Qeveria mund ta penalizojë 'Bechtel & Enka'-n

Ekonomia December 13, 2018 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e shqiptimit të penalltisë ndaj konsorciumit turko-amerikan “Bechtel & Enka” për shtyrje të punimeve në ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin. “Në çdo marrëveshje a kontratë ka veprime reciproke, kështu që edhe ne do të veprojmë konform situatës që do të na paraqitet”, ka thënë ministri Lekaj për gazetën “Zëri”.

Për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve për punë të kryera në fillim të këtij viti konsurciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” kishte penalizuar Qeverinë e Kosovës me 53 milionë euro. Por, tash subjekt i penalltive nga Qeveria e Kosovës mund të jetë vetë ky konsorcium për shkak të shtyrjeve të punimeve në ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin. Kohë më parë, duke iu referuar kontratës së nënshkruar zyrtare nga konsorciumi në fjalë, por edhe nga Ministria e Infrastrukturës, kishin deklaruar se deri më 31 dhjetor të këtij viti autostrada në fjalë do të jetë e gatshme për qarkullim. Por, tash kur i jemi afruar fundvitit një veprim i tillë po duket të jetë i pamundur.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e një penalltie për “Bechtel & Enka”-n. “Në çdo marrëveshje a kontratë ka veprime reciproke, kështu që edhe ne do të veprojmë konform situatës që do të na paraqitet”, ka thënë shkurt ministri Lekaj për gazetën “Zëri”.

Deri në qershor kryhen obligimet ndaj kompanisë

Më tutje ministri Lekaj ka konfirmuar se të gjitha pagesat për punët e kryera ndaj konsorciumit në fjalë do të përfundojnë në gjysmën e parë të vitit që vjen. “Pagesat e zgjatjes së kontratës do të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Me aneks-kontratën e nënshkruar i kemi mbyllur të gjitha çështjet sa i përket mundësisë së penalltive në të ardhmen. Pra ne e kemi siguruar që të mos rrezikohet buxheti i shtetit prej ndonjë penalltie në të ardhmen sa i përket këtij projekti”, është shprehur Lekaj.

Mundësinë për përjashtimin e rritjes së gjobës e ka përmendur edhe drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj. Ai në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se me marrëveshjen e fundit të Qeverisë nuk ekziston rreziku i rritjes së shumës. “Me këtë marrëveshjen e fundit që ka bërë Qeveria me ‘Bechtel’-in, ku është përcaktuar ky 53-milionëshi, prej atëherë tani e tutje nuk vazhdojnë kamatat që të rritet ajo shumë.

Nuk ekziston rreziku i rritjes së shumës, me sa kam informacione. Edhe nëse nuk paguhet 53-milionëshi Qeveria nuk mund të realizojë një pagesë të tillë derisa është në proces gjyqësor. Nuk besoj që ka mundësi të rritet ajo shumë”, ka shtuar në mes të tjerash Demhasaj. Sipas tij, në rast se kontrata e cila ka qenë e paraparë të përfundojë më 31 dhjetor të këtij viti nuk kryhet brenda afatit, atëherë edhe Qeveria mund të gjobisë kompaninë për shkak të vonesave.

“Nuk kam analizuar në detaje kontratën, por penalltitë zakonisht kanë qenë të njëanshme, vetëm në rast se kompania, në këtë rast “Bechtel &  Enka” vonohet të kryejë punë për shkak të kësaj edhe që i përkasin Qeverisë, atëherë do të ketë penallti. Por asnjëherë nuk kam dëgjuar që është diskutuar dhe përmendur e kundërta në rast se kompania nuk i përmbush afatet e përcaktuara në kontratë të ketë penallti edhe për kompaninë. Që në këtë rast nëse në kontratë ka qenë e paraparë që autostrada Prishtinë - Shkup të përfundojë më 31 dhjetor të këtij viti, në rast se nuk përfundon edhe kompania duhet të gjobitet, të penalizohet për shkak të vonesave”, ka sqaruar përfaqësuesi i shoqërisë civile.

