Dhjetëra miliona euro humbje nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energjinë

Ekonomia June 05, 2018 - 08:16
Lexoni më shumë detaje

Serbia vazhdon t’i shkaktojë humbje milionëshe Kosovës nga moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. 30 milionë euro në vit i humb Kosova vetëm pse Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen për Energji të nënshkruar para 5 vjetësh. E pafuqishme karshi këtij dialogu po tregohet pala kosovare, e cila po ndan miliona euro nga buxheti i shtetit për t’ua mbuluar faturat e papaguara serbëve të veriut, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova edhe më tutje vazhdon t’i humbë 30 milionë euro këtë vit vetëm për shkakun se Serbia mban peng Marrëveshjen për Energji të nënshkruar në vitin 2013.

Për t’i dhënë fund kësaj krize kryeministri i vendit po beson se do të mjaftojnë dy ose tre muaj derisa të gjendet një zgjidhje.

Por, përfaqësuesit kosovarë të dialogut me Serbinë as nuk janë në dijeni kur do të fillojë së zbatuari Marrëveshja e hedhur vetëm në letër vite më parë.

LEXO EDHE: Të enjten fillon lobimi për liberalizimin e vizave

Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedime teknike me Serbinë Avni Arifi është në dijeni se Kosova po dëmtohet financiarisht nga kjo marrëveshje.

Madje e quan plaçkitje zvarritjen që Serbia po ia bën Kosovës duke fituar miliona në emër të saj.

“Serbia nuk e ka zbatuar Marrëveshjen. Bashkimi Evropian po dështon në kërkesat për implementim. Kur do të implementohet nuk e di, por kjo është bërë pengesë serioze e dialogut Kosovë -Serbi. Shteti serb nuk po dëshiron të implementojë Marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, thjesht nuk po do”, është shprehur Arifi për "Zërin".

Me këmbëngulësi ai ka thënë se Kosova vazhdon të plaçkitet nga Serbia sa herë bëhet fjalë për energjinë.

“Brukseli po dështon, është totalisht i pafokusuar dhe i dobët në imponimin e zgjidhjes së problemit të energjisë. Kjo është situata. Kosova kur është në pyetje energjia vazhdon të plaçkitet nga shteti serb. Shteti serb vazhdon ta plaçkitë Kosovën kur është në pyetje energjia”, ka shtuar më tutje ai.

Mushkolaj: Ka munguar presioni i Kosovës

Por ndryshe nga Arifi është shprehur njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj.

Në një prononcim për “Zërin” Mushkolaj thotë se ka munguar presioni i Kosovës që nëpërmjet Brukselit të bëjë presion te Serbia që të respektohet Marrëveshja.

“Propaganda ishte e madhe, sidomos nga ana e Kosovës, se u arrit Marrëveshja dhe konsiderohej punë e kryer, por u ndërpre se po mundet të bëjë presion Serbia që ta realizojë këto marrëveshje në praktikë nëpërmjet Bashkimit Evropian. Edhe faza e re e dialogut nuk mund të vazhdojë pa u bërë një skanim i zbatimit të Marrëveshjes deri tash në praktikë dhe pastaj të shkohet më tutje. Nuk ka kuptim të arrihen marrëveshje të reja, ndërkohë plot marrëveshje janë arritur pas këtyre viteve të shpalljes së dialogut të ashtuquajtur teknik dhe pastaj në atë politik të mos mundë të zbatohen”, ka theksuar ai.

Mushkolaj e ka quajtur të logjikshëm faktin se Serbia dëshiron të zvarritë marrëveshjen, duke fituar miliona në krah të saj.

