KEK-u: KEDS-i po i mashtron qytetarët, ata e kanë për obligim furnizimin me energji elektrike

Ekonomia November 27, 2018 - 13:29
Lexo Detajet

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas reduktimeve të fundit me rrymë në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës.

Institucioni përmes një komunikate ka thënë së qytetarët nuk mund të mashtrohen nga KEDS-i duke raportuar ata se sa janë kapacitetet prodhuese të termocentraleve të KEK-ut

Sipas tyre, KEDS-i po tenton të manipuloj opinionin publik pasi ata e kanë për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike pavarësisht kapaciteteve të KEK-ut.

Reagimi i plotë:

KEDS/KESCO po tenton t’i mashtroj qytetarët në vend qe t’i furnizoj me rrymë

Kompania e Distribucionit dhe Shitjes së energjisë elektrike, KEDS/KESCO ka përgjegjësi ligjore furnizimin 100 % të qytetarëve me energji elektrike.

Kjo në përputhje me kontratën e nënshkruar mes konsumatorëve dhe kompanisë.

KEDS / KESCO në vend se të përmbush këtë obligimet kontraktual, që saktësisht thuhet në Nenin 33, Pika 4 si dhe Nenit 34 Pika 2.8.2 të Ligjit për Energji Elektrike, vazhdon tentimet për të manipuluar opinionin publik përmes komunikatave për media dhe dezinformatave.

Pra, KEDS / KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, siç parashihet me ligj e ka obligim furnizimin e qytetarëve pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese vendore, pra të KEK-ut.

Këtë e ka sqaruar qartë para pak ditësh edhe institucioni shtetëror që rregullon këtë treg, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Prandaj sjellja e KEDS/KESCO, duke tentuar të manipuloj opinionin publik, përveç se po shkel rregullat e tregut, po bënë edhe veprime aspak korrekte dhe jo profesionale në raport me përgjegjësitë dhe obligimet që ka edhe ndaj KEK, si kompani kontraktuale.

Korporata Energjetike e Kosovës vazhdimisht raporton te institucionet kompetente dhe mediat për kapacitetet prodhuese.

Operatorët në treg sikurse edhe KEDS / KESCO dhe organi përgjegjës për rregullimin e tregut (ZRRE) e dinë që KEK në vazhdimësi është në përputhje të plotë me nominimet dhe njoftimet paraprake për të cilat jemi të obliguar t’i raportojmë 24/h me herët sa i përket kapaciteteve prodhuese.

Ndryshe, KEK-u në rrethanat kur dështon ta përmbushim obligimin e prodhimit të planifikuar brenda 24/h ka për obligim që me çmime jashtëzakonisht të larta të paguaj për sasinë devijuar.

Sasia tjetër e energjisë e nevojshme për konsum është obligim ligjor dhe përgjegjësi e KEDS / KESCO.

Ndryshe, siç e kemi cekur edhe me herët pikërisht për të pasur rrymë 24 orë është privatizuar distribucioni.

Përfundimisht qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mashtrohen me deklarata për media që lëshohen nga KEDS / KESCO duke raportuar se sa janë kapacitetet prodhuese të termocentraleve të KEK-ut.