15 ndërmarrje publike pa borde, nis intervistimi i kandidatëve
Foto: Laura Hasani

15 ndërmarrje publike pa borde, nis intervistimi i kandidatëve

Ekonomia dhjetor 15, 2018 - 08:23
Lexo tjera detaje
Image

Pesëmbëdhjetë ndërmarrje publike në Kosovë aktualisht janë duke funksionuar me borde, të cilave u ka skaduar mandati. Kryeministria tashmë ka filluar procesin e intervistimit të kandidatëve për këto borde të ndërmarrjeve publike, ndërsa deri në fund të këtij muaji (dhjetor), emrat e tyre pritet të dërgohen për miratim edhe në Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) i ka bërë publike për “Zërin” ndërmarrjet publike, të cilat bordet i kanë pa mandat. Në mesin e tyre janë të radhitura këto ndërmarrje: “Trainkos”, “Infrakos”, Posta e Kosovës, kompania rajonale e ujësjellësit “Gjakova”, kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”, kompania rajonale e ujësjellësit “Drini i Bardhë”, “KRU Radoniqi-Dukagjini Gjakovë”, “KRU Hidromorava”, “KRU Prishtina”, “KRU Mitrovica”, “KRU Hidroregjioni jugor”, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, “Ibër Lepenci”, Aeroporti i Gjakovës, Ndërmarrja e Re Energjetike/NKEC”.

Ndërmarrjet e vetme që i kanë bordet me mandat janë Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Të paktën kështu kanë deklaruar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri”.

Në MZHE kanë sqaruar se pavarësisht skadimit të mandatit, bordet e kaluara janë në ushtrim të detyrës dhe të përgjegjësive deri në përzgjedhjen e bordeve të reja. “Duhet sqaruar se bordet e kaluara janë në ushtrim të detyrës dhe të përgjegjësive siç kërkohet edhe me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, deri në zgjedhjen e bordeve të reja në këto ndërmarrje”, thuhet në përgjigjen e tyre zyrtare.

Derisa kanë sqaruar se kanë njoftuar Kryeministrinë për kohën e skadimit të bordeve drejtuese, duke dhënë detaje edhe për mënyrën e procesit të përzgjedhjes së bordeve të reja. “Procesi i përzgjedhjes së bordeve të reja sipas Ligjit në fuqi për Ndërmarrje Publike bëhet nga një komision rekomandues në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, i cili do t’ia rekomandojë Qeverisë kandidatët e suksesshëm për emërim. Tani ky komision është në fazën e rekrutimit të kandidatëve”, theksohet në mes tjerash në përgjigjen e zyrës për informim të MZHE-së.

Të njëjtin proces e kanë komentuar edhe në zyrën e kryeministrit.

Zyrtarja për informim në zyrën e kryeministrit, Donjeta Gashi, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka thënë se bordet e ndërmarrjeve pas skadimit janë funksionale deri në emërimin e bordeve të reja.

“Duke u bazuar në opinionin e zyrës ligjore të zyrës së kryeministrit të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike edhe pas skadimit të mandatit janë funksionale deri në emërimin e bordeve të reja”, ka treguar Gashi.

Ajo ka cituar edhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare me të cilin rregullohet kjo çështje. “Në Ligjin Nr. 02/l-123 për Shoqëritë Tregtare nuk rregullohet vazhdimi i mandatit të Bordit të Drejtorëve me vendim të Qeverisë, por pavarësisht nga skadimi i mandatit të drejtorit ai vazhdon me ushtrimin e detyrave të tij përderisa të zgjidhet pasardhësi, në mënyrë që veprimtaria e Bordit të Drejtorëve të vazhdojë pa pengesë, siç përcaktohet në Nenin 171.3, po e citoj: ‘Pavarësisht nga skadimi i mandatit të drejtorit, ai vazhdon me ushtrimin e detyrave të tij përderisa të zgjidhet pasardhësi, në mënyrë që veprimtaria e Bordit të Drejtorëve të vazhdojë pa pengesë’”, sqarojnë në zyrën e kryeministrit.

Tek në fund tregojnë se janë në proces të intervistimit në formën gojore të kandidatëve për këto borde ndërmarrjesh. “Aktualisht  zyra e kryeministrit është në proces të intervistimit me gojë të kandidatëve për pesëmbëdhjetë (15) borde të ndërmarrjeve publike qendrore. Deri në fund të muajit dhjetor 2018 do të dërgohen për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, përfundon përgjigjja e Gashit.  

