Pasuri milionëshe e kryetarit të Pejës

Ekonomia June 12, 2018 - 23:47
Lexo detajet

2 milionë e 445 mijë euro është vlera e deklaruar e pasurisë së paluajtshme e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Krahasuar me vitin e kaluar, kryetari i Pejës këtë vit ka deklaruar një veturë më shumë, të blerë 16 mijë euro dhe dy kredi në vlerë 44 mijë euro.

Muhaxheri vitin e kaluar kishte deklaruar si të hyra vjetore 9 mijë euro nga qiraja, kurse këtë vit ato nuk janë deklaruar fare.

LEXO EDHE: Ky është ministri milioner i Nismës Social Demokrate

Si të hyra vjetore janë deklaruar vetëm paga e tij si kryetar Komune dhe paga vjetore e bashkëshortes së tij.

Katër shtëpi dhe katër toka janë vlerësuar 2 milionë e 445 mijë euro nga kryetari i Komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri, në deklarimin e tij të pasurisë se paluajtshme.

Në deklarimin vjetor të pasurisë se kreut të Komunës se Pejës, tri shtëpi dhe tri toka janë të  deklaruar të trashëguara, kurse një tokë është blerë në vitin 2012 në vlerë prej 25 mijë euro, kurse dy vite me vonë ka deklaruar se ka blerë një shtëpi dhe tokë në vlerë prej 40 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, Muhaxheri ka deklaruar dy vetura, njërën në vlerë prej 10 mijë euro të blerë në vitin 2013, kurse tjetrën vitin e kaluar në vlerë prej 16 mijë euro.

Gazmend Muhaxheri i ka deklaruar 20 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa paga vjetore e tij si kryetar Komune është 15 mijë e 40 euro.

Paga vjetore e bashkëshortes së tij është 19 mijë e 701 euro.

Kryetari i Pejës këtë vit po ashtu ka deklaruar se ka edhe dy kredi të marra, njërën 25 mijë euro për blerjen e tokës, ndërsa tjetrën për blerjen e veturës në vlerë prej 19 mijë eurove.

Të dy kreditë janë deklaruara si të marra gjatë vitit 2017. /Kallxo.com/