Shteti ua ndalon pensionet e dyfishta 192 qytetarëve

Ekonomia December 08, 2018 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Zyrtarët shtetërorë përveçqë mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, përfitojnë edhe pensione nga shteti. Por ndryshe nga ta qytetarët nuk po arrijnë t’i gëzojnë përftimet e ngjashme, meqenëse shteti ua ndalon pensionet e dyfishta. Në bazë të të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit tetor Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) ua  ka ndaluar përfitimet e dyfishta të pensioneve 192 personave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyrtarë të lartë të shtetit përveç pagës së rregullt për punën që bëjnë ata marrin edhe pensione invalidore, por në anën tjetër ndryshe nga ta qytetarët nuk po arrijnë t’i gëzojnë përftimet e ngjashme meqenëse shteti ua ndalon pensionet e dyfishta. Në bazë të të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit tetor Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) ua ka ndaluar përfitimet e dyfishta të pensioneve 192 personave. Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës, Bahri Xhaferi, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka sqaruar se korniza ligjore është e tillë që asnjë qytetarit në Kosovë nuk ia lejon përfitimin e më shumë se një pensioni.

Xhaferi ka treguar se vetëm gjatë vitit 2016 kanë ndërprerë pensionet e 4 mijë e 400 personave, ndërsa deri në muajin tetor të këtij viti kanë ndaluar 192 pensione të dyfishta. “Diku 192 raste i kemi pasur në muajin tetor që ua kemi ndërprerë pensionet e dyfishta. Ata kanë qenë pensionistë të Forcave të Sigurisë dhe ish-pjesëtarë të FSK-së dhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Këto dy kategori ose dy skema kanë qenë në pagesë deri në tetor edhe aktualisht Departamenti i Pensioneve nuk bën pagesë të pensionit 1+1 pension. Legjislacioni është i tillë edhe pse jemi duke punuar në formën që të bëjmë një lloj fuzionomi të skemave pensionale, që të kemi kujdes në aspekt të veçantë për familjet e dëshmorëve, të viktimave civile, të pagjeturve e të zhdukurve”, ka shpjeguar ai. Por ai nuk e ka mohuar faktin që ka një harmonizim jo të mirë të kornizës ligjore. “Korniza ligjore është e tillë që asnjë personi, asnjë qytetari në Republikën e Kosovës nuk i lejohet përftimi i më tepër se një pensioni. Jemi të vetëdijshëm që ka mosharmonizim të mirë të kornizës ligjore, posaçërisht te familjet e dëshmorëve, viktimat civile, të pagjeturve duhet t’u jepet një kompensim ose pension pavarësisht a janë përfitues të një pensioni tjetër ose nuk janë. Legjislacioni është i tillë që nuk lejon përfitimin e më tepër se një pensioni”, ka shtuar në mes tjerash.

Me rekomandime të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Xhaferi ka sqaruar se gjatë vitit 2016 kanë ndërprerë pensionet për 4 mijë e 400 raste, por që në këto raste nuk kanë qenë të përfshirë përfituesit e pensioneve të dëshmorëve dhe një pensioni tjetër, por përfitues të pensionit të verbërve, të pensionit bazë FSK-së dhe ish-TMK-së. Prej 2016-s deri më tani ka vazhduar pagesa e pensionit të TMK-së dhe të FSK-së, edhe pse kanë qenë përfitues të pensionit invalidor të luftës. Në tetor të vitit 2018 kemi bërë ndërprerjen e pagesave edhe për pjesëtarët e ish-TMK-së dhe të FSK-së, ndërprerjen e pagesave të dyfishta dhe kanë mbetur në pagesë të pensionit më të favorshëm. Për të gjithë këta janë dhënë vendimet përkatëse”, ka përfunduar udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në MPMS.

Keqpërdorime me skemat sociale

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë thonë se ky zbatim i ligjit do të duhej të bëhej në shtetet ku ka sundim ligji dhe këto çështje zbatohen me përpikëri.

Arben Kelmendi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka thënë se në Kosovë ka shumë individë që përfitojnë nga katërfish deri në pesëfish nga buxheti duke u emëruar anëtarë bordesh. “Nëse një profesor universitar angazhohet në një projekt hulumtues ai detyrohet ta paraqesë atë tek autoritetet e Universitetit dhe të heqë dorë nga një përqindje e fondit të orëve të ligjëratave, po e zëmë se 80 për qind të kohës ia dedikon mësimdhënies dhe paguhet për këtë, kurse 20 për qind të tjera të pagës i merr si bashkëpunëtor në projektin hulumtues. Parimi është i thjeshtë, një njeri nuk mund të jetë njëkohësisht në dy vende dhe të paguhet dy herë”, ka shpjeguar Kelmendi.

Kelmendi thotë se i njëjti parim aplikohet edhe në skemat sociale. “Në Kosovë fatkeqësisht kemi shumë individë që përfitojnë katërfish ose pesëfish nga buxheti i Kosovës duke u emëruar anëtarë bordesh e duke punuar në institucione të ndryshme të arsimit të lartë e institucione tjera të trajnimit - Akademia e Drejtësisë, Instituti Kosovar për Administratë Publike e të ngjashme”, ka potencuar ai.