Demhasaj: Mundësi e madhe për keqpërdorime

Rastet kur ndërmarrjet publike funksionojnë pa borde i prijnë mundësisë më të madhe për keqpërdorime. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj. Ai në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka sqaruar se kur ndërmarrjet nuk kanë borde, menaxhmenti i saj është jofunksional. “Ligjërisht pjesa kryesore e kompetencave menaxhuese të ndërmarrjeve është bordi. Në momentin kur këto ndërmarrje nuk kanë borde, atëherë mund të themi që në një mënyrë menaxhmenti i saj është jofunksional për arsye se janë të ndërtuara në atë mënyrë që ekziston drejtori ekzekutiv, por ekziston edhe bordi. Bordi në këtë rast është organ mbikëqyrës i drejtorit dhe njëkohësisht një pjesë të vendimeve e merr edhe bordi”, ka  shpjeguar Demhasaj.

Në këtë mënyrë të funksionimit mundësia për keqpërdorim rritet sipas përfaqësuesit të shoqërisë civile. “Në momentin kur kemi ndërmarrje të tilla që nuk kanë borde, atëherë mund të ketë mundësi të keqpërdorimeve shumë më të mëdha dhe një pjesë e vendimeve që duhet të merren nga bordet. Është një pengesë e madhe për funksionimin e duhur të këtyre ndërmarrjeve”, ka shtuar tutje ai.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” fajin kryesor ia vë organit të këtij institucioni, që nuk i emëron bordet. “Faji kryesor qëndron tek organi i këtij institucioni, i cili nuk po i emëron bordet. Dhe arsyet që nuk po i emërojnë janë për shkak që mund të ketë mospajtime brenda partnerëve për shkak se e dimë që janë të politizuara dhe kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse nuk po emërohen bordet. Duhet të ndalohen të gjitha këto dhe bordi duhet të formohet sa më shpejt, në mënyrë që të lejohen ndërmarrjet të funksionojnë më mirë”, ka përfunduar Demhasaj.

Pantina: Bordet duhet të kompletohen sa më shpejt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, ka kërkuar kompletimin sa më të shpejtë të bordeve të ndërmarrjeve. Ajo në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” nuk e ka përjashtuar mundësinë e keqmenaxhimit në mungesë të bordeve jofunksionale. “Natyrisht se ka hapësirë për më shumë keqmenaxhim kur nuk janë bordet funksionale. Mendoj se bordet duhet më shpejt të emërohen. Nëse janë kompani, të cilat janë në menaxhimin e Qeverisë, ato duhet t’i formojë Qeveria. Por ne kemi ndërmarrje që janë të nivelit lokal dhe emërimin e anëtarëve të bordit e bëjnë komunat. Kështu në të dyja rastet është papërgjegjësi të lihen kompanitë pa organin më të lartë drejtues, që është bordi”, është shprehur deputetja e PSD-së.

Ajo ka komentuar edhe arsyet për mosemërimin e bordeve. Në të shumtën e rasteve sipas saj mund të ketë arsye të qëndrueshme për mosemërim të këtyre bordeve. “Sa më shpejt qoftë Qeveria, qoftë komunat duhet t’i emërojnë anëtarët. Nganjëherë mund të ketë edhe arsye të qëndrueshme për mosemërimin e bordeve, por në shumicën e rasteve ato bëhen me pëlqime ose me kundërshtime politike. Prandaj edhe kjo mund të jetë arsye pse këto ndërmarrje kanë mbetur pa borde, por nuk mund të themi në përgjithësi pa i parë shkaqet dhe arsyet e vërteta pse nuk janë bordet funksionale ose pse janë pa anëtarë”, ka shtuar në mes tjerash.

Sipas Pantinës, nëse ka vullnet të menaxhmentit dhe të punëtorëve të ndërmarrjes, ato mund të funksionojnë edhe pa borde. “Nëse ka vullnet të menaxhmentit dhe të punëtorëve të ndërmarrjes, ndërmarrja mund të funksionojë pa bord. Por bordet kanë përgjegjësi për mbikëqyrje, kështu që hapësira për keqpërdorim bëhet më e madhe”, ka treguar deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Kritika për gjendjen aktuale të shumë ndërmarrjeve që funksionojnë pa borde pati shprehur publikisht edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila. Ajo pati thënë se apetitet politike për t’i dërguar njerëzit partiakë në ndërmarrje i kanë sjellë këto në këto gjendje, që dikur kanë sjellë përfitime të mëdha për buxhetin./ZËRI