Komunave 'po u tepron' buxheti për investime kapitale

Ekonomia November 10, 2018 - 08:04
Lexo tjera detaje
Image

Pjesa dërrmuese e komunave të Kosovës gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti nuk kanë arritur të shpenzojnë as 50% të buxhetit për realizim të projekteve kapitale. Më së keqi në këtë drejtim qëndron Komuna e Mamushës dhe e Kamenicës, derisa më së miri me shpenzim të mjeteve për projekte kapitale qëndron Komuna e Mitrovicës dhe e Leposaviqit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Thuajse të gjitha komunat në vend gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë as gjysmën e buxhetit të paraparë për realizim të projekteve kapitale. Në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave (MF) shihet se gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti Komuna e Drenasit, e cila drejtohet nga Ramiz Lladrovci, ka arritur të shpenzojë vetëm 25 për qind të buxhetit të paraparë për këtë qëllim, ku nga 4.8 milionë euro të destinuara i ka shpenzuar vetëm 1.2 milion euro. Në këtë drejtim keq qëndron edhe Komuna e Fushë Kosovës, e cila udhëhiqet nga Burim Berisha. Sipas të dhënave zyrtare shihet se nga 6.3 milionë euro të parapara i ka shpenzuar vetëm 1.9 milion, ose 31% buxhetit të paraparë. Pak më mirë se këto të dyja qëndron Komuna e Lipjanit, e cila drejtohet nga Imri Ahmeti, ku nga 4.9 milionë euro të parapara i ka shpenzuar për nëntë muajt e parë të vitit 2.3 milionë euro, ose 46% të buxhetit të destinuar për këtë qëllim.

Komuna e Obiliqit shpenzoi vetëm 14% të mjeteve

Mjetet e destinuara për investime kapitale deri në fund të muajit shtator i ka shpenzuar shumë pak edhe Komuna e Obiliqit, e cila drejtohet nga Xhafer Gashi. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se nga 2.5 milionë euro të parapara për projekte kapitale deri në fund të tremujorit të këtij viti i kanë shpenzuar 346 mijë euro, ose 14% të buxhetit të paraparë për këtë qëllim. Po ashtu sa i përket shpenzimit të mjeteve të parapara për investime kapitale qëndron keq edhe Komuna e Podujevës, e cila drejtohet nga Agim Veliu. Sipas të dhënave të MF-së shihet se nga 6.7 milionë euro të parapara i ka shpenzuar vetëm 1.8 milionë euro, ose 27 për qind të buxhetit të paraparë. Me realizimin e projekteve kapitale ka ngecur edhe Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti. Në raportin nëntëmujor të buxhetit të Ministrisë së Financave shihet se nga 24 milionë euro të parapara për projekte kapitale deri në fund të periudhës raportuese të MF-së Komuna ka shpenzuar 8.8 milionë euro, ose 35 për qind të buxhetit të destinuar për këtë qëllim. Po ashtu edhe Komuna e Shtimes, e cila drejtohet nga Naim Ismajli, për nëntë muaj ka shpenzuar 730 mijë euro, nga 1.8 milion euro sa i ka të parapara me buxhetin e vitit 2018.

Komuna e Mamushës shpenzoi 1% të buxhetit

Thuajse më së keqi në nivel vendi me shpenzim të buxhetit për realizim të projekteve kapitale qëndron Komuna e Mamushës. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se kjo komunë për nëntë muaj ka arritur të shpenzojë vetëm 1 për qind të buxhetit të paraparë për realizim të projekteve kapitale, ku nga 776 mijë euro të parapara janë shpenzuar vetëm 7627 euro. Po ashtu edhe Komuna e Graçanicës për nëntë muaj ka shpenzuar për projekte kapitale vetëm 1.5 milion euro nga 4.2 të parapara me buxhet. Komuna e Dragashit gjatë kësaj periudhe raportuese ka shpenzuar për nëntë muaj për projekte kapitale 1 milion euro nga 3 milionë euro sa i ka të parapara. Komuna e Prizrenit sipas të dhënave për nëntë muaj për realizim të projekteve kapitale ka shpenzuar 8.9 nga 20 milionë euro të destinuara, derisa Komuna e Rahovecit ka shpenzuar 2.4 nga 4.5 milionë euro të parapara me buxhet. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se edhe Komuna e Suharekës për 5.7 milionë euro të parapara për nëntë muaj i ka shpenzuar vetëm 1.9 milion euro, derisa Komuna e Malishevës në këtë drejtim qëndron paksa më mirë, ku nga 4.3 milionë euro të parapara i ka shpenzuar 2.2 milionë euro.

