Kërkohet hetimi i Qeverisë për humbjen e 53 milionë eurove

Ekonomia December 25, 2018 - 08:24
Lexo Detajet
Image

Konsorciumit turko-amerikan “Bechtel & Enka” po i afrohen ditët e afatit të përcaktuar kohor për ta përfunduar ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Tani që ka mbetur vetëm edhe një javë deri në përfundimin e kontratës Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria ta penalizojë “Bechtel & Enka”-n me një detyrim financiar prej 40 mijë eurove në ditë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Neglizhenca e gjitha qeverisjeve që nga viti 2014 deri më tani aktualisht ka dërguar në humbjen e 53 milionë eurove nga buxheti shtetëror. Kompania “Bechtel & Enka” pas katër vjetësh e kërkoi ndëshkimin ndaj Qeverisë si formë penaltie për vonesa në kryerje të pagesave. Nga “faji” nuk shpëtuan as tre ministrat e Infrastrukturës që kanë udhëhequr e vazhdojnë të udhëheqin këtë dikaster, të cilëve edhe po u rëndohet barra më e madhe.

Duke iu referuar analizës së publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, më 1 korrik të vitit 2014 ministri në largim Fehmi Mujota nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” në vlerë prej rreth 600 milionë eurove. Por kësaj kontrate milionëshe i kanë munguar dy dokumente tejet të rëndësishme: Kërkesat e punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës), si dhe plani i pagesave sipas kontratës në fjalë, ku do të përfshiheshin matjet e pagesave bashkë me këstet. Kronologjia e veprimeve të tri qeverive të implikuara në lidhjen dhe zbatimin e kësaj kontrate nga viti 2014 deri në vitin 2018 thuhet se tregon për veprime joligjore dhe neglizhencë kronike të kushteve.

LEXO EDHE: Peticioni për bashkimin e Mitrovicës shpërndahet në gjithë Kosovën

Menaxherja e projekteve në KDI Diana Metushi-Krasniqi, njëkohësisht përpiluese e kësaj analize, përmendi edhe gjetjet e evidentuara gjatë kohës së ministrit Mujota e Lutfi Zharkut. “Ministri Zharku nuk kishte ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e kufizimeve buxhetore dhe ndryshimet e nevojshme kontraktuale. Për më tutje, sipas kontratës në fjalë, borxhi i referuar nga ‘Bechtel & Enka’ është i bazuar në një parashikim jo të detyrueshëm të pagesave, të dorëzuar nga kontraktori”, ka sqaruar ajo. Duke përmbledhur ecurinë e nënshkrimit të kësaj kontrate, Metushi-Krasniqi tregoi se në shtator të vitit 2016 MI-ja kishte përgatitur një draft aneks-kontratë që nuk e kishte implementuar kurrë e në të cilën parashihej inkorporomi i dokumenteve të munguara, si dhe kostoja e shtyrjes së afatit për 347 ditë në vlerën prej 14.78 milionësh bashkë me TVSH-në, ndërsa rreth 1 milion në muaj pa TVSH.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në mes të tjerash po kërkon nga Qeveria sqarim për rritjen e çmimit dhe zgjatjen e kontratës nga 1 në 4 milionë euro në ditë. Si rezultat i dëmeve nga vonesat, sipas Metushi-Krasniqit, Qeveria do t’ia paguajë kontraktorit koston e vonesës dhe një fitim prej 5-përqindësh të vlerës së përmendur. Duke përmbledhur të gjeturat në detaje, menaxherja e projekteve në KDI, Diana Metushi-Krasniqi, përmendi faktin se MI-ja nuk i ka ofruar qasje të plotë në humbjen e 53-milionëshit, por kryesisht të pjesshme. “Kontrata përmban edhe një klauzolë, e cila parasheh dëmin e vonesave në vlerë prej 40.000 eurosh, nëse zbërthehet në 53 milionë do të thoshte se kjo kontratë ka pasur vonesa përafërsisht 3.6 vjet ose 1.325 ditë”, ka sqaruar në mes tjerash ajo. Për këto shkelje të përmendura në vazhdimësi i është kërkuar Prokurorisë që të fillojë hetimet për neglizhencën e Qeverisë së Kosovës, të cilën në KDI e kanë cilësuar si të qëllimshëm me vetë faktin se si një propozim i detyrueshëm arrin të bëhet bazë e një penaltie prej 53 milionë eurosh. Përveç Prokurorisë, hetime të ngjashme janë kërkuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sa i përket anës komerciale të penaltisë prej 53 milionëve.

Qeveria duhet të fillojë ta penalizojë për 40 mijë euro në ditë

Ndonëse përfaqësuesve të KDI-së u është ofruar qasje e pjesshme në dokumentet zyrtare të MI-së, në bazë të analizës thuhet se “Bechtel”-it është dashur t’i paguhen 48 milionë euro, jo 53 milionë. “Në bazë të dokumenteve, diku kishte rezultuar të ishte paguar dëmshpërblim, maksimumi i së cilës do të ishte 48 milionë. Por ne nuk jemi të sigurt që kjo është shifra e saktë. Prandaj kërkojmë nga ZKA-ja të auditojë qasjen financiare të kësaj kontrate”, ka kërkuar Diana Metushi-Krasniqi.

Për fund, një kërkesë i është drejtuar edhe Qeverisë që ta penalizojë “Bechtel & Enka”-n me një detyrim financiar prej 40 mijë eurosh në ditë, siç parashikohet në kontratë. “Sipas kontratës në fjalë, kontraktori ka parashikuar të gjitha rreziqet dhe pengesat që mund te ballafaqohet. Qeveria duhet të fillojë ta penalizojë për 40 mijë euro në ditë ‘Bechtel & Enka’-n pas 31 dhjetorit”, ka thënë më tutje Metushi-Krasniqi. Ndërtimi i kësaj autostrade është thënë të përfundojë më 31 dhjetor të këtij viti, por pavarësisht këtij afati të caktuar kohor ka deklarime se autostrada mund të mos përfundojë as në fund të vitit./ZERI/