Gjermanët, investitorët e parë në Zonën e Lirë të Vushtrrisë

Ekonomia June 01, 2018 - 08:23
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, e cila tashmë është licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, janë të interesuar investitorët gjermanë. Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ditëve të fundit është përballur me kritika për shkak se ka lejuar të rrënohet një pjesë e objektit të qendrës së kulturës “Hasan Prishtina”, ka thënë se disa kompani gjermane, si dhe diaspora shqiptare në Gjermani janë investitorët potencialë në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Janë disa kompani gjermane, si dhe diaspora shqiptare në Gjermani që kanë krijuar një biznes në Kosovë dhe në këtë mënyrë janë të interesuar të investojnë në Lumadh. Unë kam pasur një takim me përfaqësuesit e tyre dhe ata kanë prezantuar profilin e kompanisë gjermane, produktet dhe tregun e kësaj kompanie, si dhe interesimin që kjo kompani të vendoset në Zonën e Lirë Ekonomike që po krijohet në Lumadh të Vushtrrisë”, tha kryetari Tahiri, duke qenë i sigurt se Zona Ekonomike në Lumadh po zgjon interesim të madh te kompanitë e ndryshme vendore e ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Parandalohet arratisja nga burgu e Bedri Krasniqit

Ai tha se i ka njoftuar ata me punët e deritashme në ndërtimin e ZLE-së, për licencimin e saj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe për interesimin e shumë investitorëve të jashtëm dhe vendorë për të investuar në këtë zonë.

“Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh është me interes strategjik për Komunën, ndërsa ne jemi të interesuar të kemi në të biznese, të cilat krijojnë vende të reja të punës për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë që rrisin prodhimin dhe eksportin. Zona Ekonomike në Lumadh po zgjon interesim të madh te kompanitë e ndryshme vendore e ndërkombëtare. Shumë shpejt pritet të fillojnë investimet në infrastrukturë në zonën ekonomike, ndërsa në muajt në vijim do të bëhet thirrja publike për vendosje të bizneseve në të. Kemi siguruar buxhetin nga Kuvendi, kemi siguruar të gjitha lejet dhe është licencuar Zona Ekonomike, që është një projekt që do të prodhojë 1000 vende të punës”, ka thënë kryetari Tahiri.

I pari i Vushtrrisë ka thënë gjithashtu se beson që Qeveria e Kosovës do ta marrë seriozisht propozimin e tij që zona ekonomike për investime të jashtme amerikane të krijohet në Banjskë të Vushtrrisë, ku janë ofruar rreth 250 hektarë të tokës komunale.

“Investimet amerikane në këtë pjesë të komunës së Vushtrrisë do ta zhvillonin dhe do ta forconin ekonominë e komunës dhe natyrisht do të krijoheshin vende pune për të rinjtë vushtrrias. Besoj shumë se kryeministri Haradinaj do ta marrë seriozisht propozimin që ka bërë Komuna e Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Por në anën tjetër, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri vazhdon të përballet me probleme të tjera, posaçërisht shpreh pakënaqësinë me punën e ujësjellësit në Balincë, pasi që qytetarët e Vushtrrisë vazhdojnë të vuajnë për ujë të pijes.

Ndonëse ujësjellësi i ri është ndërtuar dhe është lëshuar në punë vitin që shkoi, reduktimet e gjata të ujit janë bërë përditshmëri për qytetarët e kësaj komune.

I pari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha se edhe qytetarët janë fajtorë, pasi që po e keqpërdorin ujin, por njëkohësisht siguroi se ujësjellësi nuk është duke punuar me kapacitet të plotë, sepse rezervuari është vendosur në pikën më të ulët.