Gjendja në “Trepçë”, e pandryshueshme

Ekonomia August 02, 2018 - 08:31
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ndonëse minatorët e “Trepçës” kanë ndërprerë grevën, vetëm atëherë kur ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka premtuar se të gjitha kërkesat e punëtorëve të “Trepçës” do të zgjidhen brenda tre muajve, Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i përmbushur kërkesat. Grupet punuese dhe të ekspertëve ende nuk janë formuar ndonëse afati i fundit ka qenë 24 korriku, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, i cili kryesohet nga Ardian Syla, ka hasur në kundërshtim të minatorëve të “Trepçës”, por edhe të menaxhmentit aktual, ndonëse që nga fillimi ka bërë përpjekje që ta normalizojë gjendjen e rëndë në “Trepçë” në të cilën ndodhet pothuajse që nga përfundimi i luftës. Menaxhmenti i vjetër i “Trepçës” që udhëhiqej nga Ahmet Tmava gati dy vjet është përpjekur ta bindë Qeverinë e Kosovës që ta formojë Bordin Mbikëqyrës, i cili pastaj zgjodhi Bordin Menaxhues, por Qeveria e Ramush Haradinajt ka vepruar vetëm atëherë kur Tmavës i kishte kaluar mandati. Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, i cili kryesohet nga Ardian Syla, me të filluar së funksionari ka emëruar ushtrues të detyrës së drejtorit zëvendësin e Ahmet Tmavës Miftar Hysenin, i cili ka dalë përkrah kërkesave dhe në një vijë me minatorët e “Trepçës”, që në Bordin Mbikëqyrës përfaqësohen nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.

LEXO EDHE: Institucionet, edhe 2.6 milionë euro për xhipa luksozë

Ky i fundit kishte paralajmëruar Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet se minatorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk përfshihen në draftstatutin, të cilin kërkuan që të kthehet në pikën zero, do të thotë një draftstatut tjetër, në të cilin do të përfshiheshin kërkesat e punëtorëve të “Trepçës”, madje edhe ato të karakterit social.

“Ne kemi dalë me katër kërkesa, përkatësisht Ligji për ‘Trepçën’ të kthehet prapa dhe të bëhet plotësim-ndryshimi i atij ligji, i cili nuk na jep hapësirë t’i fusim të gjitha kërkesat tona në draft, draftstatuti i hartuar nga Bordi i ‘Trepçës’ të kthehet në pikën zero, kërkesat e minatorëve të rregullohen me ligj dhe paralelisht me atë ligj dhe me statut të shkohet në një pako dhe të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesa e katërt është se fizibiliteti për ‘Trepçën’ është i papranueshëm për neve dhe kemi kërkuar që të bëhet një fizibilitet i ri”, ka sqaruar kryetari i SP-se së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku. 
Por me këto kërkesa nuk ishin pajtuar anëtarët e Bordit të “Trepçës”, të cilët kishin kërkuar që kërkesat e punëtorëve të zgjidhen nëpërmes rregulloreve.

“Shumica e anëtarëve të Bordit dhe Qeveria e Kosovës vlerësojnë se çështjet sociale nuk duhet të futen në statut, por të rregullohen përmes formave ligjore. Edhe unë jam për zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve, por në këtë fazë përmbushja e tyre nuk është në të mirë të ‘Trepçës’ e as të punëtorëve, pasi ka kosto të lartë buxhetore. Nxjerrja e statutit dhe miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës i hap rrugë regjistrimit të ndërmarrjes ‘Trepça’ dhe fillimit të funksionalizimit”, ka sqaruar kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, i cili insiston që të hartohen statute, në mënyrë që Ligji për “Trepçën” të mundë të zbatohet.
“Bordi nuk ka njohuri për minierat, nuk janë futur fare në statut burimet rreth minierës, ato as nuk janë hulumtuar. Bordi është krejtësisht politik, ata njerëz janë të partive politike. Ata janë pajtuar me draftstatutin e unë nuk jam pajtuar. Na rrezikon shumë Bordi që është krejtësisht politik. U detyruam të hyjmë në grevë, sepse kërkesat tona nuk përfilleshin”, ka thënë Sadiku. 
Ai ka përkujtuar se Qeveria e Kosovës ka tre muaj kohë që të merret me kërkesat e minatorëve të “Trepçës”. Ndonëse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se greva është ndërprerë dhe prodhimi ka vazhduar, gjendja në “Trepçë” vazhdon të jetë e njëjtë. 
Menaxhmenti aktual përballet me vështirësi të mëdha financiare, por edhe me vështirësi në procesin e prodhimit për shkak të teknologjisë së stërvjetruar. 
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka siguruar se brenda tre muajve do të zgjidhen kërkesat e punëtorëve të “Trepçës”. Sipas tij, ai me kryetarin e SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” dhe me Këshillin Grevist kanë nënshkruar marrëveshje 6-pikëshe me të cilën fillon trajtimi i të gjitha kërkesave të minatorëve të “Trepçës”. Ministri Lluka, kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni, dhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Gazmend Abrashi, janë pajtuar që me propozimin e menaxhmentit aktual të “Trepçës” Qeveria të vendosë që vendburimi Zjaça të hiqet nga zonat e interesit të veçantë, të formohet një grup ndërinstitucional i ekspertëve, i cili duhet të ofrojë propozimin që në kuadër të ndërmarrjes “Trepça” të përfshihen edhe asetet fizibile, të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në Projektstatutin e Ndërmarrjes dhe formimin e një grupi punues që do të ofrojë zgjidhje për kërkesat sociale që kanë minatorët e ndërmarrjes, të cilat duhet të trajtohen me ligj të veçantë.

Sipas marrëveshjes, grupet punuese dhe të ekspertëve do të formohen më së largu deri më 24 korrik. Gazeta ka mësuar në ndërkohë se ende nuk janë formuar grupet punuese dhe të ekspertëve, ndonëse ka kaluar 24 korriku dhe në këtë mënyrë edhe më tutje situata rreth “Trepçës”, posaçërisht rreth trajtimit të kërkesave të punëtorëve të “Trepçës” mbetet edhe më tutje e paqartë. /ZERI