Komuna e Leposaviqit shpenzoi 78% të buxhetit për projekte kapitale

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se Komuna e Leposaviqit është kampion sa i përket shpenzimit të mjeteve për projekte kapitale gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2018, ku nga 2.3 milionë euro të destinuara janë shpenzuar 1.8. Edhe Komuna e Mitrovicës, e cila drejtohet nga Agim Bahtiri, nuk qëndron keq në këtë drejtim pasi që nga 3.7 milionë euro ka shpenzuar 2.8 milionë euro për projekte kapitale të parapara me buxhet. Gjithashtu Komuna e Pejës gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti për investime kapitale ka shpenzuar 4.4 milionë euro nga 6.9  milionë euro sa i ka të destinuara me buxhet. Po ashtu Komuna e Gjakovës, e cila drejtohet nga Ardian Gjini, për nëntë muaj ka shpenzuar 3.3 milionë euro nga 8 milionë euro të destinuara. Komuna e Klinës sipas të dhënave të MF-së shihet se për nëntë muaj ka shpenzuar 905 nga 2.8 milionë euro të parapara, Komuna e Istogut ka shpenzuar 594 mijë euro nga 3 milionë euro të destinuara, derisa Komuna e Junikut për nëntë muajt e parë të vitit për investime kapitale ka shpenzuar 237 mijë euro nga 464 sa i ka të destinuara për investime kapitale me buxhetin e vitit 2018.

Komuna e Kamenicës shpenzoi 6% të buxhetit

Më tutje në raportin nëntëmujor të buxhetit shihet se Komuna e Skenderajt nga 3.6 milionë euro buxhet të destinuar për investime kapitale ka shpenzuar 2.6 milionë, ose 61% të buxhetit, derisa Komuna e Vushtrrisë nga 5.4 milionë euro buxhet të paraparë ka shpenzuar vetëm 1.3 milion euro, ose 25% të buxhetit. Po ashtu më tutje në raportin e MF-së shihet se Komuna e Zubin Potokut nga 2.3 milionë euro të parapara për nëntë muaj ka shpenzuar vetëm 860 mijë euro, Komuna e Mitrovicës Veriore nga 2.4 milionë euro ka shpenzuar 1.5 milion euro, derisa Komuna e Gjilanit nga 5.7 milionë euro të parapara ka shpenzuar 2.5 milionë, ose 44% të buxhetit të destinuar për këtë qëllim. Më tutje në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave thuhet se Komuna e Kaçanikut ka shpenzuar 673 mijë euro nga 1.8 milion euro të parapara, Komuna e Kamenicës 63 mijë euro nga 1 milion euro të parapara, Komuna e Novobërdës 214 mijë euro nga 518 mijë euro të parapara, Komuna e Shtërpcës 584 mijë euro nga 1.2 milion euro të parapara, si dhe Komuna e Ferizajt 7 milionë euro nga 9.9 të parapara me buxhetin e sivjetshëm.

Hani i Elezit për 9 muaj shpenzoi vetëm 201 mijë euro

Me shpenzim të mjeteve të destinuara për realizim të projekteve kapitale nuk qëndron mirë as Komuna e Hanit të Elezit, ku për nëntë muaj ka shpenzuar vetëm 17 për qind të buxhetit të paraparë për sivjet, ku nga 1.1 milion euro janë shpenzuar vetëm 201 mijë euro. Po ashtu edhe Komuna e Kllokotit gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti ka shpenzuar vetëm 136 mijë euro për projekte kapitale nga 465 mijë euro sa kanë qenë të destinuara, derisa Komuna e Ranillugës nga 806 mijë euro ka shpenzuar vetëm 170 mijë euro, ose 21% të buxhetit të paraparë për sivjet për projekte kapitale e Komuna e Parteshit ka shpenzuar 60 mijë euro nga 246 të parapara. Vonesa të realizimit të projekteve kapitale vërehen edhe në Komunën e Vitisë, ku nga 2.2 milionë euro të destinuara janë shpenzuar 867 mijë euro, ose 38 për qind të buxhetit të destinuar për sivjet./ZËRI