“Natyrisht Serbia dëshiron të zvarritë marrëveshjet, si kjo e Energjisë, moszbatimin e tyre për shkak se fiton miliona nga kjo dhe është shumë logjike nga ana e saj. Por unë mendoj se ka munguar në përgjithësi presioni i Kosovës, që nëpërmjet Brukselit të bëjë presion te Serbia që marrëveshjet të zbatohen edhe kjo e Energjisë, respektivisht thjesht të kushtëzohet vazhdimi i mëtejmë i dialogut dhe çdo arritje e marrëveshjes së re pa zbatimin e marrëveshjes paraprake”, ka përfunduar më tutje analisti politik.

Krasniqi: Po dëmtohet dialogu

Nga moszbatimi i marrëveshjeve të arritura po dëmtohet në tërësi procesi i dialogut. Kështu është shprehur Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila në vazhdimësi monitoron dialogun.

Krasniqi në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka thënë se me moszbatimin e kësaj marrëveshjeje Kosovës po i shkaktohen humbje të mëdha, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e këtij sektori.

“Moszbatimi i marrëveshjeve është duke e dëmtuar vetë procesin e dialogut Kosovë - Serbi dhe qëllimin e këtij procesi  për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Moszbatimi i Marrëveshjes së Energjisë po i shkakton humbje të mëdha shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke rrezikuar edhe qëndrueshmërinë e këtij sektori. BE-ja si ndërmjetësuese e këtij procesi duhet t’i bëjë presion Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e arritur”, është shprehur ajo.

Më tutje Krasniqi rekomandon që pala kosovare duhet t’i kërkojë mbështetje BE-së për ta paguar shumën  prej një milion eurosh në muaj, që Qeveria e Kosovës po detyrohet të paguajë aktualisht për t’u garantuar qytetarëve të komunave me shumicë serbe.

“Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje, si dhe i të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut shprehin qartë rëndësinë që pala kosovare duke kaluar drejt fazës së fundit të dialogut të bëjë një vlerësim të të gjithë procesit, të kërkojë vendosjen e afateve kohore për zbatimin e tyre, të vendosen mekanizma zbatues dhe të kërkojë nga BE-ja garanci për zbatimin e marrëveshjeve. Një proces në kuadër të së cilit arrihet marrëveshja, të cilat nuk zbatohen, është një proces i cili nuk mund të sjellë normalizimin e plotë të marrëdhënieve, pra nuk mund të përmbushë qëllimin e saj kryesor”, ka përfunduar monitoruesja e dialogut Kosovë - Serbi.

Haradinaj: Nuk ka kthim mbrapa

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj të enjten ishte i ftuar në interpelancë të Kuvendit para deputetëve për të raportuar pikërisht për këtë çështje. Kryeministri tha se nuk ka kthim mbrapa, përveç të gjendet një dalje nga gjendja.

“Jemi tani në momentin më final, me diçka që jemi mburrur që kemi arritur diçka në dialog, Marrëveshja për Energji nga pala serbe nuk është implementuar, pavarësisht kësaj ajo është bojkotuar. Motivi është shumë i thjeshtë dhe i qartë, ata fitojnë 30 milionë të pastra nga ne brenda vitit. Kosova tani nuk ka kthim mbrapa në këtë proces, pos ta gjejë një dalje nga kjo gjendje. Por kjo mund të marrë një muaj, dy ose tre”, është shprehur Haradinaj.

Kjo interpelancë ishte thirrur nga deputetja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Mimoza Kusari Lila.

Për të njëjtën çështje gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim edhe Zyrës për Informim në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), por nuk ka marrë përgjigje.

Muaj më parë ministrja për Dialog Edita Tahiri kishte paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, në të cilin ka përmendur edhe bllokimin e Marrëveshjes së Energjisë.

Sipas Tahirit, Serbia është duke e bllokuar këtë marrëveshje, duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në pajtim me ligjet e Kosovës.

“Siç mund ta dini, Marrëveshja e Energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Në terma konkretë, kompania e re si një degë e një kompanie serbe po refuzon ta përmendë Kosovën si shtetin ku do të operojë në statutin saj, pavarësisht faktit se Marrëveshja kërkon respektimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në raport.