Kryetarët e komunave demantojnë KEDS-in për reduktime

Ekonomia December 19, 2018 - 08:00
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Reduktimet e ashpra me energji elektrike ditëve të fundit i kanë çuar në këmbë kryetarët e disa komunave në Kosovë. Gjatë tërë ditës së martë komuna e Deçanit është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike. Kryetari i kësaj Komune, Bashkim Ramosaj, ka treguar për gazetën “Zëri” se ka pasur raste kur komuna e tij me fshatrat përreth kanë mbetur deri në tridhjetë orë pa energji elektrike, shkruan sot Gazeta Zëri.

Komuna e Deçanit po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike si pasojë e tensionit të lartë të rrymës, që është punuar keq nga ana e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

LEXO EDHE: BE-ja e do Thaçin negociator të Kosovës

Të paktën kështu është shprehur kryetari i kësaj Komune Bashkim Ramosaj në një prononcim për gazetën “Zëri”.

“Tek ne nuk bëhet fjalë për reduktime, por disa përsëritje të shpeshta, po flasim për tensionin e lartë që është punuar keq nga ana e KEDS-it dhe tash mbingarkesa që po krijohet në sezonin e dimrit kemi pëlcitje të këtyre kabllove që janë nëntokësore dhe po është procedurë e vështirë derisa po rehabilitohet. Kemi pasur rastin të mbesim deri në 40 orë pa rrymë, disa ditë përpara 30 e disa orë pa rrymë. Sot ka vazhduar gjatë tërë ditës, herë është lëshuar e herë është ndalur. Janë duke u munduar të bëjnë përmirësime”, ka treguar Ramosaj.

Ai ka kërkuar një investim të mirë, që të mos ballafaqohen me telashet e ngjashme. Gjersa ka përgëzuar KEDS-in për investime në qytetin e tyre, njëkohësisht ka kërkuar që investimi është dashur të bëhet aty ky vërehen problemet më të mëdha.

“Unë përkrah KEDS-in për investimin që ka bërë këtë vit në Deçan, por investimi është dashur të bëhet aty ku është problemi më  i madh. Zona urbane, qendra e qytetit mbetet me 30 orë pa rrymë, kjo nuk është në rregull. Tash momentalisht ka rrymë, më herët pati ndërprerje dy orë. Mbrëmë është ndalur në orën 16:00 deri në 8 të mëngjesit”, ka shpjeguar i pari i Deçanit.

Ndërprerjet e tilla ai po i konsideron shqetësuese për amvisëritë, për ekonomitë familjare dhe për bizneset. Ndërsa në rast të mospërmirësimit të gjendjes brenda dy ditëve tërthorazi ka paralajmëruar edhe protestë.

“Në rast se brenda dy ditëve nuk evitojnë këtë problematikë, atëherë duhet të shprehim pakënaqësinë e qytetarëve. E kemi pasur një takim me inxhinierë të Komunës, me përfaqësues të KEDS-it, jemi munduar të bëjmë zgjidhje. Kjo duhet të bëhet prej menaxhmentit të KEDS-it që është në Prishtinë. Duhet të përmirësohet njëfarë kablloje nëntokësore, përafërsisht 1 mijë metra”, ka përfunduar ai.

KEDS: Nuk ka reduktime

Ndryshe nga kryetari i Deçanit janë deklaruar në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS). Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka mohuar se ka reduktime. Ai ka thënë që KEDS-i po arrin të mbulojë tërë kërkesën nga prodhimi vendor dhe nga importi.

“Reduktime nuk ka, pra KEDS-i po e mbulon tërë kërkesën nga prodhimi vendor dhe nga importi. Kërkesa për energji i ka tubuar të gjitha rekordet, por po mbulohet komplet. Nëse e keni fjalën për ndonjë ndërprerje specifike që ka ndodhur ditëve të kaluara për shkak të planifikimeve ju lutem na specifikoni dhe ne do t’u tregojmë në detaje”, është shprehur Buzhala, teksa thotë se ndërprerjet e planifikuara i dërgojnë zakonshëm përmes njoftimeve për medie.

Ai ka garantuar se ditëve në vijim nuk do të ketë reduktime, vetëm emergjente në rast se ndodh ndonjë e papritur.

“Jo nuk do të ketë. Vetëm emergjente. Pra nëse ndodh ndonjë e papritur brenda ditës ku ndodh ndonjë prishje ose duhet medoemos për të intervenuar menjëherë, po të planifikuara nuk do të ketë”, ka premtuar Buzhala.

