Vazhdojnë protestat e banorëve të Çikatovës së Vjetër

Ekonomia December 13, 2018 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Ndonëse pronari i ri i “Ferronikelit”, Saimir Mane, ka thënë se ka investuar për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese për të shtuar prodhimin nga 7200 tonë xehe në vit në mbi 10 mijë tonë, tani ka dalë problemi me banorët e Çikatovës së Vjetër, të cilët kanë protestuar edhe të mërkurën, siç kanë thënë “në mbrojtje të tokave të veta, të cilat u janë dhënë ‘Ferronikelit’”, shkruan Gazeta "Zëri".

Puna në “Ferronikel” ka vazhduar me kapacitetin e plotë pasi pronari i ri “Balfin Group” ka krijuar të gjitha kushtet për prodhim pas gati 4 muajsh të ndërprerjes së prodhimit. Menaxhmenti i “Ferronikelit”, ai i vjetri, ka kryer të gjitha obligimet ndaj punëtorëve sa u përket pagave, që ishte edhe shkaku kryesor i ndërprerjes së punës nga punëtorët. Pronari i ri i “Ferronikelit”, njeriu më i pasur në Shqipëri, Saimir Mane, që në takimin e parë me punëtorët i kishte siguruar ata se do t’i kryejë obligimet, si dhe kishte premtuar investime për rritje të kapaciteteve të prodhimit.

Ndonëse pronari i ri i “Ferronikelit”, Saimir Mane, ka thënë se ka mbështetur zgjerimin e kapaciteteve prodhuese për të shtuar prodhimin nga 7200 tonë xehe në vit në mbi 10 mijë tonë, tani ka dalë problemi me banorët e Çikatovës së Vjetër, të cilët kanë kërkuar shpronësimin e tokave të veta, të cilat i eksploaton “Ferronikeli” për xehe. “Kam ofruar përkrahje të plotë për ‘Ferronikelin’, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, pati thënë Mane, pronar i “Balfin Group”, duke u zotuar se do të vazhdojë ta përkrahë punën dhe të investojë fonde të mjaftueshme në fabrikën e prodhimit të nikelit, duke synuar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë.

“‘Grupi Balfin’ ka planifikuar të kryejë investime shtesë në ‘NewCo Ferronikeli’ në mënyrë që potenciali i fabrikës të arrihet në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 tonë në vit në mbi 10.000 tonë në vit. Kompania ‘Newco Ferronikeli’, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1000 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e fabrikës me lëndë të para dhe me shërbime tjera në logjistikë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri”, është zotuar pronari i ri i kompanisë “NewCo Ferronikeli” Sami Mane.

Banorët nuk pajtohen që pronat e tyre t’i shfrytëzojë “Ferronikeli”

Por situata me banorët e Çikatovës së Vjetër kurrsesi të qetësohet, pasi ata nuk pajtohen që pronat e tyre t’i shfrytëzojë “Ferronikeli” pa u kompensuar. Ata kanë protestuar edhe të mërkurën para objektit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, siç kanë thënë ata “në mbrojtje të tokave të veta, të cilat u janë dhënë Ferronikelit”. Sipas banorëve të Çikatovës së Vjetër, pronat e tyre nuk janë kompensuar dhe kanë siguruar se Komuna e Drenasit ia ka falur pronat e tyre “Ferronikelit”. Më të zëshmit janë shprehur banorët e lagjes “Morina”, të cilët insistojnë se pronat janë të tyre dhe se nuk ka asnjë dëshmi që ato janë kompensuar ndonjëherë. 

“Ka dyqind vjet që kjo tokë është pronë e familjes. Komuna ia ka falur pronat ‘Ferronikelit’, po ia mban anën ‘Ferronikelit’ në dëm tonin. Komuna disa herë ka tentuar që me forcë të hyjë në tokat tona, por nuk i kemi lejuar”, thotë Ardian Morina, njëri prej banorëve të Çikatovës së Vjetër, duke shtuar se problemi qëndron në faktin se kur janë kompensuar pronat banorët nuk janë pajtuar dhe nuk e kanë pranuar kompensimin e ofruar nga ndërmarrja dhe kanë vazhduar ta kërkojnë të drejtën nëpërmes gjykatës. Banorët e Çikatovës së Vjetër kanë dalë dhe kanë ndaluar makinerinë e “Ferronikelit” që të gërmojë për xehe në pronat e tyre. Morina tha se janë 5 hektarë tokë që ia ka marrë “Ferronikeli” dhe nuk ka asnjë dëshmi që toka i është kompensuar. 

“Toka na është marrë dhe po vazhdon të merret nga ‘Ferronikeli’ për të ekspolatuar për xehe. Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje paraprake dhe unë siguroj se nuk është paguar asnjë cent për këto toka. Komuna vetë po dëshiron t’ia falë tokat tona ‘Ferronikelit”, thotë Morina, duke shtuar se  Komuna po bën presion te banorët. “Pronat që po i kërkon Komuna nga ne nuk janë kompensuar. Kjo që po thotë Komuna se pronat janë në emër të ‘Ferronikelit’ nuk ka asnjë dëshmi, ata thonë kështu. Ne nuk kemi asnjë dëshmi që pronat tona janë paguar ose janë kompensuar në ndonjë formë. Ata po duan të na i marrin pa i paguar, pa i kompensuar dhe ne këtë nuk e lejojmë”, ka siguruar Morina. 

Morina: S’ka marrëveshje qe 12 vjet

Sipas Morinës, banorët janë duke biseduar me menaxhmentin e “Ferronikelit” për më shumë se 12 vjet, por nuk është arritur asnjë marrëveshje. “Ndonjë veprim që kanë ndërmarrë kur kanë bërë ndonjë hulumtim për xehe gjithmonë na kanë paguar, shpimet që i ka bërë ‘Ferronikeli’ i ka paguar. Tash po do të nxjerrë xehe nga aty, kjo nuk bën. Nuk i kemi lejuar të hyjnë në prona tona, kanë ardhur edhe me policë, s’i lejojmë se nuk na janë kompensuar. Ne jemi duke i mbrojtur pronat tona, nuk heqim dorë nga pronat tona”, ka thënë Ardian Morina, njëri prej banorëve të Çikatovës së Vjetër, të cilit i janë marrë 5 hektarë tokë.

E ndërkaq në Komunën e Drenasit kanë thënë se pronat janë të regjistruara në emër të “NewCo Ferronikeli” në zonën kadastrale Çikatovë e Vjetër, në vitet e ’70-ta, atëherë edhe kur janë shpronësuar. Madje në Komunën e Drenasit kanë siguruar se në vitet e ’70-ta kur është bërë shpronësimi banorët vetë nuk kanë dashur t’u bëhet kompensimi. “Ato prona janë regjistruar në emër të ‘Ferronikelit’ në vitet e ’70-ta në bazë të kompensimit që është kryer. Është zhvilluar procedura e shpronësimit për ato. Shpronësimi është bërë në atë kohë në vitet e ’70-ta”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Drenasit.  /ZËRI