Komisioni për Buxhet lut Kuvendin t’i reduktojë shpenzimet e udhëtimeve dhe drekave

Ekonomia July 04, 2018 - 13:30
Lexo detajet

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2018, i cili u miratua me 6 vota pro dhe një abstenim.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se duhet të reduktohen shpenzimet për udhëtime dhe mëditje.

“Për subvencione shuma 25 mijë euro është shumë e lartë. Për udhëtime zyrtare deputetët i kanë bërë 21 mijë euro për mëditje, në anën tjetër të stafit të administratës janë 23 mijë euro, si mundet që të ketë shpenzime më shumë administrata sesa deputetët për udhëtime zyrtare. Një drekë e Kuvendit kushton 250 euro, nuk po mundem me kuptu qysh mundet një drekë me kushtu kaq shumë. Ju lutem t’i reduktoni këto shpenzime”, tha ai.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se shpenzimet e Kuvendit janë bërë me vendime paraprake.

“Çdo shpenzim është bërë në bazë të një vendimi paraprak. Në tremujorin e parë, subvencione kanë shkuar për një zyrtar tonin me nevoja të veçanta, gjithashtu është subvencion për një tjetër individ me nevoja të veçanta. Kemi memorandum bashkëpunimi me pagu qiranë e OJQ-së Toka, kemi subvencion për organizatën “TIKA” kemi një tjetër për organizatën ‘Ballkan Smile’ dhe KMDLNJ, kjo është me vendim të qeverisë”.

Ai tha se kryetari i Kuvendit të Kosovës ka 14 këshilltarë dhe paga e tyre është 1040 euro, raporton Ekonomia Online.

Naser Osmani tha se janë të paarsyeshme shpenzimet në restorante nga kuvendi.

“Disa shpenzime janë bërë kryesisht më një ose dy restorante. Nuk ka mundësi atje mu bo shpenzime për nevoja të vendit, sepse është në qoshe të Kosovës. Të gjitha faturat në atë restorant në Brod janë të pakuptimta”.