Buxheti i Mitrovicës së Veriut për vitin 2019, 6 milionë euro

Ekonomia June 12, 2018 - 10:20
Lexoni më shumë detaje

Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, ka thënë se buxheti është zvogëluar për 10 mijë euro në krahasim me vitin 2018 për arsimin dhe shëndetësinë, por ka siguruar se pagat e punëtorëve të arsimit dhe të shëndetësisë nuk do të rrezikohen, pasi që ato do të paguhen nga kategoria e investimeve kapitale, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Propozimi i parë i buxhetit për Komunën e Mitrovicës së Veriut për vitin 2019 është 6.042.381 euro.

Në krahasim me vitin 2018, buxheti i Komunës Veriore të Mitrovicës është zvogëluar për 10 mijë euro.

Është zvogëluar edhe projekti i buxhetit për tre vjetët e ardhshëm, shkruan më tutje "Zëri".

Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, ka njoftuar këshilltarët komunalë të Mitrovicës së Veriut se zvogëlimi i buxhetit ka të bëjë me fushën e shëndetësisë dhe të arsimit, në kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, gjë që bie në pikëpyetje mundësinë e pagesës së pagave dhe të mëditjeve për ata që kanë nënshkruar kontratat e punës në arsim dhe në shëndetësi.

“Megjithatë pagat nuk do të rrezikohen, sepse ato do të paguhen nga kategoria e investimeve kapitale. Në vitin 2019 do të kemi shumë më pak mjete kur bëhet fjalë për investimet kapitale. Me analizat tona, kur bëhet fjalë për investimet kapitale, për arsim na mungojnë 34 mijë euro, ndërsa për shëndetësinë sekondare 500 mijë euro, gjë që është një diferencë e madhe, sepse për këtë kategori kemi pasur në vitin 2018 gati 900 mijë euro”, ka sqaruar Hoxhiq, e cila ka shtuar se shkak për zvogëlimin e buxhetit për arsim, sipas Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, është zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkolla e me këtë edhe i numrit të punëtorëve.

Ajo tha se ky arsyetim nuk qëndron, pasi që sipas saj “tani kemi më shumë nxënës dhe profesorë sesa i ka llogaritur Prishtina”.

“Drejtoria për Financa me drejtoritë e tjera dhe me kryetarin do të bëjnë një propozim të ri, ku do të ndryshojë rishpërndarja që kemi marrë. Do t’ia përshtatim nevojat tona”, ka thënë ajo.

Komuna Veriore e Mitrovicës dy herë ka shpallur konkurs për pranimin e punëtorëve në arsim dhe në shëndetësi në Komunën Veriore dhe përveç mësimdhënësve dhe punëtorëve shëndetësorë me konkurs janë paraparë të pranohen edhe punëtorë administrativë në institucione shëndetësore dhe në shkolla.

Në konkursin e parë janë pranuar 168 punëtorë, ndërsa në konkursin e dytë edhe 78 punëtorë.

Shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës dhe njëkohësisht koordinatore e Zyrës Administrative të Kosovës në veri në një prononcim ka folur edhe për rikonstruktimin e rrugës “Ivo Llolla Ribar”, për të cilin do të investohen 400 mijë euro.

“Gjithçka sa i përket realizimit të këtij projekti po shkon sipas planit dinamik, aktualisht jemi në fazën e largimit të asfaltit të vjetër, hapjen e kanale të caktuara dhe verifikimin e gjendjes së trasesë nën asfalt. Vlera e projektit është afër 400 mijë euro, që nënkupton edhe ndërrimin e tubave të kanalizimit dhe rrjetit të ujësjellësit”, tha Hoxhiq.

Hoxhiq foli edhe për problemet që janë duke përcjellë realizimin e projektit, ndërsa siguroi se do të bëhen përpjekje për t’i riparuar edhe rrugët e tjera të qytetit.