Pagesë gjysmë milioni euro për punë të pakryera

Ekonomia June 05, 2018 - 08:51
Lexoni më shumë detaje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Komunën e Leposaviqit ka gjetur se janë paguar rreth gjysmë milioni euro për kontratën “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”. Por nga vizita e auditorëve në terren është vërejtur se furnizimi me pajisje për filtrim të ujit dhe montimi i tyre në pishinë nuk ishte kryer fare, ndërkohë që organi mbikëqyrës kishte raportuar se të gjitha punët janë kryer për këtë projekt, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shkelje të mëdha ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Leposaviqit.

Në këtë Komunë ZKA-ja ka hasur në shumë pagesa për obligimet kontraktuale të papërmbushura.

LEXO EDHE: Dhjetëra miliona euro humbje nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energjinë

Për kontratën "Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”, sipas ZKA-së nga Thesari është bërë pagesë direkte në vlerë totale prej 495,785 eurosh, shkruan më tutje "Zëri".

Në bazë të një letërkëmbimi nga Thesari, Komuna kishte konfirmuar se nuk i kishte shlyer detyrimet e veta ndaj kontraktuesit, pasi që nuk kishte siguruar fonde të mjaftueshme.

Më tutje, për disa projekte Komuna kishte nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për financimin e projekteve.

LEXO EDHE: Kirurgët hyjnë në grevë njëditore, kërkojnë rritje pagash

Me këto memorandume përcaktohej se projektet do të financoheshin nga këto ministri përkatëse dhe se ministritë do të përcaktonin një përfaqësues për mbikëqyrjen e projekteve.

Për të gjitha këto projekte organi mbikëqyrës ishte përfaqësuar vetëm nga ana e Komunës (ministritë nuk kanë emëruar përfaqësuesin e vet).

“Organi mbikëqyrës kishte përgatitur një raport, në të cilin ka theksuar se punimet janë kryer. Me vendim të përmbaruesit privat më 26.10.2017, Thesari i kishte kryer pagesat direkte nga buxheti i Komunës në shumë prej 201,103 eurosh, nga e cila shuma prej 197,101 eurosh për obligime të papaguar ndaj operatorit ekonomik, ndërsa shuma prej 4,002 eurosh i ishte paguar përmbaruesit për shërbimet e kryera edhe pse faturat i ishin lëshuar dy ministrive të përmendura dhe jo Komunës. Nga vizita jonë në terren është vërejtur se furnizimi me pajisje për filtrim të ujit dhe montimi i tyre në pishinë nuk ishte kryer fare, ndërkohë që organi mbikëqyrës kishte raportuar se të gjitha punët janë kryer për këtë projekt”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se pranimi i faturave pa u siguruar se të gjitha punët janë kryer sipas kërkesave me kontratë do të rezultojë në obligime pa u pranuar furnizimet/punët.

Raportimi jo i saktë i organit mbikëqyrës do të rezultojë me mundësinë për pagesa të pakontrolluara, pagesa të dyfishta dhe mundësi për keqpërdorim të parasë publike dhe të pasurisë së Komunës.

Në fund ZKA-ja i rekomandoi kryetarit të Komunës se duhet të sigurojë që memorandumet dhe marrëveshjet e nënshkruara me partnerë tjerë të zbatohen në përpikëri nga të dyja palët në marrëveshje në mënyrë që të përmbushen të gjitha pikat e marrëveshjes.

“Gjithashtu, kryetari duhet të sigurojë mbikëqyrje rigoroze të kryerjes së detyrave të të gjithë pjesëmarrësve të përfshirë në projekte të tilla, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga organi mbikëqyrës dhe nga komisionet për pranimin teknik të punëve të kryera për të evituar mundësinë e keqpërdorimeve dhe të mashtrimeve. Në situata kur vëren ose ka indikacione se ka dyshime për keqpërdorime dhe mashtrime, kryetari duhet të ndërmarrë veprime konkrete ligjore në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Nënshkrimi i kontratave pa procedura të prokurimit

Po ashtu te tenderi për shërbime të eliminimit të të ashtuquajturave “Deponi të egra” të mbeturinave kryetari i Komunës kishte anashkaluar procedurat e prokurimit dhe kishte nënshkruar kontratë me OE-në, e cila nuk kishte për veprimtari biznesi menaxhimin e mbeturinave.

Sipas ZKA-së, vlera totale e kontratës ishte 53,071 euro, pa u dhënë detaje se ku do të punohet, sa dhe me çfarë çmimi për njësi.

