Këtë javë rikthehet prodhimi në “Ferronikel”

Ekonomia July 04, 2018 - 07:59
Lexo detajet

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka thënë se nuk ka më asnjë arsye për të mos filluar me prodhimin në “Ferronikel”, pasi që menaxhmenti ka kryer të gjitha obligimet ndaj punëtorëve dhe se e gjithë teknologjia tashmë është përgatitur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Prodhimi në “Ferronikel” pritet të rifillojë deri në fund të kësaj jave, ndërsa të gjithë punëtorët e “Ferronikelit”, 820 sa janë, mezi presin të rifillojnë punën, e cila është ndërprerë pikërisht nga ata.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, i tha “Zërit”, të martën, se nuk ka më asnjë arsye të mos fillohet me prodhimin, pasi që të gjitha obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktuesve të fabrikës janë përmbushur.

LEXO EDHE: Në Kosovë janë 1572 deponi ilegale të mbeturinave

Ndërkaq edhe menaxhmenti i “Ferronikelit nëpërmes një njoftimi ka bërë të ditur se prodhimi në “Ferronikel” do të kthehet në fund të qershorit ose më së largu në fillimit të korrikut.

Por meqenëse në fund të qershorit nuk ka filluar puna në “Ferronikel”, atëherë punëtorët me të drejtë presin që kjo të ndodhë këtë javë.

“Nuk ka më asnjë arsye që të mos fillohet me prodhimin. Punëtorët janë të gatshëm për të punuar sepse tanimë nuk kanë asnjë problem e problemi i pagave ka qenë problem më i madh. Kanë mbetur të paguhet vetëm edhe gjysma e pagës e muajit qershor”, ka thënë Nika.

Ai tha se punëtorët do të punojnë sikurse edhe deri më tani, në tri ndërrime. Njëjtë sikurse Nika ka thënë edhe menaxhmenti i “Ferronikelit” nëpërmes një njoftimi.

Sipas menaxhuesve të “NewCo Ferronikeli”, planifikohet që fabrika të rifillojë prodhimin deri në fund të qershorit ose më së largu deri në fillim të korrikut.

“Të gjithë punëtorët do të punojnë rregullisht në tri ndërrime dhe pagesa e pagave do të vazhdojë të bëhet në mënyrë të rregullt. Pagat e majit janë paguar, ndërsa ka mbetur të paguhet edhe pjesa tjetër e pagës së qershorit”, ka njoftuar menaxhmenti i “Ferronikelit”.

Menaxhmenti i “Ferronikelit” beson se më nuk do të vijë në pozitë që prodhimi në “Ferronikel” të ndërpritet, përkundrazi është shprehur i bindur se do të ketë qëndrueshmëri afatgjate dhe stabile.

Gjiganti më i madh ekonomik kosovar pas “Trepçës”, “Ferronikeli”, për një kohë të gjatë është duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare, ndonëse prodhimi në “Ferronikel” nuk është ndalur, përveç në rastet kur këtë e ka kërkuar menaxhmenti i “Ferronikelit”, më tepër për remontin e furrave elektrike dhe të teknologjisë, ndërsa së fundi punëtorët ishin ata që kishin ndalur punën dhe i kishin dhënë ultimatum menaxhmentit të “Ferronikelit” se nuk do t’i kthehen punës pa u kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktuesve të fabrikës e që janë rreth 200.

Në anën tjetër ka zëra që qarkullojnë, sipas të cilëve “Ferronikeli” tashmë është shitur nga pronarët dhe se pronari i ri këtij gjiganti ekonomik është një kosovar, por nuk lakohet  ndonjë emër.                                                                                                                      

Ndryshe, rreth 820 punëtorë dhe rreth 200 kontraktues të fabrikës “Ferronikeli” ka tre muaj që kanë ndërprerë punën. Kjo për shkak se pronarët e kësaj kompanie nuk i kishin kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktuesve, respektivisht nuk i kishin paguar 30 për qind të pagës së muajit shkurt.

Se prodhimi ishte ndalur për shkak të mospagesës së pagave e kishte konfirmuar edhe kreu i Sindikatës së “Feronikelit” Fehmi Nika, i cili kishte thënë se ndërprerja ka ardhur si pasojë e mospagesës së pagave.

“Prodhimi është ndalur pasi që kompania nuk ka kryer obligimet ndaj punëtorëve. Pra, mospagesa e 30-përqindëshit të muajit shkurt ndaj punëtorëve dhe kontraktuesve.

Pagesa nuk është kryer dhe prodhimi është ndalur”, pati thënë Nika.

Në “Ferronikël” ishte ndërprerë prodhimi edhe në prillin e vitit 2016 dhe për rreth 6 muaj fabrika ishte përballur me krizë të madhe. Atëherë i ishin bërë disa kërkesa Qeverisë së Kosovës që duhej plotësuar për të rifilluar prodhimi. Ish-kryeministri Isa Mustafa kishte vizituar “Ferronikelin” dhe ishte dakorduar që t’i plotësojë kërkesat.

Ngjashëm sikurse Mustafa, edhe kryeministri aktual Ramush Haradinaj ka vizituar “Ferronikelin”, ka biseduar me sindikalistët dhe ka premtuar se do t’ia paguajë 2 milionë euro “Ferronikelit” në formë të rimburësimit.

Pikërisht kjo ka bërë që menaxhmenti i “Ferronielit” të sigurojë mjete për t’i kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktuesve.

“Janë kryer, nuk ka më obligime ndaj punëtorëve, edhe teknologjia është përgatitur për të rifilluar me prodhimin, presim që deri në fund të javës të nisë”, ka ripërsëritur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika.