Serbia investon mbi 2.5 milionë euro për ndërtesa banimi për serbët e veriut

Ekonomia August 02, 2018 - 08:45
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, i cili të mërkurën ka dorëzuar kontratat për 24 banesa, për të cilat qeveria e Serbisë ka investuar 57 milionë dinarë (518 mijë euro), ka thënë se janë siguruar edhe 226 milionë dinarë ose mbi 2 milionë euro edhe për 6 njësi banesore, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Qeveria e Serbisë ka vazhduar të investojë në veri të Mitrovicës në ndërtimin e objekteve të larta të banimit për të siguruar strehim për familjet serbe me probleme të strehimit,  për çifte të sapokurorëzuara, për familje të zhvendosura në Serbi dhe për kuadër deficitare.

Deri më tani në këtë vit qeveria e Serbisë nëpërmes Zyrës për Kosovën ka investuar 57 milionë dinarë (518 mijë euro) për 24 banesa, ndërsa deri në fund të vitit do të ndërtohen edhe 80 banesa. 24 banesa të reja janë ndërtuar në “Lagjen e Boshnjakëve” me qëllim që të popullohen me serbë për t’ia ndryshuar strukturën etnike kësaj lagjeje, në të cilën kryesisht jetojnë shqiptarë dhe boshnjakë.

LEXO EDHE: Gjendja në “Trepçë”, e pandryshueshme

Kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, ua ka dorëzuar të mërkurën kontratat për 24 banesa përfituesve në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ndërsa siç ka thënë ai, deri në fund të këtij viti edhe 80 familje serbe do të bëhen me banesa.

Ai ka sqaruar se për 24 banesa, që janë ndërtuar në “Lagjen e Boshnjakëve”, qeveria e Serbisë ka investuar 57 milionë dinarë ose 518 mijë euro, ndërsa konstatoi se tashmë janë siguruar edhe 226 milionë dinarë (mbi 2 milionë euro) për ndërtimin e 6 objekteve të larta të banimit. Sipas tij, deri në fund të vitit 80 familje serbe do të bëhen me banesa të reja. 

“Ky projekt është realizuar me mbështetjen e shtetit të Serbisë. Me mbështetjen e shtetit në periudhën e kaluar janë ndërtuar 200 njësi banesore (banesa). Problemet e banimit të shumë familjeve janë zgjidhur, por edhe më tutje po ndërtohen objekte banimi. Gjendja momentale është e rëndë dhe e papërballueshme, por ne kemi dëshmuar se mund të qëndrojmë, se duam me mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe të kryetarit tonë të qëndrojmë dhe të funksionojmë në hapësirat e qytetit tonë dhe në Kosovë”, ka thënë Spiriq, duke ua dorëzuar kontratat për banesa 24 familjeve serbe, të cilat tani e pas do të jetojnë në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku janë vendosur edhe shumë familje serbe, pothuajse nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe nga Serbia, në më shumë se 12 soliterë që Serbia i ka ndërtuar në këtë lagje. Spiriq ka shtuar se ky nuk është fillimi, por vazhdimi i punës dhe i ndërtimit, sepse “deri në fund të vitit do të ndërtohen edhe 80 banesa”.

“Kjo është shpresë për të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të përfitojnë banesa në rrethin e parë. Do të përpiqemi që t’u mundësojmë të gjitha çifteve të reja të kurorëzuara dhe njerëzve që janë të vendosur të qëndrojnë të gjithë së bashku në hapësirat e Kosovës, që në mbështetje të shtetit të Serbisë të sigurojmë kulm mbi kokë”, ka shtuar Spiriq.

Duke folur para gazetarëve, Spiriq është përqendruar edhe te ngjarjet aktuale politike, duke siguruar se secila zgjidhje është më e mirë sesa status quo-ja e tashme.

E në mënyrë që t’u ikën parregullsive eventuale është paralajmëruar se Drejtoria për Hapësira të Banimit dhe Hapësira Afariste do t’i kontrollojë në vazhdimësi të gjitha banesat që jepen në shfrytëzim.

Sipas “Radio Kontakt Plus”, në veri të Mitrovicës ka nisur ndërtimi edhe i gjashtë objekteve të larta të banimit në lokacione të ndryshme. Vlera e këtij projekti, mjetet për të cilin i ka siguruar qeveria e Serbisë, nëpërmes Zyrës për Kosovën është 226 milionë euro, ose 2.054.545 euro. Në këtë mënyrë do të sigurohet kulm mbi kokë për një numër më të madh të familjeve serbe, për raste sociale dhe për çifte të reja të sapokurorëzuara. /ZERI