''Bashkimi doganor Kosovë-Shqipëri pengon integrimin ekonomik rajonal''

Ekonomia June 10, 2018 - 21:44
Mësojeni se kush thotë kështu

Zëvendëskryeministri serb njëherit edhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiq, është  takuar me ambasadorin francez në Serbi, Frederik Mondoloni.

Sipas mediave serbe, gjatë këtij takimi është diskutuar rreth bashkimit doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai ka thënë se bashkimi doganor mes këtyre dy vendeve është veprim i njëanshëm politik, përcjell lajmi.net.

“Bashkimi doganor Kosovë-Shqipëri është në kundërshtim me të gjitha përpjekjet drejt një hapësire të vetme ekonomike në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Ljajiq.

Sipas tij, ky veprim po pengon në masë të madhe integrimin ekonomik rajonal.

Rezoluta për unifikim doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë është miratuar në seancën e mbajtur të martën e kaluar në Kuvedin e Kosovës.

Ndërkohë, këshilltari Strategjik i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi unifikimin doganor Kosovë-Shqipëri e ka quajtur si çështje e vonuar, sipas tij Kosova dhe Shqipëria nuk do të duhej të kishin barriera.