Kërkohet reformë për ta luftuar korrupsionin në prokurim
Foto: Driton Bublaku

Kërkohet reformë për ta luftuar korrupsionin në prokurim

Ekonomia gusht 08, 2018 - 08:03
Lexo lajmet më të fundit nga vendi. rajoni dhe bota

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me programin e USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse (dje) publikoi Indeksin e Transparencës në Prokurimin Publik, shkruan gazeta "Zëri".

Me rastin e publikimit të këtij indeksi u kërkua reformë në fushën e prokurimit publik për ta luftuar korrupsionin. Në mes të tjerash është apeluar që komunat të bëjnë publike kontratat në uebfaqe dhe të organizojnë dëgjime publike njëkohësisht.

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i cili qe edhe pjesëmarrës në lansimin e këtij raporti, kërkoi nga kryetarët e komunave që të marrin sa më seriozisht thirrjet e lansimit të raportit. “Reforma në prokurim është qenësore për luftimin e korrupsionit. Prokurimi i hapur mundëson fushë të barabartë për sektorin privat aty ku sundon ligji, kjo mund t’i ndryshojë rrënjësisht investimet me vendet e juaja. E dimë se ka shumë komuna që janë mbrapa sa u përket kërkesave për prokurim publik”, është shprehur Delawie.

LEXO EDHE: Thellohet problemi i Asociacionit

Në anën tjetër, Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka prezantuar në tërësi detajet e këtij raporti. Mangësitë e komunave u theksuan në publikimin e buxhetit dhe dëgjimeve publike. “53% e komunave nuk e kanë publikuar buxhetin. Kemi vetëm 21 për qind të komunave që publikojnë planin e prokurimit në uebfaqen e komunave. 

Kemi vetëm 21 për qind të komunave që publikojnë planin e prokurimit në uebfaqen e komunave. Sa u përket dëgjimeve publike komunat me numrin më të madh janë: Prishtina, Vitia, Gjilani e Gjakova”, ka sqaruar në mes të tjerash ajo. Si trend negativ është vlerësuar publikimi i dokumenteve të prokurimit në uebfaqet e komunave, sipas së cilave komunave u mungojnë kapacitetet për planifikimin e prokurimit dhe konsultimet me qytetarët në proces të planifikimit. Ulje thuhet të jetë shënuar në numrin e kërkesave të pranuara për qasje në dokumente publike në vitin 2017. “Numri i përgjithshëm i kërkesave të parashtruara për vitin 2016 ishte 1.080 (duke mbuluar 34 komuna që kanë raportuar), derisa kjo shifër për vitin 2017 bie me 939, që shënon një ulje prej 13 për qind”, ka shpjeguar Metushi-Krasniqi.

Kritike u vlerësua fusha e prokurimit publik nga drejtori ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu me të prezantuar fjalët hyrëse të përmbajtjes së këtij indeksi. Më tej Kryeziu tregoi se qëllim kryesor i indeksit është vlerësimi i punës së kryetarëve të komunave. “Indeksi ka për qëllim të faktojë gjendje faktike dhe t’u shërbejë komunave për të parë punën e juaj dhe për të parë shembuj të mirë. Viti 2017 ka qenë vit zgjedhor dhe ka bërë që të jetë vit jo i përkushtuar. Kemi tri raste që i kanë hapur kontratat”, ka treguar kreu i këtij institucioni. Komunat e Kosovës ende vazhdojnë të jenë të mbyllura në aspektin e ofrimit të transparencës dhe llogaridhënies, sidomos në ofrimin e qasjes në dokumentet publike.

Sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Rozafa Ukimeraj, e cilësoi si sfidë transparencën e punës në institucione lokale. Duke sqaruar se 9 komuna nuk kanë ofruar qasje në dokumente zyrtare. “Gjatë  vitit 2017 komunat kanë mbajtur mbi 50 takime me qytetarë, por mbetet ende punë për të bërë. Evidentimi se 9 komuna s’kanë ofruar qasje në dokumente është jo e mirë për transparencën”, është shprehur shkurt Ukimeraj. Me qëllim të ofrimit të transparencës, kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri thotë se i ka suspenduar 32 punëtorë nga Komuna.

Megjithëse Haziri konsideroi si problematike mungesën e stafit të mjaftueshëm, duke theksuar se është komuna e tretë që publikon kontratat dhe do të vazhdojë të jetë e qasshme në këtë mënyrë për publikun. “Kërkoj funksionalitet të OSHP-së. Jemi komuna e tretë që publikojmë kontratat. Do të vazhdojmë të publikojmë të gjitha dokumentet që parashihen këtu. Problemi i dytë është zyra për marrëdhënie me publikun, e cila s’ka kapacitete të mjaftueshme. S’kemi zyrtarë për përkthim në gjuhën serbe së paku, s’po flasim për angleze”, ka potencuar kreu i Gjilanit.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri premtoi se do të fillojnë menjëherë me publikimin e kontratave, duke u renditur në listë si e katërta që ndërmerr këtë iniciativë. Pjesëmarrës në këtë organizim ishin edhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, kryetarë komunash të tjera, shoqëria civile e mediet. /ZERI