Zbulohet raporti konfidencial i ‘plaçkës’ 53 milionë euro

Ekonomia June 13, 2018 - 16:39
Mësoni më shumë shumë detaje

Skandali më i madh financiar, i konsiderua si plaçkitje e 53 milionë eurove nga arka e shtetit, në emër të penalltive për vonesat në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, është përmbledhur në një raport të klasifikuar si “Konfidencial”.

Gazeta Fokus, ka siguruar këtë dokument ku figurojnë shifrat marramendëse të arsyetimeve qe i ka bërë kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka” për ta rritur çekun në 53 milionë euro.

Detaje të pagesave të miratuara edhe nga Qeveria e Kosovës, dëshmojnë se si është paguar për një makineri gurëthyese për pesë muaj rresht nga 2,573 euro në ditë pa punuar fare, e që në total faturuar ka shkuar në afro 1 milionë euro për dy të tilla.

Krejt kjo, në emër të neglizhencës se shtetit për të ndarë buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e Autostradë “Arbër Xhaferi”, në bazë të marrëveshjes me kompaninë punëkryese.

Faqe të tëra të raportit të siguruar nga Gazeta Fokus, përmbajnë detaje të korrespodencave mes zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës e drejtuesve të kompanisë për “pazarin” e autostradës.

Fryerje të faturave në shifra qindra mijëra euro dyshohet se ka në mallra dhe shërbime, ushqime të personalit, sigurim të objekteve dhe gjëra të tjera. Disa prej të cilave shpenzime koti.

Të dhënat e detajuara dëshmojnë se si vetëm për një makinë asfalti është kalkuluar shpenzimi ditor 180 euro e që totali qe i është faturuar buxhetit të shtetit në emër të shpenzimit vetëm të kësaj makine ka shkuar në hiq më pak se 40 mijë euro.

Ndërsa në shifra milionëshe, kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” ka arsyetuar shpenzimet e personelit menaxherial, të cilët sipas dëshmive në dokument është dashur të presin alokimin e mjeteve të nevojshme nga buxheti i shtetit.

Vetëm këta menaxher “Bechtel-Enka” ja ka faturuar shtetit 16.6 milionë euro.

Kurse në total për pajisjet që nuk kanë punuar për më pak se një vit, si penallti shtetit i janë faturuar 30.8 milionë euro, plus kësaj edhe 10 milionë euro të tjera për ndërprerje të punës për periudhën paraprake që përfshin vitin 2014-2017.

Gazeta Fokus, nga nesër do të publikoi në detaje raportin konfidencial të “plaçkës” së 53 milionë eurove./Gazeta Fokus/