Po ashtu, Komuna nuk ka ofruar dëshmi për lokacionin se ku janë kryer ato punime.

“Shpenzimet e paguara për këtë kontratë ishin gjithsej 52,037 euro prej të cilave pagesat në total prej 12,358 eurosh nuk kishin të bënin me këtë kontratë. Përshkrimi në faturë për këto pagesa ishte: ‘Pagesë për shërbime të ujësjellësit, hapja e kanalit, si dhe shtrirja e rërës për shërbimet komunale të ujësjellësit në mirëmbajtje të rrjetit”, punime të cila nuk ishin në përputhje me kontratën. Për më tepër, Komuna ka të regjistruar një ndërmarrje publike për menaxhimin e mbeturinave dhe nuk ka pasur nevojë të angazhojë një kompani tjetër për këto qëllime”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Po ashtu për projektin "Mbështetje për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe zhvillimin e bujqësisë" vlera 149,980 euro, të financuar nga Bordi i Fondit të Zhvillimit, kryetari i Komunës më 27.04.2017 ka nënshkruar kontrata me 142 përfitues bujqësorë për blerjen e pajisjeve bujqësore.

Për këtë projekt nuk është zbatuar ndonjë procedurë e prokurimit. Për më tepër, përfituesit kanë sjellë faturat për pajisjet e blera, mirëpo Komuna nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të monitoruar ose për të verifikuar realizimin e projektit.

Sipas Auditorit, realizimi i projekteve pa procedura të prokurimit dhe mosmonitorimi i zbatimit të tij mund të çojë në favorizimin e përfituesve dhe mundësinë e pagesës së shpenzimeve me çmime më të larta sesa ato që do të realizoheshin përmes një konkurrence reale të tregut. Për shkak të kontrolleve të dobëta të brendshme mund të rezultojë me vlerë të dobët për paranë, si dhe mundësinë për keqpërdorim dhe mashtrim.

“Kryetari duhet të sigurojë masa adekuate në procesin e përzgjedhjes së përfituesve të projektit përmes procedurave të prokurimit për të evituar favorizimin e përfituesve, në mënyrë që të arrihet zvogëlimi i kostove buxhetore dhe rritja e vlerës për paranë, si edhe evitimi i mundësive për keqpërdorim të parasë publike dhe të pasurisë së Komunës”, thuhet më tutje në raport.

Dobësi në menaxhimin e kontratës për infrastrukturën rrugore

Për kontratën "Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatra të komunës së Leposaviqit”, e nënshkruar në tetor 2015, Komuna nuk kishte dorëzuar tek Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) deklaratën për disponueshmërinë e fondeve për projektet e paplanifikuara buxhetore (kërkesë sipas LPP-së).

Për më tepër në këtë rast nuk janë dhënë me kontratë paramasat dhe parallogaritë se sa njësi do të kryhen për secilin pozicion dhe nuk dihet kostoja e tërë projektit.

Po ashtu, nuk ka as projekte konkrete sa rrugë do të ndërtohen, sa do të jetë gjatësia dhe gjerësia e tyre, çfarë materiali do të përdoret dhe sa do të kushtojë secili. Nuk ka as plan dinamik për asnjërin prej projekteve.

Komuna nuk ka specifikuar projektet që do të zbatohen nga kjo kontratë, si dhe mënyrën se si do të sigurohen fondet.

“Lidhja e kontratave kornizë afatgjate pa siguruar disponueshmërinë e fondeve mund të ndikojnë që Komuna të hyjë në obligime të papërballueshme buxhetore për vitet e ardhshme. Kjo mund të ndikojë edhe me realizim të dobët të kryerjes së punëve për shkak të mosekzistimit të një projekti, ku përcaktohet çdo detaj se çka do të ndërtohet, sa do të ndërtohet dhe me çfarë materiali. Këto projekte mund të rezultojnë me vlerë të dobët për paranë dhe humbje buxhetore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas Auditorit, kryetari duhet të sigurojë se është ndërmarrë një rishikim për gjetjet e auditimit për këto raste, ku proceset nuk janë aplikuar në mënyrë efektive për të përcaktuar se pse kanë ndodhur dështimet dhe pse nuk është aplikuar mbikëqyrja e përshtatshme.

