Ministrave u 'lulëzon' biznesi

Ekonomia June 12, 2018 - 07:43
Mësoni më shumë shumë detaje

Ministrat e Qeverisë së Kosovës nëse nuk po tregojnë shumë sukses në punët shtetërore për një kohë të shkurtër kanë arritur rezultate impresive në bizneset e tyre private. Fitimet e deklaruara nga bizneset në formularët e deklarimit të pasurisë janë marramendëse, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shtëpi të shtrenjta, vetura luksoze, aksione në kompani brenda dhe jashtë vendit, por edhe shuma të mëdha parash të depozituara nëpër llogaritë e tyre private kanë deklaruar zyrtarët e lartë të shtetit në formularët e deklarimit të pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat janë publikuar të hënën (dje).

Duke u bazuar në formularët e AKK-së shihet se janë mbi 7 ministra në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj që krahas angazhimeve në Qeverinë e Kosovës njëkohësisht merren edhe me bizneset e tyre private.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka aktualisht është pronar dhe aksionar në katër kompani, ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli është aksionar në dy kompani, ministri i Arsimit Shqyëri Bytyqi është aksionar në një kompani, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se bashkëshorti i saj është pronar, respektivisht aksionar në dy biznese, ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo është pronar në një biznes, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli po ashtu ka në pronësi edhe kompaninë e tij private.

Me biznes familjar merret edhe ministri i Inovcionit Besim Beqaj.

Besim Beqaj, mbi 2.7 milionë euro pasuri

Besim Beqaj, aktualisht ministër i Inovacionit në Qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, prin sa i përket pasurisë në raport me ministrat e tjerë të kabinetit Qeveritar, pasi që pasuria që ai vetë e ka deklaruar arrin vlerën në mbi 2.5 milionë euro, pa i llogaritur këtu mbi 150 mijë euro para të gatshme në bankë.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ai ka deklaruar se ka në pronësi  shtëpi dhe truall në vlerë prej 232 mijë eurove, shtëpi familjare dhe truall në vlerë prej 500 mijë eurove, shtëpi familjare 250 mijë euro, tokë dhe mal 500 mijë euro, tokë dhe objekte afariste 1 milion euro, por edhe një sipërfaqe të tokës prej 3.7 hektarësh, për të cilën nuk ka e caktuar vlerën e që e ka blerë në vitin 2017.

Beqaj po ashtu në formular ka deklaruar se në pronësi ka edhe 2 vetura në vlerë prej 37.500 eurosh.

Po ashtu Beqaj në llogaritë e tij bankare ka të depozituara më shumë se 150 mijë euro.

Lluka, pronar i katër bizneseve

Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, po ashtu nuk qëndron keq me pasuri.

Në formularët e AKK-së Lluka ka deklaruar se në pronësi ka një  shtëpi të përfituar në vitin 2011, vlera e së cilës është 170 mijë euro.

Ai po ashtu në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se ka në pronësi një biznes, në dy është aksionar me nga 25 për qind, si dhe në tjetrën me 50%.

Ai është pronar në “Smart Farms”, “Dardanica Group”, “Bing Bang”, “BI Valoni”.

Lluka po ashtu ka deklaruar se në Bankën Ekonomike ka të depozituara vetëm 3 mijë euro, si dhe mbi 50 mijë euro borxhe.

Ismaili sivjet bleu banesë 135 mijë euro

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se ka në pronësi një banesë në vlerë prej 135 mijë eurosh, të cilën siç ka deklaruar ai vetë e ka përfituar në vitin 2018.

Po ashtu ai ka deklaruar se ka në pronësi edhe 3 ari tokë të blerë në vitin 2015.

Ismaili po ashtu ka deklaruar se është aksionar me 33 për qind në kafiterinë “Bon Vivant”, po ashtu me 33 për qind në  kafiterinë tjetër “Matisse”, si dhe 33 për qind në kompaninë tjetër “Printques”. Ismajli në llogaritë e tij bankare ka deklaruar se i ka të depozituara vetëm 467 euro, si dhe mbi 33 mijë euro kredi bankare.

Ministri i Drejtësisë në grupin e milionerëve

Keq me pasuri nuk qëndron as ministri aktual i drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se në pronësi ka patundshmëri mbi 1 milion euro.

Tahiri ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi banimi në vlerë prej 360 mijë eurosh, shtëpi banimi dhe lokale afariste në vlerë prej 400 mijë eurosh, tokë 288 mijë euro, ndërtim i shtëpisë malore 30 mijë euro, 6 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe 30 mijë euro kredi bankare.

Keq me pasuri nuk qëndron as ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. Ai në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se ka në pronësi tokë punuese 200 mijë euro, tokë dhe shtëpi 120 mijë euro, tokë bujqësore 300 mijë euro, arë 90 mijë euro, livadh 5 mijë euro, stan 32 mijë euro.

Ministër dhe biznesmen

Ministër dhe biznesmen njëkohësisht është edhe ministri i Arsimit në kabinetin qeveritar të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në AKK Shyqyri Bytyqi ka deklaruar se në pronësi ka  banesë 105 mijë euro, 2 troje në vlerë prej 32 mijë eurosh, shtëpi 110 mijë euro, si dhe dy troje tjera, të cilave nuk u ka dhënë vlerë.

Bytyqi po ashtu ka vetëdeklaruar se në pronësi ka dy vetura në vlerë prej 30 mijë euro, si dhe 50 për qind të aksioneve në kompaninë “Vala Consulting”.

