Rriten dukshëm shpenzimet e luksit

Rriten dukshëm shpenzimet e luksit

Ekonomia dhjetor 04, 2018 - 08:29
Lexo Detajet
Image

Gjatë muajit tetor të këtij viti vetëm Qeveria Qendrore për mallra dhe për shërbime ka shpenzuar 15.8 milionë euro nga 10.3 milionë euro sa ishin shpenzuar gjatë muajit tetor të vitit që lamë pas. Shpenzimet në këtë kategori buxhetore i ka rritur edhe qeverisja lokale, ku për këtë qëllim ajo gjatë muajit tetor ka shpenzuar 5.1 milionë euro nga 3.6 milionë euro sa i kishte shpenzuar gjatë muajit të njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Shpenzimet e institucioneve qendrore, por edhe të atyre lokale gjatë muajit tetor të këtij viti janë rritur dukshëm në raport me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se gjatë muajit tetor të këtij viti shpenzimet totale mujore të Qeverisë Qendrore kanë arritur në 129 milionë e 515 mijë euro derisa në tetor të vitit që lamë pas ato ishin 92 milionë e 692 mijë euro.

Lexo edhe Diplomacia në “rikuerc”
Aktuale dhjetor 04, 2018

Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë shihet qartë se shpenzimet gjatë tetorit të këtij viti janë 36.8 milionë euro më shumë sesa shpenzimet gjatë tetorit të vitit paraprak. Nga kjo shumë gjatë muajit tetor të këtij viti për paga janë shpenzuar 27.4 milionë euro derisa në tetor të vitit që lamë pas për këtë qëllim janë shpenzuar 25 milionë euro.

Po ashtu për mallra dhe shërbime gjatë muajit tetor të këtij viti sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shihet se janë shpenzuar 15.8 milionë euro e derisa në tetor të vitit paraprak për këtë qëllim u shpenzuan 10.3 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të MF-së shihet se në kategorinë buxhetore të identifikuar në raporti si “Subvencione e transferime” gjatë muajit tetor të këtij viti janë shpenzuar 41.6 milionë euro, nga 31.3 milionë euro sa ishin shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

43 milionë euro për investime kapitale

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti për investime kapitale janë shpenzuar 43 milionë euro derisa në muajin e njëjtë të vitit paraprak ishin shpenzuar për këtë qëllim 25.4 milionë euro. E në qeverisjen lokale gjatë muajit tetor të vitit 2018 për investime kapitale nga buxheti i shtetit janë paguar 15.5 milionë euro nga 14 milionë euro sa ishin shpenzuar në muajin e njëjtë të vitit 2017. Po ashtu për shpenzime komunale vetëm për muajin tetor Qeveria Qendrore ka shpenzuar 881 mijë euro derisa në muajin tetor të vitit 2017 për pagesa të shërbimeve komunale ishin shpenzuar 535 mijë euro. E në anën tjetër në qeverisjen komunale për shpenzime komunale gjatë muajit tetor të këtij viti u shpenzuan 1 milion euro nga 709 mijë sa ishin shpenzuar në muajin e njëjtë të vitit që lamë pas.

Për 10 muaj 16.2 milionë euro pagesa për interes bankar

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore kemi edhe rritje të dukshme të shpenzimeve në emër të interesit për borxh publik, ku nga muaji janar i këtij viti e deri në fund të muajit tetor të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 16 milionë e 241 mijë euro. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se për këtë qëllim gjatë muajit janar të këtij viti janë shpenzuar 785 mijë euro, gjatë muajit shkurt 1.8 milion euro, gjatë muajit mars 3.3 milionë euro, gjatë muajit prill 703 mijë euro, gjatë muajit maj 1.4 milion euro, gjatë muajit qershor 1.1 milion euro, gjatë muajit korrik 690 mijë euro, gjatë muajit gusht 2.1 milionë euro, gjatë muajit shtator 3.2 milionë euro, si dhe gjatë muajit tetor të këtij viti nga arka e shtetit janë paguar 903 mijë euro./ZERI