Për 20 vjet asnjë investim i huaj

Ekonomia December 06, 2018 - 08:19
Lexo tjera detaje
Image

Për 20 vjet të pasluftës në Skenderaj, i cili para luftës njihej si qyteti industrial me 5 fabrika funksionale, nuk është realizuar asnjë projekt i rëndësishëm me investitorë të huaj. Qendra e Kompetencës (donacion i qeverisë së Norvegjisë) është projekti i vetëm, ndërkaq kanë dështuar investitorët sllovenë dhe ata britanikë, të cilët kishin premtuar mbi 30 milionë euro investime, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Skenderaj dikur njihej si qyteti industrial në Kosovë me pesë fabrika funksionale, të cilat punësonin mbi 3000 drenicas, ndërkaq tani 20 vjet pas përfundimit të luftës përballet me kapacitete të mangëta ekonomike. Investimet e huaja në komunën e Skenderajt kanë munguar, ndonëse ishin bërë përpjekje të realizoheshin disa projekte, ndër më të njohurit Parku Teknologjik dhe fabrika e sheqerit. Para luftës në Skenderaj ishin funksionale fabrika e tekstilit, fabrika e municionit të gjuetisë, fabrika e plastikës, fabrika e miellit dhe fabrika e materialit ndërtimor, ndërsa sot janë funksionale vetëm këto dy të fundit,  të cilat janë punëdhënëse të një numri të vogël të punëtorëve. Tri nga pesë fabrikat që i kishte dikur Skenderaj tanimë nuk janë funksionale. Fabrika e tekstilit “Vushtreks” është privatizuar dhe objekti i saj është rrënuar, fabrika e municionit të gjuetisë “Trepça” është shkatërruar krejtësisht, pasi paraprakisht e gjithë teknologjia e saj është vjedhur nga organet e dhunshme të Serbisë, ndërsa fabrika e plastikës është shndërruar në qendër tregtare pasi është privatizuar, ndërkohë blerësi i saj nuk ka përmbushur një prej kritereve kryesore të kontratës, që të paktën 5 vjet pas privatizimit të kryejë veprimtarinë që ka pasur përpara. 

LEXO EDHE: NATO-ja 'sulmon' ushtrinë

 15% e banorëve janë të varur nga ndihmat sociale

Mbyllja e këtyre tri fabrikave të mëdha e të rëndësishme për punësimin e qytetarëve të Skenderajt ka lënë pa të ardhura një numër të madh familjesh. Tani Skenderaj, ani pse ka numër të madh të fuqisë punëtore, përballet me papunësi e me varfëri të lartë. Rreth 15 për qind e banorëve të komunës së Skenderaj mbijetojnë me ndihma sociale. Ekonomia e Skenderajt mbahet nga bizneset, dyqane e pompa të karburanteve.  Rreth 70 për qind e popullatës së Skenderajt sigurojnë të ardhura nga bujqësia, kryesisht nga blegtoria dhe nga pemëtaria. E shpresë të madhe te banorët e Skenderajt kishin ngjallur dy projekte me investitorë të huaj, të cilët premtonin punësimin e një numri të madh të qytetarëve të Skenderajt, si dhe investime milionëshe. Por që të dyja këto projekte kanë dështuar dhe përderisa për njërin nga investitorët ishte dhënë një shpjegim, për investitorin tjetër, një kompani britanike, nuk kishte asnjë  njoftim se për ç’arsye kishte dështuar ta realizojë kontratën e lidhur me Komunën e Skenderajt. 

