Ngec ndërtimi i rrugës që lidh mbi 20 fshatra
Foto: Laura Hasani

Ngec ndërtimi i rrugës që lidh mbi 20 fshatra

Ekonomia gusht 08, 2018 - 08:20
Lexo lajmet më të fundit nga vendi. rajoni dhe bota

Rreth 2 milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për asfaltimin e rrugës që lidh Vushtrrinë me fshatrat e komunës së Obiliqit, por ndonëse punimet kanë filluar në prill banorët ankohen se ato po zhvillohen shumë ngadalë, kështu që qarkullimi është vështirësuar edhe më shumë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga fillimi i punimeve në rrugën që lidh Vushtrrinë me fshatrat e komunës së Obiliqit, zvarritjet e mëdha, sipas banorëve, kanë goditur qytetarët e 21 fshatrave të Artakollit, të cilat gravitojnë në këtë rrugë pasi qarkullimi është vështirësuar edhe më shumë.

Rreth 2 milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për asfaltimin e rrugës që lidh Vushtrrinë me fshatrat e komunës së Obiliqit, por ndonëse punimet kanë filluar në prill ato po zhvillohen shumë ngadalë, kështu që është vështirësuar edhe më shumë qarkullimi nëpër këtë rrugë.

LEXO EDHE: Kërkohet reformë për ta luftuar korrupsionin në prokurim

Qeveria e Kosovës ka ndarë për këtë vit, me destinimin për ndërtimin e rrugës, e cila është ndërtuar dhe ka qenë e asfaltuar qysh në kohën e Titos, rreth 600 mijë euro, por megjithëse mjetet janë dhënë, punët në këtë fazë ende nuk janë kryer dhe gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Nëpër këtë rrugë, nëpër të cilën vështirë kalohet sidomos gjatë reshjeve, qarkullojnë  edhe automjetet që vijnë nga Skenderaj e të cilat vazhdojnë për në Obiliq dhe në Prishtinë. Kjo rrugë gjithashtu lidh fshatrat e Artakollit me fshatin serb të Prelluzhës, në të cilin është instaluar Komuna Paralele e Vushtrrisë.

Për t’u lidhur me autorrugën Prishtinë – Mitrovicë duhet kaluar nëpër Pestovë, por vonesat në ndërtimin e urës mbi lumin Silnica (projekt tjetër) gjithashtu kanë vështirësuar dhe kanë rrezikuar pjesëmarrësit në trafik.  

“Rruga me vështirësi kalohet sidomos gjatë të reshurave, sepse krijohen gropa që është zor për t’i kapërcyer pa e prishur veturën. Ne i kemi kërkuar Komunës së Vushtrrisë që të përkujdeset në mënyrë që projekti të realizohet me kohë e jo të ketë zvarritje deri në pafundësi. Është vështirë kur kemi të sëmurë dhe kur detyrohemi t’i dërgojmë në Emergjencë. Sidoqoftë besojmë se Qeveria Komunale dhe ajo Qendrore do të përkujdesen që puna të mos mbetet kështu. E dimë gjithashtu se ky është projekt i Qeverisë së Kosovës, por Komuna duhet të jetë gjithmonë këmbëngulëse që punët të kryhen”, thonë pothuajse me një zë banorët e kësaj ane, ndërkaq  Ferki Syla nga Mihaliqi, me gjithë vonesat shprehet i kënaqur që më në fund 40 fshatra të kësaj ane do ta kenë rrugën dhe do të lidhen me Obiliqin dhe me Prishtinën.

Ai ka thënë se rruga është duke u shtruar vetëm falë kryetarit të ri të Vushtrrisë Xhafer Tahirit, i cili, sipas tij, me të ardhur në krye të Komunës ka vënë në prioritet ndërtimin e kësaj rruge. “Me gjithë vonesat punët janë duke u kryer mirë dhe me cilësi, kanë filluar në dy sisteme në hyrje dhe këtu shumë mirë janë duke shkuar punimet. Ndërtimi i kësaj rruge ka peshë të madhe për banorët, sidomos të atyre fshatrave që ne i quajmë të Artakollit. Me rëndësi është që rruga po ndërtohet. Këtej kalojnë edhe punëtorët, nxënësit, por edhe e gjithë kjo streha e Qyqavicës dhe besoj që ka peshë të madhe, sidomos pasi këtë pjesë e lidh edhe me Obiliq, edhe me Prishtinë”, thotë ai.

Ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, duke folur për këtë rrugë gjatë një takimi që ka pasur me të parin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se mjetet janë siguruar dhe se rruga do të ndërtohet brenda afatit të paraparë prej 3 vjetësh. Tashmë jemi në vitin e dytë, ndërsa rruga pritet të përfundojë në vitin 2019.

“Sa i përket rrugës që lidh fshatrat e Artakollit, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe kemi filluar punimet. Mendoj se në afatin shumë të shkurtër do të kryhet ajo rrugë. Keni të drejtë kur edhe jeni skeptikë sepse nëse nisemi nga e kaluara janë stërzgjatur shumë projektet, mirëpo ju po e dini që me saktësi po i fillojmë dhe me saktësi po i përfundojmë. Edhe kjo rrugë në këtë mënyrë do të përfundojë, ka filluar mirë dhe do të përfundojë në kohën më të shkurtër të mundshme sipas kontratës”, ka thënë Lekaj, i cili nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar se kur do të mundë të përfundojnë punimet dhe rruga të përurohet.

Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka thënë se kjo është një prej rrugëve më të rëndësishme të komunës së Vushtrrisë. “Kjo është një prej rrugëve më të rëndësishme në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se lidh shumë fshatra të Qyqavicës dhe është një rrugë që do të hapë perspektivën e zhvillimit të atyre fshatrave. Do t’u mundësojë njerëzve të rrinë në shtëpitë e tyre, të zhvillohen atje, të kenë fermat e veta, të ndërtojnë familjet e veta dhe të kenë një qasje më të lehtë edhe me qytet, është një infrastrukturë moderne. Por gjithsesi i gjithë projekti do të përfundojë në vitin 2019 dhe do të hapë perspektivë, do të ketë edhe trotuar, edhe ndriçim në vendbanime dhe është një projekt shumë modern”, ka thënë Tahiri.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar zyrtarët komunalë të Vushtrrisë të hënën dhe ka marrë përgjigje se deri më tani janë kryer punët e parashikuara me projekt për fazën e parë e që janë shtrimi i zhavorrit në rrugë dhe zgjerimi i rrugës.

Islam Latifi, zyrtar komunal i Vushtrrisë, i tha “Zërit” se projekti duhet të përfundojë më 2019-n dhe se punët në realizimin e projektit janë duke shkuar sipas parashikimeve. “Ky është projekt që është financuar dhe menaxhohet nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa deri më tani janë kryer punët e zhavorrit dhe rruga është zgjeruar. Ky projekt zhvillohet në faza dhe aktualisht është duke shkuar sipas parashikimeve”, tha ai.

Me ndërtimin e kësaj rruge do të përfitojnë 21 fshatra të Artakollit, të cilat lidhen me autostradën Prishtinë – Mitrovicë e më tutje deri në Obiliq.