Rritet çmimi i patates, parashihet rritje e eksportit

Ekonomia December 16, 2018 - 08:59
Lexo Detajet

Tash e disa vite përballet me problemin e shitjes së patateve.

Por, Shukri Xhaferi, kultivues i patateve në Vushtrri duket që këtë vit ka gjetur rehatinë.

Xhaferi i cili ka të mbjellë mbi tre hektar tokë me patate ka thënë për arbresh.info se çmimi është ngritur duke shtuar edhe motivin për punë.

“Tash është më mirë, nëse vazhdon kështu do të ishte shumë mirë për ne. Është maksimizuar çmimi, për momentin është 30-35 centë për kilogram ndërsa po rritet vazhdimisht”, ka thënë ai.

Por, në këtë ngritje çmimi nuk ka ndikuar taksa doganore e vendosur për Serbinë dhe Bosnjën.

“Kjo rritje e çmimit nuk është rezultat i vendosjes së taksës doganore për Serbinë dhe Bosnjës por thatësia që ka mbretëruar në Evropë. Sipas informacioneve ka mungesë të patates dhe qepës në Belgjikë, Gjermani, Suedi e vende tjera në Evropë”, ka shtua ai.

Fermeri kosovar ka thënë gjithashtu se pritet ende rritje e çmimit të patates.

“Ky vit për ne është shumë i mirë, madje besojmë që do të kalojnë edhe disa vite e nuk do të kemi çmim më të mirë pasi pritet që çmimi të rritet ende”, ka përfunduar ai.

Ndërsa Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, ka thënë gjithashtu se çmimi i patates këtë vit është ngritur.

“Këtë vit patatja ka çmim më të lartë në krahasim me vitin e kaluar, për shkak se në BE ka qenë aq thatësi e madhe dhe ka ndikuar edhe tek ne që të jetë shumë e shtrenjtë”, ka thënë ai.

Kosumi ka shtuar se taksa nuk ka ndikuar në këtë rritje pasi Kosova nuk importon nga Serbia e Bosnja.

“Patatja në Kosovë me përjashtim të muajit maj dhe gjysmës së qershorit kur importohet nga Shqipëria. Kosova ka gjithmonë patate të mjaftueshme prej vitit 2006 e këndej. Shumë pak ose hiq patate vjen nga Bosnja dhe Serbia”, ka shtuar ai.

Pronari i “Pestovës” ka thënë gjithashtu se pritet të ketë rritje të eksportit.

“Patatja dhe qepa këtë vit do të kenë çmim më të lartë se vitet e kaluara ndërsa eksporti i patates momentalisht është ngjashëm ndërsa pritet që kërkesat të rriten”, ka thënë ai.

Viteve të fundit prodhuesit e patates në Kosovë janë përballur me telashe të shumta në shitje të këtij produkti.

Një pjesë e tyre kanë pasur ‘fatin’ t’i shesin ato me 3o centë ndërsa të shumtë ishin ata që me mijëra kilogramë i kanë hedhur skaj rrugëve.

Fermerët kosovarë u patën shprehur të zhgënjyer me komunat dhe qeverinë, të cilët sipas tyre nuk u kanë ofruar asnjë ndihmë në shitje të këtij produkti.