Policia me masa të sigurisë përreth Liqenit të Mitrovicës, lumenjve dhe pishinave

Ekonomia June 07, 2018 - 18:05
Detajet

Vdekja e dy personave në dy muajt e fundit në zonën e Liqenit të Mitrovicës dhe të pishinave, ka shtyrë Policinë e Kosovës në rajonin e Mitrovicës që t’i shtojë masat e sigurisë përreth liqenit, lumenjve dhe pishinave gjatë stinës së verës. Do të angazhohen edhe zhytësit e “Trepçës” që të jenë 24 orë në afërsi të liqenit, shkruan "Zëri.Info"

Mitrovicë. Dy persona kanë humbur jetën në zonën e Liqenit akumulues të Mitrovicës në dy muajt e fundit dhe kjo ka alarmuar jo vetëm institucionet komunale të Mitrovicës por edhe Policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës dhe kanë shtyrë ata që të ndërmarrin masa të menjëherëshme për t’i parandaluar fatkeqësitë e mundshme. Me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në ofrimin e sigurisë, në kuadër të implementimit të planit operativ “sezoni veror”, Policia në Mitrovicë ka mbajtur një takim me autoritete komunale, ku temë diskutimi ishte domosdoshmëria e vlerësimit praktik të gjendjes së lumenjve, pishinave, e në fokus zonat përgjatë liqenit artificial në Mitrovicë. Plani operativ i Policisë së Kosovës mes tjerash parasheh edhe angazhimin e pjesëtarëve të Klubit të Zhytësve “Trepça” gjatë gjithë stinës së verës dhe dislokimin e tij në zonën e liqenit artificial.

Komandanti i stacionit policor “Jugu”, kapiten Ahmet Xhosha, së bashku me shefat e sektorëve, para autoriteteve komunale, përkatësisht drejtorive të fushave përkatëse, ka prezantuar objektivat që parashihen të ndërmerren bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve, pishinave dhe liqenit artificial, ku pritet të frekuentohen nga numër i madh i qytetarëve.

Bazuar në një plan veprimi njësitë sektoriale në kuadër të stacionit policor “Jugu” në Mitrovicë, kanë bërë identifikimin e disa nga vendeve dhe zonat të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët. Identifikimi i këtyre hapësirave është vlerësuar si rrezik potencial për frekuentuesit, ku mbi bazën e këtij vlerësimi Policia ka sugjeruar autoritetet komunale që të ndërmarrin masat e sigurisë në zonat e identifikuara e që si të tilla janë identifikuaar tri zona. Policia sugjeron që përgjatë zonës së liqenit artificial të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmëruese për vizitorë, të shënjohen segmented për thellësinë, rrymat e ujit dhe rreziqet tjera të mundshme dhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë.

Çështjet e ngritura nga Policia janë vlerësuan nga autoritetet komunale të Mitrovicës, të cilët shprehen gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitete në krijimin e kushteve dhe sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe barrierave. Ndërsa, si vlerësim i përbashkët dhe domosdoshmëri u cilësua angazhimi i klubit të zhytjes “Trepça”, gjegjësisht dislokimi i këtij klubi gjatë sezonit veror në zonën e liqenit, ku autoritetet komunale në Mitrovicë u zotuan se këtë çështje do ta trajtojnë me prioritet, nga fakti se qëndrimi ipjesëtarëve të këtij klubi afër liqenit do të jetë një mekanizëm shtesë i ofrimit të sigurisë në atë zonë.

Komandanti i stacionit policor jugu në Mitrovicë, Ahmet Xhosha, tha se bashkërendimi i aktiviteteve me institucionet lokale dhe komunitetin mbetet prioritet në ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit. Ai ka apeluar te qytetarët që frekuentojnë këto zona të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë fëmijët pa mbikëqyrje të jenë në këto zona./ZËRI