Po ashtu ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha në formularët e pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit ka deklaruar një shtëpi familjare në pronësi të bashkëshortit 200 mijë euro, si dhe një tjetër në shumën e njëjtë, por të përbashkët.

Për veturën të cilën e vozit të tipit “Dacia Duster” është ende nën kredi, vlera e së cilës arrin në 16 mijë e 900 euro. Paga mujore e ministres është 1 mijë e 168 euro, ndërsa ajo merr mëditje verore 2 mijë e 573 euro.

Kurti, 85 mijë euro para të gatshme

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti po qëndron në nivel të njëjtë të pasurisë. Sikur viteve të kaluara, në formularët e pasurisë ai ka deklaruar vetëm 85 mijë euro para të gatshme të bashkëshortes në Oslo të Norvegjisë.

Sikurse Kurti, as nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti nuk ka lëvizur asnjë hap drejt zhvillimit të pasurisë. Pasuria e tij e deklaruar qëndron e njëjtë sikur viteve paraprake.

Dardan Sejdiu nga radhët e Partisë Socialdemokrate ka të deklaruar një shtëpi 140 mijë euro, si dhe banesë 85 mijë euro.

Ndërsa vetura që vozit kap shumën prej 15 mijë eurosh. Pasuri të majme po del të ketë nën pronësi edhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli.

Vetëm vlera e një shtëpie së tij kushton 570 mijë euro, ndërsa tjetra 180 mijë euro, të cilat thotë se i ka krijuar me punë.

Topalli para dy vjetësh kishte të deklaruar edhe një parcelë ndërtimi 100 mijë euro, e cila nuk figuron në regjistrin e pasurisë së tij aktualisht, pasi e ka shitur, por ende nuk i ka marrë paratë.

Duke iu referuar regjistrave të pasurisë së Antikorrupsionit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit i është zvogëluar pasuria.

Veseli në vitin 2016 kishte deklaruar dy banesa 226 mijë euro.

Por aktualisht kryetari i Kuvendit ka bërë publike vetëm banesën nën pronësi të gruas, që ka vlerë 97 mijë euro.

Veseli vozit veturën “Jeep”, 16 mijë e 300 euro.

Presidenti blen “Audi”

Presidenti i Kosovës ia ka shtuar luksin vetes. Nga vetura e tipit “Audi Q5”, të cilën e kishte deklaruar nën pronësi të bashkëshortes, Hashim Thaçi është ende në detyrime financiare për veturën e re “Audi A4”, të blerë gjatë vitit të kaluar në vlerën e 23 mijë eurove.

Pasuria e presidentit po rritet nga viti në vit. Vetura e vetme që ai kishte deklaruar ishte një “Audi Q5” në shumë të 15 mijë eurove.

Por, tani nën pronësi të përbashkët të familjes ata vozisin veturë të plotë 23 mijë eurove. Paga vjetore e presidentit kap shifrën e 32 mijë eurove.

Ndërsa mëditjet, 9 mijë e 968 euro. 

Ndryshe nga Thaçi, bashkëshortja e tij merr dy paga.

Njërën në universitetin “AAB”, ku paguhet 6 mijë e 500 euro dhe tjetrën për punën në Universitetin e Mitrovicës,14 mijë e 670.

Bashkëshortja e presidentit Lumnije Thaçi në maj të këtij viti u emërua prodekane në Universitetin e Mitrovicës.

Labinot Tahiri me tri vetura

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Labinot Tahiri, po del t’ia ketë parë hairin muzikës.

Thuajse të gjithë pasurinë që zotëron Tahiri e ka siguruar nga profesioni i tij i dikurshëm prej këngëtari. Tahiri në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar tokë në vlerë të mbi 445 mijë eurove, të cilat i ka trashëguar nga gjyshi dhe përmes përfitimeve muzikore.

Deputeti i AKR-së ka tri shtëpi të deklaruara.

Dy nga babai si pronë të përbashkët në vlerën e 270 mijë eurove, si dhe një nga përfitimet muzikore në shifrën prej 370 mijë eurove.

Atij muzika ia ka sjellë edhe tri vetura, të cilat nuk dihen cilit lloj i përkasin, përveç vlerës.

Një veturë që e ka deklaruar nën pronësi të bashkëshortes kushton 19 mijë euro. Vetura e tij që vozit në vlerë të 27 mijë eurove, si dhe një të përbashkët 6 mijë e 800 euro.

Të gjitha veturat e tij prejardhjen e pasurisë e kanë sërish nga muzika.

Teuta Rugova, trashëgimtare e milionave

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, është trashëgimtare e miliona eurove të pasurisë së përbashkët familjare.

Vetëm shtëpia e përbashkët e familjes Rugova kushton 1 milion e 500 mijë euro, ndërsa banesa 68 mijë euro.

Rugova vozit veturë të 25 mijë eurove, siç ka deklaruar në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Rugova merr pagë nga Kuvendi 18 mijë euro.

Bashkëpartiakja e Rugovës Vjosa Osmani tërë pasurinë thuajse e ka të deklaruar nën pronësi të bashkëshortit të saj. Osmani ka bërë publike pasurinë e saj në garazhe, banesa e parcele tokash.

Një banesë e papërfunduar nën pronësi të saj kushton 40 mijë euro, një parcelë toke 38 mijë euro, si dhe garazha e papërfunduar e 2 mijë e 500 eurove.