Më tutje, duhet të ketë parasysh vlerën për paranë sidomos për projekte të kushtueshme kapitale, duke ndërmarrë masa për eliminimin e këtyre dobësive. Për ndërtimin e rrugëve dhe për projekte komplekse duhet të evitohen kontratat kornizë dhe të lidhen kontrata të veçanta për secilin projekt në veçanti.

Ndarja e subvencioneve, pa rregullore për subvencionim dhe pa kritere të qarta

Sipas Auditorit, menaxhmenti nuk ka hartuar dhe nuk ka miratuar rregullore për mënyrën dhe kriteret e subvencionimit.

Në mungesë të rregullores të gjitha subvencionet pa kufizim vlerash aprovohen me vendim të kryetarit të Komunës dhe jo përmes miratimit nga Kuvendi Komunal.

“Më tej, është identifikuar se Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave për Subvencionim ka dhënë propozim për aprovimin e kërkesave për subvencione për të cilat nuk kishte kritere të qarta. Në anën tjetër, përfituesit e subvencioneve në asnjë rast nuk kanë dërguar raporte kthyese për mënyrën e shfrytëzimit të atyre mjeteve për të konfirmuar se subvencioni i dhënë është shpenzuar për qëllimin për të cilin është dedikuar”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mosaprovimi i rregullores së brendshme për dhënien e subvencioneve, si dhe dështimi në monitorimin e subvencioneve, përkatësisht, mosraportimi i përfituesve rrit rrezikun që subvencionet të mos ndahen për qëllime adekuate, pa kritere dhe në bazë të interesave të ndryshme ose në mënyrën tjetër në mosarritjen e qëllimit për të cilin janë dedikuar.

“Kryetari duhet të sigurojë që do të hartojë dhe do të aprovojë në Kuvend Komunal një rregullore për subvencionet me të cilën do t’i përcaktojë kriteret e qarta për subvencionim, si dhe mekanizmat se si do të monitorohen dhe do të menaxhohen subvencionet. Kontrollet mbi ndarjen e subvencioneve duhet të forcohen për të siguruar monitorim efektiv të shfrytëzimit të mjeteve të ndara nga buxheti i Komunës”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-s.

Dobësi në menaxhimin e kontratave për shpenzime të derivateve

Sipas ZKA-së, shpenzimet totale të derivateve për vitin 2017 ishin 57,789 euro dhe përfaqësojnë më shumë se 21% të shpenzimeve totale për kategorinë e mallrave dhe të shërbimeve.

Me rastin e furnizimeve me derivate Komuna sipas kontratës duhej të monitorojë ndryshimet e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare.

Megjithatë, kjo nuk është bërë ndonëse ka pasur ndryshime në çmimin e tregut, Komuna gjithnjë është furnizuar me çmimin fiks për naftë prej 1.09€/L dhe për benzinë me çmim 1.10€/L.

Gjithashtu duhet të përmendim faktin se Komuna nuk mban shënime adekuate për shpenzimet për automjetet zyrtare, zyrtarët nuk paraqesin kërkesa për përdorimin e automjeteve dhe nuk përgatisin urdhëresat për udhëtim zyrtar.

“Pagesat pa u siguruar dëshmi të mjaftueshme për furnizimin me çmimin aktual dhe mosmbajtja e një evidence adekuate të përdorimit të automjeteve zyrtare dhe të kilometrave të kaluar mund të ndikojë në pagesa të parregullta dhe rrit rrezikun për keqpërdorim të fondeve. Kryetari duhet të sigurojë që çdo pagesë e realizuar është e dokumentuar dhe ekziston pranimi i atyre mallrave ose i shërbimeve në bazë të çmimit përkatës dhe kushteve të përcaktuara me kontratë. Më tutje, kryetari duhet të sigurojë se janë zbatuar rregulla të qarta për mënyrën e përdorimit automjeteve dhe të evidentimit të shpenzimeve”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së për Komunën e Leposaviqit.

Dobësi në kontrollet menaxheriale dhe në menaxhimin e rrezikut

Sipas Auditorit, menaxhimi jo i duhur i proceseve në realizimin e buxhetit ka ndikuar në mangësi në ekzekutimin e buxhetit dhe atë në të gjitha kategoritë e shpenzimeve.

Projektet kapitale të filluara me vonesë, si pasojë e vlerësimit të dobët të nevojave dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme kanë ndikuar që dobësitë të mos trajtohen me kohë dhe në mënyrën e duhur.

Si rezultat i kësaj, disa prej projekteve janë vonuar ose edhe nuk janë kryer fare derisa janë kryer pagesa për to.