Ngjashëm si kryetari Bashkim Ramosaj protesta kishte paralajmëruar edhe kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj. Muharremaj në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka treguar se kanë pasur reduktime deri të dielën në orën 19:00.

“Reduktimet kanë ndodhur deri të dielën, në orën 19:00. Dhe pasi u bë një ndërprerje e gjatë dola si kryetar i Komunës dhe thashë që nëse vazhdoni ta ndërprisni unë do të organizoj protesta për qytetarët. Por atë ditë nuk ka qenë problemi te KEDS-i, por te KOSTT-i që ka ndërruar gjeneratorët. Të hënën në mëngjes kam thirrur kryeshefin e KOSTT-it, ata thanë që punimet i kemi kryer dhe nuk do të ketë ndërprerje. Unë besoj se nuk do të ketë ndërprerje vetëm nëse del ndonjë problem jashtë. Jemi marrë vesh që këtë vit nuk do të ketë reduktime”, është shprehur kryetari i Suharekës. I pari i Suharekës ka treguar edhe për një protestë të vogël, që kanë organizuar dje disa qytetarë.

“Sot disa qytetarë e kanë organizuar një protestë të vogël në Suharekë, por u kam thënë derisa jemi marrë vesh dhe nuk besoj se do të ketë ndërprerje të rrymës. Njëherë është gjendje stabile, e qetë, por nëse vazhdojnë ndërprerjet si deri më tash atëherë i pari kam për t’i thirrur qytetarët për të dalë në protestë. Arsyeja është këto punë është dashur të kryhen gjatë sezonit të verës, jo kur është më ftoftë  dhe kur qytetarët kanë nevojë më shumë për shërbime dhe për energji elektrike”, ka shtuar në mes tjerash.

Piraj: Dragashi deri në nëntor me 40 orë pa rrymë

Deri në 40 orë pa rrymë kishin mbetur banorët e komunës së Dragashit nga muaji gusht e deri në muajin nëntor. Kështu ka treguar pronari i kompanisë “Meka Hallall Food”, Burim Piraj.

Për gazetën “Zëri” ai ka bërë të ditura edhe arsyet e ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë asaj kohe.

“Në Dragash prej muajit gusht deri në nëntor na kanë ndërprerë mbi 40 orë rrymën me pretekstin e pastrimit të trasesë.

Nga ana tjetër, bora e parë kur ka rënë për shkak të mospastrimit të trasesë neve na është ndërprerë rryma nuk ka pasur punime në trase vetëm ka qenë arsye për të pasur reduktime kinse po bëhen punime”, ka thënë Piraj.

Tutje ai ka përmendur një aspekt tjetër të energjisë elektrike - humbjet që po ua shkakton bizneseve.

“Mosserioziteti i institucioneve për t’u marrë me energjinë elektrike dhe me investimet e vazhdueshme të ekonomisë kanë ndikuar t’i humbim 200 mijë vende pune që ata të gjejnë punë  pastaj në perëndim. Ky është një problem tejet serioz. Kosova njihet në botë për ndërprerje të energjisë elektrike, shumë ndërmarrje serioze as nuk dëshirojnë t’i shikojnë ofertat që i ka Qeveria për të bërë investime shkaku i energjisë elektrike dhe andaj Kosovën e anashkalojnë. Kemi pasur vazhdimisht rënie të investime”, është shprehur Piraj.

Ndërsa tregon furnizimin me energji elektrike në Dragash se si e arrijnë përmes hidrocentraleve “ne në Dragash kemi një fat të mirë dhe fat të keq. Fat i keq që sistemi 110 KW nuk funksionon në Dragash. Por fati ynë i mirë është që janë ndërtuar disa hidrocentrale dhe ato nuk kanë mundësi të transmetojnë energjinë e prodhuar në Kosovë, por vetëm në komunën e Dragashit. Energjia pe rodhuar në Dragash shpenzohet në Dragash. Për shkak të kyçeve në hidrocentrale ne kemi bërë përmirësim gjatë kohës së dimrit. Në anën tjetër të Kosovës ka ndërprerje deri në 6 orë energji elektrike me pretekstin kinse po bëhen meremetime të rrjetit”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u zotua publikisht se nuk do të ketë reduktime pas datës 15 dhjetor.