Qeveria siguron buxhetin për t’ia realizuar obligimet kompanisë punëkryerëse

Qeveria e Kosovës ka arritur të sigurojë mjetet buxhetore për të gjitha obligimet që i takojnë deri në fund të vitit. Të paktën kështu ka konfirmuar Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave e njëherësh këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj. Shatri në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka konfirmuar se është siguruar buxheti, ndërsa për pagesa secila organizatë buxhetore i kryen procedurat vetë. “Buxheti është i siguruar për të gjitha obligimet deri në fund të vitit. Për pagesat konkrete secila organizatë buxhetore i kryen procedurat vetë. Brenda dite ata marrin mijëra pagesa në thesar.

Normalisht ekziston marrëveshja se cilado palë që i bën vonesat janë të parapara sanksionet. Por pagesat bëhen vetëm në bazë të situacioneve”, ka thënë ai. Më tutje ka sqaruar edhe mënyrën sesi vjen deri te planifikimi i penalizmit të kompanisë, në këtë rast “Bechtel & Enka”-s.

“Komisioni që mbikëqyr realizmin e rrugës tregon se janë kryer kaq punë në këtë vlerë, edhe ministria përkatëse i bën letrat dhe i procedon. Pas një muaji vjen në situacion të ri, deri tash janë kryer edhe kaq punë. Pagesat nuk bëhen përpara, por në bazë të situacioneve. Është marrëveshje nëse dikush vonohet e nuk ka arsye objektive duhet të kalkulohet dhe të shkohet me penallti, qysh na kanë sanksionuar ata neve që i kanë kërkuar 53 milionë, nëse vonohen ata ne kërkojmë prej tyre dëmshpërblim dhe janë rregullat se si shkon ajo punë”, ka theksuar më tutje. Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Qeveria ligjërisht mund t’i përcaktojë ndëshkimet për “Bechtel & Enka”-n në rast se nuk kryhen punët brenda 31 dhjetorit të këtij viti. Kështu është shprehur menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi.

Krasniqi, e cila ka monitoruar edhe kontratën e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano turk “Bechtel & Enka”, tregon se nuk mund të kërkohet asgjë nga kompania deri më 31 dhjetor. “Fatkeqësisht kontrata nuk ka definime kohore se kur çka duhet të kryhet. Në bazë të kontratës që e kanë deri më 31 dhjetor ne nuk mund të kërkojmë asgjë. Është një klauzolë në kontratë që i obligon, përcakton dëmet prej vonesave për të dyja palët në kontratë”, është shprehur Metushi-Krasniqi. Por, sipas saj, menjëherë pas kësaj periudhe Qeveria mund të iniciojë procedurat për kërkesën e dëmshpërblimit ndaj kompanisë. “Dhe në rast se ‘Bechtel & Enka’ nuk i kryen obligimet më 31 dhjetor si në kontratë aktuale, atëherë Qeveria duhet të iniciojë menjëherë procedurat për kërkesën e dëmshpërblimit”, ka përfunduar ajo në mes të tjerash.

Policia nuk e heton “Bechtel & Enka”-n

Pagesa prej 53 milionë eurove si ndëshkim për moskryerje të punëve ndaj Qeverisë së Kosovës nuk është në mesin e rasteve të cilat po i heton Policia. Policia e Kosovës (PK) në një konferencë për medie, ditën e martë, në kuadër të lansimit të fushatës “Zero ryshfet për të korruptuarit”, bëri të ditur se rasti i “Bechtel & Enka”-s nuk është në mesin e rasteve që po hetohen. Kështu deklaroi drejtori për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova. “Për të gjitha rastet të cilat janë duke u hetuar ose për të cilat Policia ka filluar hetimet dhe ka marrë veprimet hetimore, ato janë publikuar, në mesin e këtyre rasteve nuk janë këto raste për të cilat po flisni”, është përgjigjur Shillova në pyetjen e gazetarëve.

Ndërkohë, pas ndarjes së kësaj pagese filloi një hetim nga Prokuroria e Shtetit me mbledhjen e të dhënave për të identifikuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, por që prej asaj dite nuk u pa diçka e re në këtë drejtim. Në bazë të publikimeve kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ishte nënshkruar më 11 korrik 2014 në shumën prej 599 milionë e 944 mijë e 263 eurosh e 55 centësh. Por kjo shifër kishte ndryshuar drejtim në fillim të shtatorit të 2015-s, çmimi qe rritur mbi 8 milionë euro. Shifra kishte arritur vlerën e 608 milionë e 348 mijë e 430 eurosh e 87 centësh. Pagesa për gjobën e “Bechtel & Enka”-s është paraparë edhe me buxhetin e vitit 2019./ZËRI