Më tutje, menaxhmenti nuk posedon analiza të rregullta për ecuritë buxhetore dhe nuk ka raporte të rregullta për aktivitetet operative. Komuna gjithashtu nuk ka politika të shkruara dhe procedura për menaxhimin e rreziqeve, në veçanti rrezikut të mashtrimit dhe të parregullsive.

“Kërkesat e llogaridhënies dhe raportimi financiar i cilësisë së pamjaftueshme reduktojnë efektivitetin e menaxhimit financiar. Kjo rezulton me dobësi në procesin e buxhetit dhe e zvogëlon aftësinë e menaxhmentit për të reaguar ndaj sfidave financiare me kohë. Po ashtu, kjo ul efektin e kontrolleve buxhetore dhe rrit rrezikun për shpenzime të parregullta dhe shërbimeve jocilësore. Kryetari duhet të sigurojë se është kryer një rishikim për të përcaktuar formën e raportimit financiar dhe operativ te menaxhmenti i lartë. Ecuritë buxhetore, duke përfshirë të hyrat dhe shpenzimet, dhe zbatimi i planit për projekte kapitale duhet të jenë subjekt i raportimeve dhe i rishikimeve të rregullta nga ana e menaxhmentit. Gjithashtu, për të reduktuar ndikimin e rreziqeve në nivele të pranueshme organizata duhet të hartojë regjistrin e rreziqeve me të gjitha masat/veprimet e duhura për të vendosur nën kontroll kërcënimet e ekspozuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Pa auditorë të brendshëm

Pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të ZKA-së, Komuna ende nuk ka arritur që t’i sigurojë shërbimet e auditimit të brendshëm brenda Komunës ose të sigurojë mbulimin e tyre nga ndonjë organizatë tjetër buxhetore.

Kjo për shkak se menaxhmenti i Komunës nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur auditimit të brendshëm dhe përmirësimit të aktiviteteve të kontrollit të brendshëm të Komunës.

“Mungesa e aktiviteteve të auditimit të brendshëm mund të ndikojë në vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm. Për më tepër, menaxhmenti mund të mos jetë në gjendje që t’i identifikojë dobësitë e kontrolleve dhe të reagojë me kohë për eliminimin e tyre. Kryetari duhet të themelojë NJAB-në, me qëllim për të siguruar mbështetje në menaxhimin e fushave me rrezik dhe e cila do të ndihmonte aktivitetet operative në vazhdim. Përveç kësaj ne sugjerojmë edhe themelimin/funksionimin e KA-së që t’i rishikojë rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e dhëna”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak

Si rrjedhojë e menaxhimit joefektiv të procesit dhe të mungesës së një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve, menaxhmenti ka treguar regres në zbatimin e rekomandimeve pasi vetëm një pjesë e ulët e rekomandimeve të vitit të kaluar dhe atyre të bartura më herët kanë filluar së zbatuari, derisa asnjë prej rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit për vitin 2016 nuk është zbatuar plotësisht.

Sipas Auditorit, menaxhmenti i Komunës nuk aplikon masa përgjegjësie për moszbatimin e rekomandimeve.

“Moszbatimi në tërësi i rekomandimeve tregon se kontrollet menaxheriale në Komunë ende janë të pamjaftueshme. Prandaj, kjo situatë ka rezultuar në: Cilësinë e dobët të raportimit të brendshëm dhe të aktiviteteve tek menaxhmenti i lartë;  Llogaridhënie e dobët; Dhe dobësi në menaxhimin e proceseve operative, duke përfshirë menaxhimin e pasurive, zbatimin e procedurave të prokurimit, ekzekutimin e dobët të shpenzimeve kapitale dhe atyre për mallra e shërbime, moszbatimin e rregullave të shërbimit civil dhe Ligjit të Punës, menaxhim të dobët në ndarjen e subvencioneve, si dhe mosefikasitet në arkëtimin dhe në menaxhimin e të hyrave”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kryetari duhet të sigurojë që zbatimi i planit të veprimit monitorohet në vazhdimësi dhe raportohet në baza të rregullta mujore ose tremujore në lidhje me progresin e arritur në ketë drejtim.

“Rekomandimet të cilat nuk zbatohen sipas afateve të rishikohen në një afat të shkurtër nga kryetari, si dhe të ndërmerren veprime proaktive ndaj barrierave të paraqitura gjatë zbatimit”, thuhet më tutje në raportin e Auditorit.