Pak tregti Kosovë - Shqipëri

Ekonomia November 27, 2018 - 08:53
Lexo Detajet
Image

Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë arritur t’i largojnë barrierat tregtare mes vete. Vlera e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve po cilësohet tejet modeste nga njohësit e çështjeve ekonomike. Duke iu referuar shifrave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga janari i këtij viti deri më tani, Kosova ka importuar nga Shqipëria mallra në vlerën e 167 milionë eurove, derisa vitin e kaluar vetëm 127 milionë e vlera e eksporteve në këtë shtet është shumë më e vogël, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Importet e këtyre mallrave përfshijnë kryesisht industrinë ushqimore dhe atë ndërtimore. Kështu ka treguar për gazetën “Zëri” zyrtari për informim në Doganë, Adriatik Stavileci. “Derisa nga Shqipëria kemi importuar 167 milionë euro gjatë këtij viti kryesisht në industrinë ushqimore dhe atë ndërtimore, vitin e kaluar nga Shqipëria kishim rreth 127 milionë, pra kemi rritje të shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë”, ka treguar Stavileci.

Ndërkohë, Kosova deri më tani ka importuar nga Serbia mallra në vlerën e 381 milionë e 489 mijë e 375 eurove. Deri në vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe të Bosnjë e Hercegovinës nga kjo e fundit janë importuar mallra në vlerën e 68 milionë e 857 mijë e 153 eurove. Përfaqësuesit e bizneseve kosovare janë skeptikë se do të rritet bashkëpunimi me Shqipërinë, ndonëse thonë se kanë pritur intensifikim të bashkëpunimit pas ndërtimit të autostradës.

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka përmendur një mori të barrierave jotarifore me shtetin shqiptar. “Ne kemi pritur pas ndërtimit të autostradës të kemi intensifikim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Shqipërinë, për shkak se në të kaluarën kur vlerat e shkëmbimeve tregtare kanë qenë të vogla është menduar që autostrada ose infrastruktura është problem. Tash po shihet se nuk ka qenë problem vetëm autostrada, por kemi një mori çështjet tjera që lidhen me barrierat jotarifore kryesisht, por edhe me një mungesë të një komunikimi të rregullt, qoftë në nivel politik, qoftë ekonomik për të krijuar një gjendje ku mund të kemi më shumë besim dhe pastaj më shumë këmbime tregtare, por edhe investime të dyanshme”, është shprehur Rukiqi. Ai nuk është shprehur aq optimist nëse bashkëpunimet tregtare me Shqipërinë do të rriten viteve në vijim. “Realisht pritjet për bashkëpunim kanë qenë edhe më herët, nëse bazohemi në të kaluarën nuk mund të jem edhe shumë optimistë, por ne do të mundohemi në atë pjesën që na takon neve, në krijimin e odës bilaterale, që së paku do ta rrisim komunikimin dhe të identifikojmë qartë çështjen që pastaj t’i adresojmë bashkërisht”, ka theksuar në mes të tjerash përfaqësuesi i OEK-ut.

Takimet e përbashkëta mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në prag të 28 Nëntorit nuk po cilësohen si efektive.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, i ka thënë gazetës “Zëri” se është për keqardhje që takimet mes dy vendeve dhe marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë pasur ndonjë efekt në këtë aspekt. “Raportet tregtare ndërmjet Kosovës e Shqipërisë mbesin në nivele të ulëta pavarësisht investimeve që janë bërë në infrastrukturën rrugore me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave. Po ashtu është për keqardhje që as takimet e përbashkëta të qeverive dhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara nuk kanë pasur ndonjë efekt në këtë aspekt”, ka thënë Zeka. Më tutje ka përmendur edhe barrierat që janë vendosur ndërmjet takimeve të të dyja qeverive. “Përkundrazi, ka pasur barriera të tjera që janë vendosur ndërmjet takimeve të qeverive, siç është edhe taksa rrugore e cila rëndon mbi bizneset kosovare. Konkluzioni është që qeveritë pavarësisht vullnetit nuk mund të imponojnë bashkëpunimin pa vullnetin e bizneseve në të dyja shtetet e për ketë nevojiten takime më të shpeshta biznes me biznes”, ka rekomanduar drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës. Bashkëpunimin e ulët ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë e ka përmendur edhe eksperti i ekonomisë, Lekë Musa. Musa për gazetën “Zëri” ka thënë se ky bashkëpunim është në nivel të ulët për shkak të mosinteresimit të bashkëpunimit. “Bashkëpunimi është në nivel të ulët për faktin se nuk ka pasur interes për një intensitet më të lartë të bashkëpunimit. Pse Kosova dhe Shqipëria të mos kenë deri më tani një organ të përhershëm të zyrtarizuar për çështje tregtare dhe ekonomike. Një institucion i tillë do të mundë të bëhet me rrotacion nga të dyja qeveritë në formë ministrie dhe çfarëdo mase legjislative e cila do të propozohej nga një institucion i tillë do të duhej aprovuar në të dyja parlamentet”, ka theksuar ai. Sipas tij, me këto ligje do të rregullohej fusha e ekonomisë deri të arrihet një pikë ku nuk do të kishte tregje të ndara, por vetëm një unik. “Këto ligje do të duhej të rregullonin fushën e ekonomisë dhe gjithçka tjetër që shkon si kontribut në stimulimin e bashkëpunimit tregtar derisa të arrihej në një pikë ku nuk do të kishte më dy tregje, por ky do të ishte si treg unik, duke qenë si një treg prej 6 milionë banorësh. Ne do të jemi shumë më atraktivë pastaj edhe për investitorët e huaj, sepse të gjithë do të na konsideronin si një vend”, ka përfunduar në mes të tjerash ai.

Ngritje modeste i quan vlerat e këmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa. Ai ka përmbledhur shifrat e bashkëpunimit ekonomik, por sipas tij vëllimi tregtar prej 210 milionë eurosh mbetet modest. “Një vëllim tregtar i gjithmbarshëm prej rreth 210 milionë eurosh ende mbetet në përmasa modeste dhe prapa nevojave e sidomos mundësive. Lobet e importit ende gjejnë mënyra që të krijojnë pengesa për rritjen e vëllimit të këmbimit tregtar midis dy vendeve. Përmasat ende modeste të këmbimit tregtar midis dy vendeve shihen edhe nga struktura e mallrave që tregtohen. Aty ka hapësirë për shumë më shumë mallra konsumi – ushqimore dhe të tjera. Pritjet për rezultatet nga takimet e kaluara kanë qenë shumë më të mëdha”, ka shpjeguar Mustafa për gazetën “Zëri”. Ai ka thënë se mbledhja e djeshme e përbashkët e dy qeverive ishte konkrete për heqjen e barrierave tarifore e jotarifore. “Mbledhja e sotme ishte konkrete për heqjen e gjithë barrierave tarifore e jotarifore (dokumentacioneve e barrierave burokratike) në vitin që vjen. Të dyja vendet duhet të punojnë që të zbatohet unioni doganor midis tyre, të identifikojnë projektet me interes nacional që sforcojnë natyrën komplementare të burimeve në energji, në bujqësi, në turizëm e të ngjashme. Autostrada e kombit bëri ndryshimin epokal në krijimin e mundësive”, ka përmendur më tutje. Sipas tij, një kompletim bëhet me hekurudhën Milot - Prizren. “Kjo duhet të kompletohet edhe me hekurudhën Milot - Prizren. Ky duhet të jetë investim i përbashkët dhe Kosova duhet të marrë pak më shumë barrë sesa do t’i takonte me kilometra në territorin e saj, pasi që ky projekt në një trase të re gati në tërësi është nga Miloti deri në Morinë dhe pastaj nja 20 kilometra deri në Prizren nga aty. Ky në këtë moment është projekti më strategjik kombëtar me efekte shumë të mëdha popullsive. Ai rrit aftësinë konkurruese të dy ekonomive dhe ul varësinë nga të tjerët. Hezitimi dhe vonesa e tij do të thotë shumë oportunitete të humbura”, ka theksuar në mes të tjerash. Ndryshe, kujtojmë se vlera e importit nga shteti serb, ndonëse ishte në rritje, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të këtij vendi ka filluar të zvogëlohet./ZERI