Të punësuar në institucione, marrin ndihma sociale!

Ekonomia July 13, 2018 - 07:49
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Të punësuarit në Kosovë nuk mjaftohen vetëm me punën e tyre, por ata po presin edhe në radhët e të varfërve vetëm që të përfitojnë ndihma sociale nga shteti. 788 persona në marrëdhënie pune kanë përfituar kundërligjshëm ndihma sociale në vlerën e 71 mijë e 977 eurove nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) vitin e kaluar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është në dijeni se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit mijëra euro, duke paguar kundërligjshëm ndihma sociale për personat e punësuar.

LEXO EDHE: LDK-ja me dy qëndrime për zgjedhjet

Por, në këtë institucion nuk posedojnë shifra konkrete të personave që i kanë larguar nga listat e përfitimit, ashtu siç janë bërë publike dëmet mijëra euroshe të buxhetit nga pagesat e gabuara.

Gazeta “Zëri” i ka kërkuar të dhëna të detajuara këtij institucioni për numrin e personave që janë larguar nga listat e shfrytëzimit të ndihmave sociale, por nuk ka marrë përgjigje specifike.

Në përgjigjen me shkrim të MPMS-së thuhet se çdo muaj listat e përfituesve nga skemat e ndryshme që paguhen nga shteti krahasohen me të dhënat e AdministratësTatimore të Kosovës (ATK) dhe Trustin Pensional të Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, të gjithë personat që figurojnë si të punësuar automatikisht largohen nga listat e përfituesve të skemave.

“Problemi lidhur me këto pagesa qëndron te koha e deklarimit të pagesës së tatimeve dhe kontributeve, e cila bëhet më vonë. Nëse një përfitues i skemës është në listën e përfituesve për muajin qershor, ndërkohë po në qershor është angazhuar diku si i punësuar, kur krahasohet lista me ATK-në ky person nuk figuron si i punësuar në muajin qershor, pasi që deklarimi i tatimeve dhe kontributeve në ATK bëhet më vonë gjatë korrikut ose në tremujorin, rrjedhimisht është shumë e vështirë që në tërësi të shmangen këto pagesa”, sqarojnë në MPMS.

Mjafton identifikimi i këtyre rasteve që personat joligjorë të largohen nga listat e përfitimit. Kështu theksohet më tutje në përgjigjen e Ministrisë.

“E njëjta gjë veprohet edhe me pagesën e pensioneve, ku çdo muaj listat e përfituesve krahasohen me listat e Agjencisë së Regjistrit Civil (ARC) dhe me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për t’u siguruar që vetëm pensionistëve që janë gjallë është duke iu vazhduar pagesa e pensioneve”, thuhet në mes tjerash në përgjigje.

Ministria insiston se në vazhdimësi është duke punuar për të bërë përmirësime në menaxhimin e skemave dhe për të intensifikuar bashkëpunimin me institucione të tjera, për të gjetur mënyra sesi të parandalohen përfitimet e paligjshme nga personat e ndryshëm.

Kritika për Prokurorinë

Njohësit e sistemit ligjor në Kosovë kanë drejtuar një varg kritikash për Prokurorinë e Shtetit në trajtimin e këtyre rasteve. Riza Smaka i ka thënë gazetës “Zëri” se kjo çështje ka elemente të veprës penale, duke e cilësuar si vepër juridiko-penale.

“Është një akt në kundërshtim me moralin shoqëror me ligjet në fuqi. Edhe morali cenohet dukshëm edhe ligji në fuqi. Kjo çështje është juridiko-penale. Ne kemi Prokurori. Do të duhej që prokurorët këtë rast ta trajtonin, sepse ky është një abuzim. Ia shoh për të madhe Prokurorisë se edhe këtë rast nuk e procedon e ka shumë raste të tjera. Kur nuk kemi pasur prokurori e gjykata kishim ëndërr për ta pasur sistemin gjyqësor tonin, por tani nuk është në nivel të efikasitetit të duhur dhe ky është një problem serioz”, ka deklaruar ndër të tjerash Smaka.

Por, në Prokurorinë e Shtetit (PSH) nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës nëse kanë filluar hetimet e këtyre rasteve pavarësisht pyetjeve të dërguara në e-mailin zyrtar.

Njësoj kanë vepruar edhe në Ministrinë e Financave për implikimet buxhetore të këtij vendimi. Ata kanë rekomanduar që pyetjet të drejtohen në Ministrinë e Punës.

“Ju lutem që për këtë çështje të kërkoni përgjigje në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në përgjigjen e zakonshme të Ministrisë së Financave, e cila i kalon kompetencat në institucione të tjera. Veprimet e tilla në kundërshtim me ligjin i ka komentuar edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj i ka thënë “Zërit” se skema sociale është e ngarkuar shumë, duke nënkuptuar kështu efektet negative në buxhet.

“Ligji nuk e lejon personin të marrë ndihma sociale kur një anëtar i familjes punon. Skema sociale është e ngarkuar shumë dhe kuptohet që ka efekte negative në buxhet”, ka theksuar ajo.

Kalaja: Përfitim abuziv i shfrytëzimit të mjeteve joligjore

Shfrytëzimi i ndihmave sociale nga skema sociale nga personat që janë në marrëdhënie pune tregon për gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Kështu ka vlerësuar drejtori i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit, Fidan Kalaja.

Kalaja në një përgjigje me shkrim për gazetën, duke komentuar këtë çështje, ka thënë se ky është një indikator që një person me një pagë mujore si në sektorin privat, ashtu edhe publik nuk mund të mbulojë shpenzimet mujore të tij dhe të familjes së tij.

“E dyta ka të bëjë me persona, ku edhe pse statusi i tyre ekonomik është i mirë ata përfitojnë nga këto skema në mënyrë abuzive duke shfrytëzuar mjete joligjore. Ndërsa sa i përket funksionalitetit të institucioneve kjo tregon më së miri që ekziston nivel i ultë i efikasitetit dhe koordinimit të institucioneve në dy nivele”, ka shpjeguar Kalaja.

Ai ka drejtuar kritika edhe për koordinimin e institucioneve në krijimin e sistemit institucional, i cili do t’i parandalonte dhe do t’i luftonte këto dukuri, si dhe pamundësinë e institucioneve për luftimin e informalitetit në Kosovë.

Pagesat e gabueshme të Ministrisë

Të vdekurit në Kosovë nuk janë të vetmit që gëzojnë pensione nga shteti i tyre. Sikur për ta, gabimisht janë kryer mbi 7 mijë pagesa në shumën e 921 mijë eurove për njerëzit që janë në punë e realizojnë të ardhura të tjera personale. Njerëzit e punësuar kanë përfituar edhe ndihma sociale nga shteti. Madje vlera e këtij gabimi nëse krahasohet me vitin 2016 është rritur në 515 mijë e 570 euro. Kjo është e gjetura tjetër që Auditori ka hasur në Ministrinë e Punës.

“Nga krahasimi i regjistrave ndërmjet MPMS-së dhe ATK-së kemi konstatuar se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve nga persona të cilët punojnë ose që realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit për ketë vit ishte 921.022 euro, që po që se e krahasojmë me vitin paraprak është rritur për 515.570 euro. Kjo ka ndodhur për shkak se Ministria në momentin e pagesës nuk e kishte informatën se përfituesi ka punuar në muajin përkatës, pasi që deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datën 15 të muajit vijues”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ka pasur edhe prej personave të punësuar që nuk kanë hezituar të marrin as ndihma sociale e as pensione veteranësh. 788 pagesa janë kryer nga Ministria për personat e punësuar, përfitues edhe të ndihmave sociale në vlerën e 71 mijë e 977 eurove.

Veç tyre, janë keqpërdorur edhe pensionet për persona me aftësi të kufizuara (PPAK) dhe pensionet e “Trepçës”.

Edhe te kjo pikë Auditori konstaton se dëmtohet buxheti i shtetit. “Përfitimi i pensioneve dhe i ndihmave sociale nga persona të punësuar është në kundërshtim me ligjin, si dhe shkakton pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit”, qartësohet më tutje