Në vitin 2008 Komuna e Skenderajt, e cila udhëhiqej nga Sami Lushtaku, kishte arritur një marrëveshje me kompaninë sllovene “Tehnopolis” për ndërtimin e Parkut Teknologjik. Komuna e Skenderajt kishte ndarë tokën për Parkun Teknologjik dhe investitori kishte premtuar se ai do të përfundonte brenda 15 muajve. Por gjithçka kishte dështuar, pasi sllovenët zvarrisnin punët dhe në fund kishin bërë të ditur se tërhiqen nga investimi. Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, duke parë, siç thoshte ai “mashtrimet e njëpasnjëshme të sllovenëve”, i kishte propozuar Kuvendit që ta shfuqizojë vendimin dhe ta anulojë kontratën. “Vendimi për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme komunale kompanisë sllovene ‘Tehnopolis LLC-Celje’ ishte marrë me qëllim që të krijohen mundësi për investime të huaja, si e vetmja mundësi për zbutjen e papunësisë, e cila ishte njëkohësisht edhe prioritet i Komunës. Me këtë vendim ishin hapur mundësi që në përputhje me Ligjin e Prokurimit dhe me Ligjin mbi Zonat Ekonomike ta kemi një zonë ekonomike të themeluar dhe gjithashtu ta kemi një projekt detaj të emëruar Parku Teknologjik për realizimin dhe për shfrytëzimin e të cilit Komuna kishte hyrë në marrëdhënie kontraktuale (Kontrata Nr. 351-495 e datës 24.09.2009) me ‘Tehonopolis LLC-Celje’ (Nr. i identifikimit 643-09-040611), Slloveni, kompani e cila nuk i përmbushi obligimet e përcaktuara me kontratë”, kishte shpjeguar kryetari Sami Lushtaku.

Sikur projekti për Parkun e Biznesit të realizohej, sipas kontratës, do të vendoseshin 33 biznese dhe do të punësoheshin 400 të rinj të komunës së Skenderajt.

Dështoi projekti me britanikët

Një projekt tjetër me investitor britanik gjithashtu ka dështuar të realizohet, ndonëse “kumbarë” i marrëveshjes dhe i kontratës së lidhur në mes të Komunës së Skenderajt dhe kompanisë britanike “DarkStar” ishte ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Conell. Kjo kompani, sipas kontratës, do të ndërtonte fabrikën e sheqerit në Dashevc të Skenderajt, ku Komuna ia kishte dhënë në shfrytëzim 11 hektarë tokë komunale. Kompania britanike “DarkStar” kishte premtuar se do të investojë 27 milionë euro për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Dashevc dhe se ndërtimi i objektit të fabrikës nuk do të zgjaste më shumë se 8 muaj. Britanikët gjithashtu premtuan se do të punësojnë 400 të rinj të komunës së Skenderajt dhe në mënyrë indirekte disa mijëra bujq të rajonit të Drenicës, të cilët do ta kultivonin panxharsheqerin për nevojat e fabrikës. Edhe kjo kontratë me britanikët është konkretizuar derisa kryetar i Komunës së Skenderajt ishte Sami Lushtaku, por realizimi i projektit ka dështuar pa u dhënë asnjë sqarim.

LEXO EDHE: Liberalizimi i vizave, Kosova me pritjet më të gjata

Ish-nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, në kërkesat e vazhdueshme të “Zërit” për të sqaruar rreth zvarritjeve të mëdha vazhdimisht kishte pohuar se projekti do të realizohet në kohën e paraparë, duke siguruar se britanikët nuk kanë hequr dorë nga projekti.

Në anën tjetër, i vetmi investim i huaj në Skenderajt për këto 20 vjet të pasluftës është Qendra e Kompetencës, një shkollë profesionale, investim i qeverisë norvegjeze dhe i MASHT-it. Shkolla si e tillë është e vetmja në Kosovë që ofron të gjitha profilet e ndërtimtarisë me standarde të Bashkimit Evropian, këtë mundësi e ka sepse ka staf të kualifikuar, punëtori dhe hapësira për mësim teorik e praktik. QK-ja në Skenderaj punon në koordinim me ekipin e ekspertëve norvegjezë në përpilimin  e planprogrameve, trajnimeve të mësimdhënësve, si dhe akreditimin e tyre në bazë të punës e të aktiviteteve që zhvillohen. Ky projekt me investitorë të huaj është realizuar në vitin 2010, derisa kryetar i Komunës së Skenderajt ishte Sami Lushtaku.

Ndërkaq kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, ka riaktualizuar ndërtimin e pendës në Kuçicë, duke sqaruar se për ndërtimin e saj janë të interesuar investitorët amerikanë, si dhe Parkun e Biznesit në Marinë. Por për një vit të qeverisjes së tij premtimet e tij kanë mbetur vetëm premtime./ZËRI