Largohen të gjithë uzurpatorët e pronave shoqërore

Ekonomia December 18, 2018 - 08:23
Lexo Detajet
Image

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po pretendon t’i ketë liruar të gjitha pronat e uzurpuara në Kosovë. Në këtë institucion janë zotuar se AKP-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) ka ndërmarrë aksione në gjithë territorin e Kosovës për lirimin e aseteve. Duke iu referuar përgjigjes zyrtare që zyrtarët për informim në këtë institucion kanë dhënë për gazetën “Zëri”, kanë mbetur vetëm disa toka bujqësore që po shfrytëzohen nga persona të paligjshëm që nuk kanë mundur t’i identifikojnë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Asnjë pronë nuk ka mbetur e uzurpuar në Kosovë. Edhe tri lokale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin mbajtur të “uzurpuara” për një kohë, kanë arritur të lirohen. Të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarët për informim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

LEXO EDHE: Mjekët nisin grevën, paralajmërojnë bojkot të punës në janar

Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lajmin për lirimin e të gjitha aseteve në pronësi shoqërore te të cilat janë identifikuar shfrytëzuesit e paligjshëm. “Agjencia Kosovare e Privatizimit ka arritur t’i lirojë të gjitha asetet në pronësi shoqërore te të cilat janë identifikuar shfrytëzuesit e paligjshëm ose uzurpatorët. Agjencia ka ndërmarrë aksione në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim, ndërsa lirimi i këtyre aseteve dhe marrja nën kontroll të AKP-së është bërë me ndihmën edhe të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Kaloshit. Por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e shfrytëzimit të tokave bujqësore nga persona të paligjshëm, të cilët nuk kanë arritur t’i identifikojnë ende.

“Mirëpo ka toka bujqësore të cilat shfrytëzohen nga palë të ndryshme, që janë shfrytëzues të paligjshëm e të cilët AKP-ja nuk ka mundur t’i identifikojë. Bëhet fjalë për shfrytëzues sezonalë, pra e shfrytëzojnë pronën bujqësore për aktivitete bujqësore dhe Agjencia e ka pasur të vështirë të bëjë identifikimin e saktë të këtyre shfrytëzuesve. Për këtë arsye edhe në tenderët për privatizim AKP-ja i njofton të gjithë ofertuesit se toka bujqësore e tenderuar shfrytëzohet ose punohet nga persona të panjohur”, sqarohet në mes të tjerash në përgjigje.

Në AKP shprehen të bindur se nuk dorëzojnë asnjë aset te blerësit me uzurpatorë brenda. “AKP-ja i garanton të gjithë ofertuesit se pas nënshkrimit të kontratës tokat bujqësore do t’i bartë te blerësit të lira, pa asnjë shfrytëzues të tyre, joligjor ose ligjor. Pra AKP-ja garanton se nuk e dorëzon asnjë aset, tokë a lokal te blerësit me uzurpatorë brenda. Ndërsa ritheksojmë se të gjithë ata shfrytëzues të pronave shoqërore, të cilët Agjencia i identifikon e që nuk e njohin Agjencinë Kosovare të Privatizimit si administrues ligjor të këtyre pronave do të dëbohen me asistencë të Policisë së Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.

Policia inicion 150 raste për uzurpim të pronave

Ndryshe nga deklarimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dëshmojnë hulumtimet e gazetës “Zëri” sa u përket pronave të uzurpuara. Gazeta “Zëri” ka raportuar për disa muaj me radhë se AKP-ja po vazhdon të nxjerrë në shitje prona të uzurpuara, ndonëse një veprim i tillë vlerësohej i frikshëm për investitorët. Pronave të uzurpuara, të cilat janë vënë në shitje, nuk u ka shpëtuar as vala e 43-të e likuidimit. Gazeta “Zëri” pati gjetur se paku 15 prona të uzurpuara në këtë mes. Ndërkohë, kësaj vale nuk i kishin shpëtuar as lokalet.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e fundit të likuidimit kishte nxjerrë në shitje edhe një lokal në lagjen “Dardania” të Prishtinës, mirëpo një person i frikësonte investitorët e mundshëm me arsyetimin se lokali është pronë e tij. Në xhamat e lokalit, i cili është nxjerrë në shitje, ai kishte ngjitur disa njoftime e të cilat më pas edhe ishin hequr nga ana e AKP-së. Nuk kishte kaluar shumë kohë kur zyrtarët e AKP-së kanë hequr ato njoftime nga xhamat dhe kishin vendosur njoftimin e tyre, duke treguar se lokali në fjalë është pronë e administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Nga janari i këtij viti deri në nëntor Policia e Kosovës (PK) thotë t’i ketë iniciuar 150 raste për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme. Të paktën kështu bëhet e ditur në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim në PK dhënë gazetës “Zëri”. “Policia i inicion rastet për hetim dhe pastaj vendimet merren nga organet e drejtësisë. Ne mund t’ju informojmë se Policia nga Neni 332 ‘Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ për periudhën kohore 01.01.2018 deri 30.11.2018 ka iniciuar 150 raste”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.

Demhasaj vë në “lajthitje” deklaratat e AKP-së

Me deklaratat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për lirimin e pronave të uzurpuara nuk pajtohet assesi drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj. Në një prononcim për gazetën “Zëri” Demhasaj ka përmendur rastet kur janë përgënjeshtruar deklaratat e AKP-së për lirimin e pronave të uzurpuara në tërësi. “AKP-ja edhe më herët pati deklaruar se nuk ka më prona të uzurpuara. Pas deklarimit ka dalë rasti sidomos në Mitrovicë, që ka qenë publik dhe është përmendur që ka pasur problem me pronë të uzurpuar. Nuk po mundem të kuptoj se si mund të nxjerrë një përfundim të tillë AKP-ja, që nuk ka më prona të uzurpuara. Derisa kemi pasur probleme të tilla mund të ketë raste të tilla që ne nuk i dimë”, ka thënë Demhasaj. Në rast të insistimit të këtij institucioni se nuk ka prona të uzurpuara Demhasaj ka kërkuar një listë publike nga ky institucion në mënyrë që të bindemi se nuk ka më prona të tilla. “Por, në rast se AKP-ja insiston në këtë duhet të argumentojë me listë që e bën publike dhe tregon cilat kanë qenë ato prona të uzurpuara dhe që janë të çuzurpuara, në mënyrë që të na bindin se nuk ka më prona të uzurpuara. Ka pasur raste kur ndërmarrja është privatizuar me prona të caktuara, blerësi nuk ka arritur të realizojë të drejtën e tij me gjithë pjesën e pronës që e ka blerë ose e ka privatizuar pikërisht për shkak të uzurpimeve”, ka shtuar më tutje ai. Demhasaj thotë se AKP-ja nuk e ka marrë mundimin t’i pastrojë pronat e uzurpuara para se t’i nxjerrë në likuidim. “Mendoj se ka probleme të tilla ende, sidomos kur flasim për toka që i përkasin një ndërmarrjeje. Ndërmarrjen e ka marrë, por s’ka arritur t’i marrë të gjitha pronat që kanë qenë pjesë e ndërmarrjes për shkak të problemeve të uzurpimit. Prandaj unë nuk mund të bindem se ka përfunduar çështja e uzurpimit me të gjitha pronat që kanë qenë të uzurpuara, kjo normalisht që ndikon tek investitori që të fillojë të bëjë biznes e të hasë në probleme të tilla me uzurpues. AKP-ja nuk e ka marrë mundimin t’i pastrojë pronat e uzurpuara e pastaj t’i nxjerrë në likuidim”, ka sqaruar përfaqësuesi i shoqërisë civile.