Edhe sivjet pa Karton të Gjelbër

Ekonomia June 09, 2018 - 08:11

Pavarësisht premtimeve të shumta, edhe sivjet Kosova si duket nuk do të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë nëpër vende të ndryshme të botës gjatë vizitës së sivjetme në Kosovë sërish do të duhej ta paguajnë “plaçkën” kufitare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryesuesit e delegacionit për Karton të Gjelbër ia kanë adresuar një kërkesë Qeverisë për mbulimin e shpenzimeve të mërgimtarëve në kufi, të paktën dy muaj, derisa të sigurohet polica ndërkombëtare për sigurimet kufitare, por ende nuk dihet vendimi i ekzekutivit lidhur me këtë çështje. Njohësit e fushës së sigurimeve tregojnë se pengesë vazhdon të mbetet mospërkrahja e vendeve që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Kështu po deklaron kryesuesi i delegacionit për Karton të Gjelbër, Rrahim Pacolli. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Pacolli tregon se gjasat e Kosovës për pajisjen me Karton të Gjelbër janë minimale deri në vitin e ardhshëm. “Nuk ka mundësi këtë vit, për arsye se nuk janë dakord të gjitha shtetet që nuk na kanë njohur si shtet për të na përkrahur për të hyrë në Karton të Gjelbër. Para disa ditësh kam kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë shpenzimet për mërgimtarët, ndoshta vitin tjetër mund të pranohet. Nuk e di a e shqyrton Qeveria këtë kërkesë”, ka thënë Pacolli.

Deklaratat e përditshme për këtë çështje ai thotë se po bëhen për fushatë, për shkak se ky problem është më i ndjeshëm duke pasur parasysh faktin e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga Spanja dhe nga Greqia. “Ata që po dalin çdo ditë po flasin për Karton të Gjelbër, ajo më shumë është fushatë. Nuk besoj dhe nuk ka mundësi. Ne duhet të pajtohemi gjithë shtetet se Kartoni i Gjelbër është pak i ndjeshëm, nuk mund të vendosë vetëm shumica, por duhet të pajtohen në këtë rast edhe grekët, edhe spanjollët. Qeveria kishte qenë mirë t’ua mbulojë shpenzimet mërgimtarëve, nëse nuk mund të bëjë më shumë vetëm për këta dy muaj”, ka shtuar tutje ai.

BQK-ja kërkon uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara vazhdojnë të mbeten sfidë kryesore për sigurimin e Kartonit  të Gjelbër. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tashmë ka filluar angazhimin e saj rigoroz lidhur me këtë çështje. Në takime intensive me zyrtarë kompetentë ata po kërkojnë zvogëlimin e automjeteve të paregjistruara. “Banka Qendrore e Kosovës ka një kohë të gjatë që është e angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër. Ky angazhim është rritur kohëve të fundit bashkë me institucionet tjera të vendit me qëllim të plotësimit të kushteve nga ana e Kosovës në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos kenë më pengesa për të lëvizur me automjetet e tyre në vendet tjera, si dhe mërgimtarët të mos detyrohen të paguajnë në emër të Kartonit të Gjelbër. Një problem që e kemi është mosanëtarësimi i Kosovës në OKB, ndryshe të gjitha kriteret tjera janë të plotësuara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni dhënë gazetës.

 

Guvernatori Fehmi Mehmeti ditë më parë pati takim me ministrin e Punëve të Brendshme Bejtush Gashin për kërkimin e një alternative që do të çonte në zgjidhjen e këtij problemi. “BQK-ja është vazhdimisht në diskutim me të gjitha institucionet që të kalojmë këtë sfidë dhe të gjejmë modalitete për të shitur Kartonin e Gjelbër. Temë kryesore e takimit të guvernatorit Fehmi Mehmeti me ministrin Gashi ka qenë pikërisht ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara. Guvernatori ka adresuar shqetësimin dhe ka kërkuar nga ministri Gashi që të ndërmerren masat për të ulur numrin e automjeteve të paregjistruara, të cilat po paraqesin problem serioz për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër”, thuhet tutje në përgjigje.

Pushkolli: Kosova duhet të pranohet në OKB

Në anën tjetër drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkolli, thotë se Kosova duhet të pranohet si anëtare e OKB-së. Në një prononcim për gazetën “Zëri” ai thotë se po bëhen përpjekje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për të zgjidhur problemin me numrin e madh të automjeteve të paregjistruara. “Problemi kryesor që Këshillin e Byrove, në atë Kushtetutën e tyre në klauzolë, decidivisht përmendet për të qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, në këtë rast Kosova duhet të pranohet si anëtare e OKB-së. Sa i përket faktorëve të brendshëm, një prej pengesave kryesore është numri i madh i veturave të pasiguruara që gjenden në Kosovë që është një faktor teknik. Kohët e fundit janë duke u bërë përpjekje të mëdha nga MPB-ja për zgjidhjen e këtij problemi”, është shprehur ai. Pushkolli mes të tjerash ka përmendur edhe iniciativat e BQK-së, duke thënë se po punohet në këtë drejtim. “Ka edhe disa iniciativa prej BQK-së se tash të mendohet nëpërmjet ndonjë shteti tjetër të gjendet një zgjidhje kalimtare, por edhe kjo duhet të merret prej Këshillit të Byrosë në Bruksel. Është duke u punuar në këtë drejtim”, ka përfunduar tutje ai.

Kërkesa e njohësve të fushës së sigurimeve nuk dihet se a do ta marrë dritën jeshile të Qeverisë, pasi në këtë institucion nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës për shqyrtimin e kësaj kërkese. Në bazë të shifrave zyrtare të publikuara ditë më parë bëhet e ditur se në Kosovë janë rreth 60 mijë automjete të paregjistruara./ZËRI