja në financa dhe në këtë aspekt konsideroj se po bëhen avancime të rëndësishme, duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të kreditimit për bizneset nga institucionet financiare dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve për qasje në financim kreditor.

Zëri: A rrezikohet stabiliteti financiar i vendit nga borxhi publik aktualisht?

Mehmeti: Borxhi publik në tremujorin e tretë të vitit 2018 ka arritur në 1.08 miliard euro, që është për 11,9 për qind më i lartë, i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2017. Rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm, përderisa borxhi i jashtëm publik u karakterizua me rënie. Si përqindje e BPV-së borxhi publik ka arritur në 16,9 për qind, nga 15,7 për qind sa ishte në tremujorin e tretë të vitit 2017. Niveli i ulët i borxhit publik prej 16,9 për qind i BPV-së nuk paraqet ndonjë rrezik për stabilitetin financiar në vend.

Zëri: Si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit?

Mehmeti: Sikurse e përmenda më sipër, si përqindje e BPV-së borxhi publik ka arritur në 16,9 për qind, nga 15,7 për qind sa ishte në tremujorin e tretë të vitit 2017. Pavarësisht rritjes, ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 për qind të paraparë me ligj. Për më tepër, ky nivel i borxhit publik e mban Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik, duke e krahasuar me vendet e rajonit, të cilat sipas raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë një mesatare të borxhit publik prej 59,1 për qind. Pra, borxhi publik i Republikës së Kosovës është shumë më i ulët, i krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit.

Zëri: Cili është parashikimi i Bankës Qendrore rreth rritjes ekonomike gjatë vitit 2019?

Mehmeti: Sikurse e përmendëm më sipër, sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës pritet të ketë ritëm të ngjashëm të rritjes ekonomike edhe gjatë vitit të ardhshëm, ku norma reale e rritjes pritet të jetë rreth 4,2%.