Pasuria e deputetit të Kuvendit të Kosovës, 'lum' që nuk i dihet fundi!

Ekonomia December 29, 2018 - 08:34
Lexo tjera detaje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhemrinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj ka një numër të madh të bizneseve që zoton në emrin e tij dhe të familjarëve, gjë të cilën e ka vetëdeklaruar deputeti.

Ky numër i madh i bizneseve që ai zoton operojnë brenda dhe jashtë vendit, shkruan Gazeta "Zëri".

Dreshaj në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) ka vetëdeklaruar se 100% në pronësi të bashkëshortes së tij është kompania “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”, objekti “TD Hamburg KG” e ku vlera e aksioneve është 12.5 milionë euro. Po ashtu kompania tjetër, e cila po ashtu është në pronësi të gruas së tij, “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”. Objekti “Diner Hamburg KG” ka një vlerë prej 3.5 milionë eurosh. Po ashtu Dreshaj ka vetëdeklaruar se edhe kompania tjetër “Hanseatic Dreshaj Verwaltung GmbH”, me vlerë të aksioneve prej 25 mijë eurosh, është 100% në pronësi të bashkëshortes së tij. Po kaq ka vlerë edhe kompania tjetër “TD Lizenzvermarktungs-und Verwaltung GmbH”, shkruan Gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Biznesmenët e Kuvendit

Deputeti Dreshaj po ashtu në formularët e AKK-së ka deklaruar se edhe në kompaninë tjetër “HGV Hanseatic Grundbesitzverwaltungs GmbH” gruaja e tij është bashkëpronare me 50% të aksioneve, në vlerë prej 5 milionë eurosh. Deputeti i AAK-së po ashtu ka deklaruar se i zoton 80 % të aksioneve në kompaninë “Getrinke – Vrella”, në vlerë prej 17 milionë eurosh, si dhe 100% të aksioneve në kompaninë “Kosova Invest AG”, në vlerë prej 150 mijë eurosh.

Po ashtu, duke u bazuar në të dhënat e prezantuara në formularët e AAK-së, Dreshaj ka vetëdeklaruar se gruaja e tij i zotëron 50% të aksioneve në kompaninë “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”, objekti “Saffari Hamburg KG”, në vlerë prej 5 milionë eurosh. Kompania e fundit në listën e Dreshajt është “Inginieurholzbau und Tischlerei”, ku 80% të aksioneve, në vlerë prej 12 milionë eurosh, janë në emër të fëmijëve të tij./ZËRI