Përmbaruesit privatë ua marrin asistencën sociale familjeve të varfra

Ekonomia June 06, 2018 - 07:45
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Përmbaruesit privatë nuk po i kursejnë nga bllokimi i të ardhurave as të varfrit. Ata po ua bllokojnë xhirollogaritë bankare edhe personave që jetojnë me asistencë sociale. Në kundërshtim me ligjin, nga ekzekutimi i vendimeve të përmbaruesve kanë pësuar 6 pensionistë të kategorive të ndryshme dhe 1 përfitues i asistencës sociale. Vendimet në shumën e mijëra eurove përmbaruesit i kanë ekzekutuar kryesisht për mospagesë të rrymës, të ujit e të mbeturinave. Vetëm në Zyrën e Avokatit të Popullit (IAP) janë adresuar dhjetëra ankesa ndaj përmbaruesve, të cilët pretendohet se e kanë shkelur ligjin, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mbi 20 ankesa ndaj përmbaruesve privatë janë dërguar në institucionin e Avokatit të Popullit gjatë vitit të kaluar.

Ky institucion ka filluar t’i hetojë 12 prej tyre, ndërsa të tjerat janë vlerësuar si të pabazuara.  

LEXO EDHE: Gazmend Muhaxheri nuk paraqitet në gjykatë për “Shpifje ndaj kryeministrit”

Në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” zyrtarët për informim në institucionin e Avokatit të Popullit kanë ofruar të dhëna të detajuara për kategoritë ndaj të cilave përmbaruesit privatë në kundërshtim me ligjin kanë ekzekutuar vendimet për bllokimin e xhirollogarive të përfituesve të pensioneve.

Këto vendime të përmbaruesve, në kundërshtim me ligjin, kanë pushuar së ekzekutuari vetëm pas vërejtjeve të shqiptuara nga Avokati i Popullit, se janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Institucioni i Avokatit të Popullit në vitin 2007 ka pranuar gjithsej 20 ankesa ndaj përmbaruesve privatë. Ndërsa për hetim i ka hapur 12 ankesa të paraqitura, të tjerat janë refuzuar si të papranueshme në bazë të Nenit 21 dhe 22 të Ligjit të Avokatit të Popullit. Nga ankesat e hapura për hetim është vërejtur se në 7 raste kanë qenë të bllokuara llogaritë bankare të ankuesve në bankat ku i kanë pasur llogaritë e tyre sipas kërkesës së përmbaruesve privatë. Nga këto llogari bankare të bllokuara është vërejtur se prej tyre 6 persona kanë qenë përfitues të pensioneve të kategorive të ndryshme dhe 1 person ka qenë përfitues i ndihmave sociale”, bëhet e ditur në përgjigjen zyrtare të institucionit.

Tutje në përgjigje sqarohet se natyra e borxheve ka qenë kryesisht për mospagesa të shërbimeve të mbeturinave e të ujit.

“Shuma e mjeteve të cilën kanë pasur borxhe ka qenë e ndryshme duke filluar nga dhjeta deri në mijë euro, por natyra e borxheve zakonisht është e mospagesës së mbeturinave, e mospagesës së ujit, e borxhit të rrymës”, theksohet në përgjigjen e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Shala: Përmbaruesit nuk kanë probleme me të pasurit

Përmbaruesve privatë po u kërkohet të gjejnë një marrëveshje, nga e cila nuk rrezikohet standardi social i qytetarëve. Kjo kërkesë është adresuar nga kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Shala ka kërkuar kujdesin e shtetit me këto kategori.

“Duhet të arrihet një marrëveshje e cila ua mundëson përmbaruesve privatë ekzekutimin e gjobave, por pa e dëmtuar dhe pa e rrezikuar standardin minimal social atyre të cilëve duhet t’u bëhet përmbarimi. Ka raste kur edhe pensionistëve që jetojnë me një pension atyre ua bllokojnë llogaritë. Edhe përmbaruesit duhet të respektojnë njëfarë kontrolli. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe shteti në këto raste, ata duhet të ndalin përmbarimin, ekzekutimin ose t’u japin një kohë të gjejnë një zgjidhje për të dyja palët”, ka thënë Shala.

I pari i Këshillit që mbron të drejtat dhe liritë njerëzore thotë se përmbaruesit kanë zakonisht probleme me njerëzit që kanë standarde minimale të jetesës.