Keqpërdorimet nuk mungojnë as te skemat sociale, sipas Kelmendit. Ai në këtë mes ka përmendur deklarimin e pasurisë së kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt. “Edhe te skemat sociale vërehen keqpërdorime të shumta. Mjafton të shikosh deklarimin e pasurisë së kryeministrit Haradinaj për të kuptuar se ai përveç pagës së majme si kryeministër ka deklaruar edhe pensionin invalidor prej 225 eurosh në muaj. Raste të tilla janë të panumërta”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, parimi i ndalimit të përfitimit të shumëfishtë nga buxheti i shtetit duhet të jetë parim bazë i një administrate të një shteti të reformuar dhe modern, ashtu siç aspiron të bëhet Kosova.

Në anën tjetër edhe njohësi i fushës së sundimit ligjor Riza Smaka thotë se e drejta në pension është e patjetërsueshme. Për gazetën “Zëri” Smaka  ka sqaruar se e drejta në pension nuk mund të revokohet me asgjë. “E drejta në pension është e drejtë personale, themelore, e patjetërsueshme. Nëse e fiton të drejtën në pension ajo e drejtë është e padiskutueshme nuk mund të revokohet me asgjë. Ana tjetër e medaljes është se në qoftë se me bazë ligjore është përcaktuar ta marrë vetëm njërin nga pensionet, atëherë duhet të zbatohet ligji, por ka vend për t’u kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. E drejta në pension është e drejtë e patjetërsueshme. Por bëhet fjalë për legjitimitetin dhe legalitetin. Legjitimiteti ka të drejtë, legaliteti nëse është ndaluar duhet të zbatohet ligji derisa nuk ndryshohet në procedurë legjislative”, ka përfunduar Smaka.

Deputetët e ministrat e pasur me pensione

Deputetët Bekim Haxhiu, Anton Quni, Enver Hoti e Shkumbin Demaliaj kanë deklaruar pasuri qindra mija eurosh në formularët e pasurisë së Agjencisë Kundër Korrupsionit. Por në regjistrat e deklarimit të tyre figurojnë edhe pensionet invalidore e të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), nga të cilat duket se nuk heqin dorë pavarësisht të ardhurave tejet të qëndrueshme.

Mbi 300 mijë euro kap vlerën vetëm pasuria që ka në pronësi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ndërsa nuk qëndron keq as me të ardhurat e tij. Haxhiu merr tri paga dhe një përfitim invalidor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej 3 mijë e 825 eurosh. Paga e tij vjetore nga Kuvendi shkon në 16 mijë e 612 euro. Por këto nuk janë përfitimet e vetme, siç ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputeti merr pagë sekondare në Universitetin e Prishtinës 3 mijë e 224 euro, si dhe 1 mijë e 624 euro si ligjërues në kolegjin “Rezonanca”.

Sikur Haxhiu përfitime thuajse të ngjashme gëzon edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni. Mbi 400 mijë euro është vlera e pasurisë së tij, ku përfshihen banesa, shtëpia, lokali afarist e oborri. Quni ka deklaruar edhe dy vetura, një të tipit “BMW X5” 8 mijë euro, si dhe një “Mercedes” 3 mijë euro në pronësi të fëmijëve. Ai paguhet 21 mijë euro në vit nga Kuvendi. Por, pavarësisht kësaj page ka deklaruar të jetë edhe përfitues i një pensioni të TMK-së prej 3 mijë e 468 eurove.

Radha e përfitimeve të pensioneve nga deputetët nuk përfundon me kaq. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj ka bërë publike pasurinë e tij 500 mijë eurosh.

Demaliaj merr pagë mujore 8 mijë e 139 euro. Bashkë me pagën e tij përfiton edhe një pension invalidor prej 3 mijë e 828 eurosh. Demaliaj nuk është i vetmi përfitues pensioni në familjen e tij, bashkëshortja e tij gëzon pension veterani 2 mijë e 40 euro, si dhe prindi i tij pension të familjeve të dëshmorëve 5 mijë e 400 euro.

Pension nga shteti merr edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti, i cili ka të deklaruar pasuri prej 225 mijë eurosh. Për punën në Kuvend në vit Hoti paguhet 22 mijë e 523 euro, ndërsa pensioni i tij i TMK-së kap vlerën e 2 mijë e 634 eurove.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të vetmit që përfitojnë pensione në kurrizin e shtetit. Sikur ta të njëjtat përfitime i gëzojnë edhe ministra e ish-ministra. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha ka deklaruar pagë vjetore 14 mijë e 652 euro, pagë vjetore nga Qeveria 22 mijë e 817 euro, si dhe një pension vjetor nga FSK-ja 5 mijë e 736 euro. Vlera e pasurisë së Berishës arrin në 747 mijë euro, ku përfshihen tokat bujqësore, punuese, livadhet, arat e stani i drurit. Ministri e ka deklaruar edhe një pajisje bujqësore të 20 mijë eurove, si dhe një veturë të tipit “Toruan” 7 mijë e 500 euro.

Përfitime nga shteti gëzon edhe ish-paraardhësi i Berishës, Agim Çeku. Paga vjetore e tij nga Kuvendi, të cilën e ka deklaruar, vlente 24 mijë e 701 euro, ndërsa vlera totale e pasurisë plot 158 mijë euro. Çeku i ka në pronësi dy vetura, një të tipit “VW Touareg” të 10 mijë eurove, si dhe një “Ford” dhuratë prej një miku e që vlen 1 mijë e 500 euro. Me gjithë këto të ardhura Çeku përfiton edhe pensionin e TMK-së 6 mijë e 720 euro. Të paktën kështu bëhet e ditur në regjistrin e deklarimit të pasurisë së tij./ZËRI