Dyshime për keqpërdorime në kontratën milionëshe për autostradën Prishtinë - Gjilan

Dyshime për keqpërdorime në kontratën milionëshe për autostradën Prishtinë - Gjilan

Ekonomia nëntor 16, 2018 - 08:21
Detajet
Image

Lëvizja “Fol” të enjten ka bërë publike gjetjet nga monitorimi i kontratës milionëshe për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë. Një varg dyshimesh për keqpërdorim janë evidentuar nga kjo organizatë në ecurinë e procesit të ndërtimit të autostradës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kontrata milionëshe për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë po dyshohet për keqpërdorime të mëdha. Të paktën kështu po alarmojnë përfaqësuesit e lëvizjes “Fol”, të cilët përmes kërkesës zyrtare për qasje në dokumente publike kanë arritur të sigurojnë të dhëna për procesin në tërësi.

Mungesa e theksuar e transparencës, e planit të prokurimit, vonesat në fillimin e punimeve sipas kushteve të kontratës, dyshimet rreth kohëzgjatjes së punimeve, vonesat në procesin e shpronësimit dhe lejimi i ndërrimit të pronësisë së parcelave në zonat kadastrale të prekura nga shpronësimi janë vetëm disa gjetje që “Fol” ka hetuar gjatë analizës së kontratës.

Gjetjet u bënë publike nga përfaqësuesi i kësaj organizate, Elbasan Racaj. Ai tregoi në fjalën hyrëse se mungesa e transparencës së Ministrisë së Infrastrukturës i ka shtyrë të vlerësojnë kontratën nga fillimi për të parë se ku janë destinuar 88 milionë eurot e buxhetit.

“Mungesa e transparencës nga MI-ja na ka shtyrë të vlerësojmë kontratën nga fillimi për të parë ku po shkojnë 88 milionë eurot e buxhetit. Ne kemi gjetur se procesverbali i hapjes së tenderit dhe i prokurimit nuk janë të njëjta”, ka thënë në fjalën hyrëse Racaj.

Më tej ai ka bërë edhe një përmbledhje të kontratës duke filluar me ecurinë e procesit.

"Projekti është i ndarë ne 8 lote dhe arrin shifrën prej 88 milionë eurosh. Punimet kanë filluar në maj, kompanitë ankohen se punimet janë  vonuar si rezultat i mungesës së shpronësimit", ka shtuar ai.

Në mes tjerash në raport është përmendur edhe fakti se Ministria e Infrastrukturës nuk ia ka ofruar organizatës gjithë dokumentin e kërkuar.

“I gjithë procesi rreth ndërtimit të kësaj autostrade është përcjellë me mungesë të theksuar të transparencës. Ofrimi i pjesshëm i dokumenteve të kërkuara nga Ministria e Infrastrukturës në kuadër të ndërtimit të autostradës shton dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mosqasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës”, bëhet e qartë në raport.

Mungesën e transparencës nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës në këtë projekt e ka përmendur edhe drejtoresha ekzekutive e lëvizjes “Fol”, Mexhide Demolli-Nimani. Si gjetje e rëndësishme përmendet edhe fakti se gjatë vlerësimit të procesverbaleve, ai i hapjes dhe i E-Prokurimit, nuk kanë qenë të njëjta.

Procesi me mungesë të transparencës

Gjatë vlerësimit të procesverbaleve (procesverbali i hapjes dhe i E-prokurimit), të bazuara në dosjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës “Fol” ka gjetur se procesverbali i hapjes dhe ai i E-prokurimit nuk janë të njëjtë. Thuhet se në procesverbalin e E-prokurimit janë të regjistruara vetëm 15 kompani, ndërkaq në procesverbalin e hapjes, në të cilin janë të nënshkruar të gjithë operatorët ekonomikë, ofertues kanë qenë 27 kompani/konsorciume konkurruese.

Në raport bëhet e ditur se nga 27 operatorët ekonomikë sa kishin dorëzuar dosjen e tenderit për projektin “Ndërtimi i Autoudhës A7.1- Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) - Dheu i Bardhë - Pjesa: Kryqëzimi në Disnivel A6/A7.1 Banullë) - Udhëkryqi Bresallc L 22.31 km, 24 operatorë ekonomikë kishin konkurruar si konsorciume, ndërkaq si operatorë ekonomikë individualë ka pasur vetëm 1.

“Komisioni vlerësues gjatë vlerësimit të tenderit ‘Ndërtimi i Autoudhës A7.1 – Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) - Dheu i Bardhë - Pjesa: Kryqëzimi në Disnivel A6/A7.1 (Banullë) - Udhëkryqi Bresallc L 22.31 km, ka dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e secilës dosje për 16 operatorët ekonomikë jofitues, duke u bazuar në kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë”, theksohet në raport mes tjerash.

Ndërsa përmendet edhe fakti se komisioni vlerësues me të ekzaminuar të gjitha ofertat (27) duke iu referuar vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kishte kthyer në rivlerësim dhe në ekzaminim të gjithë ofertuesit, nga të cilët 3 operatorë ekonomikë ishin eliminuar për shkak të mosregjistrimit në E-prokurim.

Gjatë vlerësimit nga ky komision, nga 27 operatorët ekonomikë janë shpallur 15 si të papërgjegjshëm në të gjitha lotet, ndërkaq njëri nga këta 27 operatorët ekonomikë është shpallur i papërgjegjshëm vetëm për 2 lote.

LEXO EDHE: Rruga sekrete drejt INTERPOL-it

Ankesa për parregullsi në procesin e shpronësimit

Si probleme kryesore gjatë monitorimit u përmendën: mungesa e planit të prokurimit, dyshimet për kohëzgjatjen e punimeve dhe vonesat në procesin e shpronësimit. Për këto të gjetura nuk u interesuan zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, që pavarësisht se ishin të ftuar nuk qenë të pranishëm në diskutim.

Sefer Tasholli, nga komuna e Lipjanit, ka përmendur problemet që pritet t'u shkaktohen bujqve nga ndërtimi i autostradës me ndarje të pronës, duke aluduar se procesi i shpronësimit nuk ka shkuar në rregull.

“Pjesa kah Zhegovci është tokë pjellore dhe do të kemi probleme se buqëve do t'u ndahet prona. Shpronësimi nuk është bërë njësoj, por qytetarët brengosen se nuk është në rregull. Dikush ka blerë prona në momentin që e ka ditur kah do të kalojë autostrada në atë pjesë", ka thënë ai.

Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade është ndarë në tetë lote dhe arrin shifrën prej 88 milionë e 618 mijë e 511 eurosh. Kontratat janë nënshkruar gjatë muajit shkurt 2018 dhe të gjitha kontratat bëhet e qartë se kanë kohëzgjatje për përfundimin e punimeve prej 30 muajve. /ZERI