“Përmbaruesit nuk kanë shumë problem me këta që nuk kanë shumë para, por kryesisht kanë probleme me këta njerëz që kanë standarde ekzistenciale ose minimale”, ka përfunduar ai. Por në rastet kur është hetuar se vendimet e përmbaruesve janë në kundërshtim me ligjin në Zyrën e Avokatit të Popullit i kanë thënë gazetës, se kanë arritur të gjejnë bashkëpunim me përmbaruesit që i kanë zbatuar rekomandimet, duke eliminuar kështu shkeljen e të drejtave të njeriut.

Smaka fajëson Ministrinë e Drejtësisë

Për çështjen e përmbaruesve privatë njohësi ligjor Riza Smaka ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë se nuk e ka rregulluar sa duhet Ligjin për Përmbaruesit Privatë. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Smaka e cilëson tejet të rëndësishme përmbarimin.

“Çështja e  përmbarimit të aktgjykimeve dhe të aktvendimeve të formës së prerë është çështje e rëndësisë së veçantë se fundi i fundit të gjitha procedurat administrative, procedurat gjyqësore zhvillohen për t’u përmbaruar, për t’u ekzekutuar, për t’u materializuar. Tash, në qoftë se ka dështime në atë etapë del krejt puna paska qenë e parëndësishme, e panevojshme”, ka deklaruar njohësi i sistemit ligjor.

Smaka ka kërkuar që krahas përmbaruesve privatë të veprojnë edhe institucionet e përmbarimit zyrtar.

“Problemi është te Ministria e  Drejtësisë që Ligjin për Përmbaruesit Privat nuk e ka rregulluar si do të duhej dhe sa do të duhej. Krahas përmbaruesve privatë do të duhej të funksiononin edhe institucionet e përmbarimit zyrtar. Kush punon më mirë, atje palët do të kërkonin shërbime. Jo t’u lëshohet krejtësisht përmbaruesve privatë çështja e përmbarimeve. Kjo është zgjidhja”, ka theksuar tutje ai.

Edhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi, thotë se do të ishte më e arsyeshme që vendimet për rastet sociale të ekzekutohen nga gjykata. “Te rastet sociale më e logjikshme dhe më e arsyeshme do të ishte që gjykata t’i ekzekutonte vendimet, për shkak se ata nuk kanë mundësi ekonomike të mbulojnë përmbarimin. Prandaj, ata nuk veprojnë në këtë. IAP-i duhet ta shohë ndryshe këtë rekomandim”, ka thënë shkurt, në një prononcim për “Zërin” Kajtazi.

Përmbaruesit tejkaluan ligjin në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore

Në raportin vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit, në të cilin edhe janë raportuar këto parregullsi, thuhet se përmbaruesit privatë ndonëse e kanë përmirësuar nivelin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe të qytetarëve u është ofruar mundësi në realizimin e të drejtave të tyre, kanë tejkaluar disa herë normat ligjore në ekzekutimin e vendimeve në banka komerciale.

“Vërehet se përmbaruesit privatë e kanë përmirësuar nivelin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe qytetarëve u është ofruar mundësi më efikase dhe më efektive në realizimin e të drejtave të tyre. Por në disa raste përmbaruesit privatë kanë tejkaluar normat ligjore të cilat përcaktojnë kufizimet lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, duke lëshuar urdhra përmbarimorë për ekzekutimin e vendimeve në bankat komerciale, me ç’rast kanë bllokuar llogaritë bankare të ankuesve”, theksohet në raportin vjetor të hartuar nga ky institucion.

Pensionistët, të cilëve u janë bllokuar xhirollogaritë bankare, morën lajm të mirë vetëm pas ankesave të adresuara në institucionin e Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit gjatë hetimit ka vërejtur se ankuesit kanë qenë shfrytëzues të ndihmave sociale, të pensioneve të pleqërisë dhe këto të hyra janë bllokuar në procesin e ekzekutimit, në kundërshtim me ligjin, i cili përcakton kufizimet ligjore për shumat të cilat nuk mund të jenë objekt i ekzekutimit. Pas veprimit të Avokatit të Popullit është arritur zgjidhja e çështjeve të ankuesve që llogaritë bankare të tyre të zhbllokohen dhe ndalesat të bëhen në pajtim me ligjin”, përfundohet tutje.

Por, ky institucion ka gjetur raste kur disa vendime gjyqësore nuk kanë mundur të ekzekutohen nga përmbaruesit, për shkak se nuk kanë pasur mjete financiare.