Kërkohen pensione të dinjitetshme për veteranët meritorë

Ekonomia November 10, 2018 - 16:18
Lexo detajet!

60 milionë e 571 mijë e 776 euro janë paraparë të ndahen për pensione të veteranëve gjatë vitit 2019. Rritja e shumës në 2 milionë euro më shumë për këtë kategori po kritikohet nga kryesuesit e Komisionit për Buxhet e Financa dhe nga ekspertët e ekonomisë. Ata po propozojnë caktim të pensioneve të dinjitetshme vetëm për veteranët e vërtetë, shkruan "Zëri". 

Ekspertët e ekonomisë po kërkojnë pensione të dinjitetshme vetëm për veteranët e vërtetët. Kështu ka propozuar eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa.

“Duhet të sigurohet një pension i dinjitetshëm për veteranët që janë të vërtetë, por nuk mund të rritet buxheti për veteranë të cilët edhe në institucionet juridike, në Prokurori dhe të gjithë komandantët po e shohin se në atë listë nuk ka aq shumë veteranë”, ka rekomanduar Mustafa në një prononcim për "Zërin". 

Ndërkohë veteranët e rremë, sipas tij, duhet të caktohen nga gjykata, komandantët e Komisioni.

“Prandaj të rrisim buxhetin për ata që janë vërtetë veteranë, por është e nevojshme të caktohet një buxhet i dinjitetshëm për veteranët e vërtetë. Veteranët e rremë duhet t’i caktojë gjykata, komandantët ose Komisioni”, ka pohuar njohësi i rrethanave ekonomike.

Prokuroria Speciale me të ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit deklaroi se nga pagesat e kundërligjshme deri më tani buxheti i shtetit është dëmtuar me hiç më pak se 68 milionë e 153 mijë e 14 euro. /ZERI