Për tre muaj, sigurimi i Thaçit i harxhoi 1 mijë e 258 euro veç në pije të gazuara

Ekonomia December 19, 2018 - 09:08
Lexo detajet!

Sigurimi i zyrës së ish kryeministrit Hashim Thaçi vetëm për 3 muaj kishte shpenzuar në pijë 1 mijë e 258 euro.

Në pije përfshihen pijet e gazuara si Coca Cola, Fanta, Schweppsa, lëngje të frutave e ujë.

Faturat e muajve maj e korrik 2011 dhe janar 2012 që i posedon KALLXO.com, sigurimi i zyrës së Thaçit kishte pirë 282 coca cola që kishin kushtuar në total 151 euro e 80 cent apo pak mbi 95 litra coca cola.

Për këta muaj janë pirë edhe 569 schweppsa që kanë kushtuar 308 euro apo 187 litra schwepps ndërsa janë pirë edhe 57 litra fanta apo 174 copa që kanë kushtuar 93 euro e 60 cent.

Pijet e gazuara janë shitur në kanaqe dhe kanë qenë të masës 330 ml.

Gjatë këtyre muajve janë konsumuar edhe 823 lëngje të pijeve të ndryshme që i kanë kushtuar 493 euro e 80 cent.

Sigurimi i zyrës së Thaçit gjithashtu kishte porositur edhe 1 mijë e 55 shisha ujë që i kanë kushtuar shtetit 211 euro.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.