Kryeqyteti pa parkingje publike, në ato private 1 euro një orë qëndrim

Ekonomia June 09, 2018 - 08:21

Mungesa e parkingjeve publike në kryeqytet po i detyron qytetarët që veturat e tyre t’i lënë në parkingje private, gjë e cila po i kushton buxhetit të tyre pasi parkimi për vetëm një orë në një prej parkingjeve publike në kryeqytet kushton prej 1 eurove e edhe më shumë. Më të pakënaqurit nga kjo gjendje janë qytetarët të cilët detyrohen që veturat e tyre t’i lënë në këto parkingje. “Është një gjendje shumë e keqe. Ka ndodhur që për tri orë më është dashur që ta parkoj veturën në një prej parkingjeve në kryeqytet dhe më janë kërkuar 3 euro. Çmimet janë shumë të larta dhe Komuna nuk po ndërmerr asgjë lidhur me këtë gjë”, ka thënë N.G., banore e Prishtinës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lidhur me mungesën e parkingjeve asamblistë nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se plani për parkingjet është duke u lënë në harresë nga kryetari i Komunës Shpend Ahmeti. Tutje ata kanë deklaruar se do të bëjnë presion për këtë gjë dhe se së shpejti do të thërrasin mbledhje të Kuvendit Komunal për t’u diskutuar kjo çështje. Në anën tjetër, edhe pse pas disa tentimesh për të marrë përgjigje zyrtarë kompetentë për këtë gjë nga  Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje.

Rrahmani: Ahmeti po tenton “kapjen” e “Prishtina Parking”-ut

Asamblisti dhe aksionari i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”, Eman Rramani, për “Zërin” ka deklaruar se në Prishtinë ekziston plani për parkingje, mirëpo i cili ka ngecur implementimi i tij për arsye të zgjedhjes së Bordit të kësaj ndërmarrjeje. “Në Komunën e Prishtinës ekziston një plan për rregullimin e këtij problemi, por mungon vullneti për t’u zbatuar ky plan. Dëshira e ekzekutivit të Komunës për të kontrolluar çdo ndërmarrje publike ka vonuar edhe zgjedhjen e këtij problemi. Që nga dhjetori kur edhe kam marrë mandatin e asamblistët kam kërkuar të fillohet me punën për zgjedhjen e këtij problemi”, ka thënë Rrahmani. Fajin për emërimin e këtij Bordi ai e ka hedhur te kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. “Disa muaj është vonuar kryetari Shpend Ahmeti me emërimin e aksionarët të tretë, pastaj pasi kemi filluar të merremi me funksionalizimin e ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’ aksionari i emëruar nga Shpend Ahmeti, në mënyrë tinëzare, të jashtëligjshëm, vazhdon afatin e konkursit për anëtarët e Bordit për shkak se siç duket nuk kanë mundur të aplikojnë në kohën e rregullt njerëzit e tyre. Kjo ka shtyrë prapë kohën e funksionalizimin të kësaj ndërmarrjeje”, ka vazhduar ai.

Sipas Rrahmanit, ky problem mund të zgjidhet në një afat kohor shumë të shkurtër nëse do të kishte vullnet nga ekzekutivi. “Arsye kryesore e vonesave është tentimi i kontrollit të kësaj ndërmarrjeje nga ekzekutivi. Ky problem që po rëndon shumë qytetarët mund të zgjidhet brenda një ose dy muaji, vetëm duhet vullnet dhe të mos ketë tendenca të kapjes së ndërmarrjeve nga ekzekutivi”, ka përfunduar ai.

Asamblistët: Shpendi po e lë në harresë çështjen e parkingjeve

Problemi i parkingjeve në kryeqytet po lihet në harresë nga kryetari Ahmeti. Këtë gjë për “Zërin” e ka deklaruar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi.

“Problemi i parkingjeve në Prishtinë është një ndër problematikat kryesore të kryeqytetit, mirëpo fatkeqësisht këtë mandat sikurse shumë punë të tjera edhe kjo çështje po lihet disi në harresë. Në fushatë sa ishte pjesë e Lëvizjes Shpendi i përmendi disa herë parkingjet si një ndër projektet kryesore të mandatit të dytë, mirëpo tash po duket me i interesuar që si kryetar i një partie t’i sulmojë partitë e tjera sesa të punojë në premtimet që ka bërë”, ka thënë Azemi. Ai tutje ka thënë që për këtë çështje do ta rrisin presionin te ekzekutivi. “Do ta rrisim presionin te ekzekutivi për këtë çështje, sepse gjithçka vetëm po zvarritet dhe nëse i nevojitet mbështetja e asamblistëve për këtë çështje do ta ketë pa dallime. Shpendi duhet të interesohet më tepër për problemet dhe për premtimet që ka bërë në komunën e Prishtinës”, ka thënë tutje ai.

Se problemi i parkingjeve është problem shqetësues e pranon edhe asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Leutrim Retkoceri. Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. “Problemi i parkingjeve në Prishtinë është njëri ndër problemet kryesore që ballafaqohen qytetarët e kryeqytetit. Si në qeverisjen e kaluar, ashtu edhe në këtë qeverisje kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është duke i dalë zot zgjidhjes së problemit të parkingjeve. Në vazhdimësi kemi premtime retorike se do të fillojnë punimet për krijimin e hapësirave për parkingje, por kjo po del të jetë vetëm njëri prej 100 premtimeve të parealizuara të kryetarit Ahmeti dhe qeverisjes së tij. Ne si Grup i PDK-së në Kuvendin e Prishtinës kemi kërkuar dhe do të kërkojmë që sa më parë të gjendet zgjidhja e problemit të mungesës së parkingjeve në Prishtinë. Për këtë çështje shumë shpejt do të kërkojmë të mbahet seancë e jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës - parkingjet në Prishtinë”, ka thënë Retkoceri.

Dedaj: Në Prishtinë mungon planifikimi hapësinor për parkingje

Sipas ekspertit të komunikacionit Nol Dedaj në Prishtinë mungon menaxhimi i qarkullimit të automjeteve dhe se zgjidhja për këtë çështje do të ishin projektet për parkingje. “Problemi tjetër shumë i rëndësishëm është transporti publik, infrastruktura rrugore e qytetit, parkingjet por kryesorja pas këtyre është menaxhimi i qarkullimit të automjeteve që te ne mungon ose është i nivelit të ulët. Në kuadër të planit urban të qytetit duhet të jenë edhe projektet për parkingje të modelit të hapur ose të mbyllur ”, ka thënë Dedaj. Mungesa e parkingjeve në kryeqytet dhe parkimi i veturave vend e pavend sipas Dedajt, paraqet një rrezikshmëri të lartë. “Mungesa e planifikimit hapësinor për parkingje është njëri prej elementeve urbane që paraqet një rrezikshmëri të lartë në komunikacion e sidomos rrezikshmëria rritet afër institucioneve publike siç janë shkollat fillore, të mesme, spitalet, çerdhet”, ka përfunduar ai./ZËRI