Kërcënohen me grevë sindikalistët e 'Trepçës'

Ekonomia June 08, 2018 - 08:01
Lexo detajet

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” konsideron se në statutin e “Trepçës”, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk janë përfshirë kërkesat e punëtorëve dhe ato nuk janë marrë parasysh nga Bordi. “Trepça” në veri i kërkon Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” leje për shitjen e koncentratit të zinkut, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Statuti i “Trepçës” i miratuar në Qeverinë e Kosovës nuk u ka pëlqyer minatorëve dhe punëtorëve të “Trepçës”, pasi kërkesat e tyre të parashtruara nuk janë përfshirë në të. 

Sindikalistët kanë shprehur shqetësimet e tyre për situatën e krijuar pas hartimit të statutit, në të cilin, siç thonë sindikalistët e “Trepçës” “nuk janë përfshirë  kërkesat e punëtorëve.

LEXO EDHE: S’ka më targa civile në veturat zyrtare

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, i është drejtuar me një letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, me të cilën i ka shprehur kryeministrit të vendit shqetësimet e minatorëve.

“Po ju njoftoj se gjendja aktuale në ‘Trepçë’ nuk është e mirë, për arsye se kërkesat dhe vërejtjet tona nuk janë marrë parasysh nga Bordi i ‘Trepçës’ dhe Qeveria e Kosovës ku mendoj se këto kërkesa janë të arsyeshme dhe vetëm sjellin të mira dhe i hapin rrugë zhvillimit ekonomik. Minatorët dhe punëtorët e ‘Trepçës’ janë të zhgënjyer me qasjen e Bordit të ‘Trepçës’. I nderuari kryeministër, nga ju është premtuar që të dy versionet e draftstatutit për ‘Trepçën’ t’i dërgohen Parlamentit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe minatorët janë shumë të shqetësuar për këtë situatë të krijuar dhe nuk përjashtohet eskalimi i situatës ku mund të shkojë drejt protestave ose grevës së përgjithshme”, thuhet në letrën e sindikalistëve të “Trepçës”, të cilën e ka nënshkruar kryetari i SP-së Shyqyri Sadiku, i cili edhe vetë është anëtar i Bordit të “Trepçës”.

Në anën tjetër, serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë të mos e njohin Bordin e “Trepçës”, duke e cilësuar atë të dëmshëm për serbët e veriut të Kosovës dhe për shtetin e Serbisë. Megjithatë, menaxhmenti i “Trepçës” në veri është detyruar që t’i kërkojë Bordit të “Trepçës” ta pajisë me leje për eksportin e prodhimit të koncentratit të zinkut. Serbët kanë kërkuar që zgjidhja për “Trepçën” të bëhet në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq, njëkohësisht ministër për Kthim dhe Komunitete, ka thënë se për “Trepçën” duhet të gjendet zgjidhja në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. Jevtiq ka thënë se për këtë vendim ekziston pëlqimi i të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Në këtë rast është shumë i rëndësishëm mendimi i përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës, i cili nuk është marrë parasysh. Ata nuk janë pjesë e këtij procesi dhe nuk janë kyçur në hartimin e statutit. Mendoj se kjo nuk është mirë dhe se është edhe një akt i njëanshëm. Është edhe një proces i marrjes së vendimeve duke u bazuar në interesa njënacionale, gjë që nuk është mirë”, ka thënë Jevtiq, duke shtuar se çështja e “Trepçës” do të zgjidhet diku tjetër, në Bruksel në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit. “Kështu siç është tani, as ligji e as procesi i zbatimit të ligjit nuk do të jetë i mundur në veri të Kosovës”, ka thënë Jevtiq. 

Ndërkaq drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, thotë se Prishtina nuk është konsultuar me serbët kur është miratuar Ligjin për “Trepçën” e as kur e ka hartuar dokumentacionin për themelimin e ndërmarrjes dhe për hartimin e statutit.

“Për ne më keq se miratimi i statutit është problem i obstruksioneve të institucioneve të Kosovës kundrejt këtij kolektivi. Bëhet fjalë për mosdhënien e lejeve për eksport të prodhimit që zgjat për më shumë muaj për disa prodhime, ndërsa tani edhe për koncentratin e zinkut që na sjell të hyra të mëdha”, ka thënë Dimkiq, duke shtuar se në këtë mënyrë Prishtina rrezikon likuidimin financiar të “Trepçës”, e cila me vështirësi kryen obligimet ndaj furnitorëve dhe pagat e punëtorëve.

Ai gjithashtu tha se “Trepça” në veri ka ardhur në një situatë që edhe kontratat komerciale të anulohen për shkak të pamundësisë për t’i kryer obligimet.

“Jemi kushtëzuar që për t’u pajisur me lejet të eksportit të koncentratit të zinkut t’i drejtohemi Bordit të ri Mbikëqyrës të ‘Trepçës’, i cili mund të bëhet kompetent vetëm pasi që të regjistrohet si ndërmarrje e re. Statuti nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, pastaj duhet të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes. Qeverisë së Kosovë po i ngutet që të vendosë një sistem të ri juridik, të cilin ata e kanë hartuar, duke shfrytëzuar metoda jojuridike dhe duke mos e respektuar as Rregulloren e vet. Ndryshe, nga shitja e koncentratit të zinkut, që ne e kemi kontraktuar tashmë krijojmë pjesën më të madhe të të hyrave”, ka thënë mes tjerash drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq.