Buxheti i vogël i kompanisë rrezikon qytetarët nga ujërat e zeza

Ekonomia June 07, 2018 - 16:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e deponive të mbeturinave, përballet me rreziqe financiare, operative, kosto të lartë të shërbimeve, tarifa të ulëta dhe rreziqe infrastrukturore, mjedisore e të katastrofave.

Kjo kompani, është në rrezik të lartë për shkak të rrjedhjes së ujërave të zeza dhe depërtimit në ujërat nëntokësorë, që mund të ndotin hapësirat përreth.

Nga ky rrezik, nuk shpëtojnë as stafi që punon aty e njerëzit përreth.

Për mbulimin e këtyre rreziqeve, kompania në fjalë ka planifikuar shumën prej 28 mijë e 380 eurosh, shumë kjo e cila po konsiderohet të jetë e ulët në krahasim me rreziqet me të cilat ballafaqohet kompania nga aktiviteti i saj, raporton Zëri.Info.

“Sa i përket rreziqeve mjedisore dhe ekologjike sidomos te Deponitë Sanitare kompania ka rrezik të lartë për shkak të rrjedhjes së ujërave të zeza dhe depërtimit në ujërat nëntokësorë të cilat mund të ndotin, të kontaminojnë lumenjtë dhe hapësirat për rreth tyre. Gjasat për ndodhjen e këtij rreziku janë të mëdha dhe ndikimi është shumë i lartë si rrezikim i stafit që punon aty, popullatës përreth, ndotja e ujërave dhe ajrit”, bëhet e ditur në raportin që auditori ka hartuar për këtë kompani.

Tutje, sqarohet se menaxhmenti nuk posedon ndonjë regjistër me të cilin identifikohen rreziqet, financiare, operative dhe mjedisore që mund të kërcënojnë aktivitetet e saj me qëllim të identifikimit dhe zvogëlimit të tyre në nivel të pranueshëm.

“Kompania në plan të biznesit ka planifikuar shumën 28,380€ për shpenzime të pa parapara, për qëllime të mbulimit të këtyre rreziqeve. Kjo shume e ndarë për këto qëllime është shume e ulet në raport me rreziqet që kompania ballafaqohet nga aktivitetit i saj. Kjo për shkak të nënvlerësimit të tyre dhe mungesës së fondeve”, theksohet mes tjerash.

Auditori vlerëson se si pasojë e kontrolleve jo të brendshme dhe jo të mjaftueshme, disa nga objektivat e planit nuk janë arritur. /ZËRI/