Haradinaj: Gjilani asnjëherë nuk ka qenë më i përkrahur me buxhet dhe me projekte

Haradinaj: Gjilani asnjëherë nuk ka qenë më i përkrahur me buxhet dhe me projekte

Ekonomia nëntor 17, 2018 - 17:03
Lexo detajet!

“Në të kaluarën është menduar se nuk do të ketë kondicion Qeveria, buxheti, që t’i përcjell disa projekte me rëndësi. Meqë jemi në Gjilan, në Anamoravë, ju siguroj  se asnjëherë në historinë e vet Komuna e Gjilanit dhe as kjo trevë nuk ka qenë më e përkrahur me buxhet dhe me projekte”.

Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi inspektoi punimet e Autostradës “Prishtinë-Dheu i Bardhë”, e njohur si auto-rruga e Gjilanit, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, zëvendësministri Rexhep Kadriu, deputetë dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi të gjithë punëtorët dhe punë kryesit që po punojnë pandërprerë për përfundimin e kësaj autostrade.

“Nga dinamika e punëve po shihet se punimet do të kryhen me kohë, apo edhe më shpejt sesa që është menduar. I përgëzoj edhe punë-kryesit, punëtorët në përgjithësi dhe falënderoj ministrin e Infrastrukturës Lekaj, zëvendësministrin Kadriu dhe gjithë të tjerët për punën që bëjnë”, tha kryeministri Haradinaj.

Segmenti që sot ka vizituar kryeministri Haradinaj ka një gjatësi mbi 22 kilometra, ndërsa Autostrada ‘Prishtinë-Dheu i Bardhë’ do të jetë e gjatë 51 kilometra.

Ky projekt  financohet nga Qeveria e Kosovës.