Punëtorët e 'Ferronikelit' marrin pagat e marsit, prodhimi nuk fillon

Ekonomia May 15, 2018 - 08:42
Lexoni më shumë detaje

Janë bërë gati tre muaj që prodhimi në “Ferronikel” është ndërprerë për shkak të problemeve financiare që ka ndërmarrja, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njëra nga dy pagat që nuk u janë paguar punëtorëve të “Ferronikelit”, e cila ka qenë shkas që ata ta ndalin punën, u është paguar të premten.

Këtë e ka konfirmuar për Zërin Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, të dielën.

Nika tha se është bërë mirë që punëtorëve u janë dhënë pagat e marsit, madje ai tha se pagat janë dhënë me rritje.

LEXO EDHE: Drejtorët e Ministrisë së Bujqësisë nuk komunikojnë mes vete

“Punëtorët i kanë marrë pagat me rritje, do të thotë pagat e marsit, ashtu siç jemi marrë vesh ne sindikalistët me menaxhmentin e ndërmarrjes. Presim që në fillim të javës së ardhshme t’i marrim edhe pagat e muajit prill, kështu që ta përmbyllim një punë që na ka shkaktuar të gjithëve shqetësim. 820 punëtorë sa jemi në ‘Ferronikel’ jemi të përkushtuar për punë, por problemet janë ende të pranishme dhe po e pengojnë punën”, ka thënë Nika.

I pyetur nëse pasi t’u paguhen pagat punëtorët do t’i kthehen punës, Nika tha se beson shumë se prodhimi do të rifillojë së shpejti.

Ai ka sqaruar se kthimi i prodhimit është punë e menaxhmentit të “Ferronikelit”.

Kryetari i sindikalistëve të “Ferronikelit” ka ripërsëritur se menaxhmenti duhet ta konsolidojë punën në të gjitha segmentet në mënyrë që më të mos vijë kurrë deri te ndërprerja e prodhimit.

Por prodhimi në “Ferronikel”, sado që janë duke u bërë përpjekje, nuk do të mundë të rifllojë pa ia paguar Qeveria e Kosovës 2 milionë euro, ndërsa deri më tani ka paguar vetëm 400 mijë euro.

Kryeministri Ramaush Haradinaj në një takim që ka pasur me sindikalistët e “Ferronikelit” pati premtuar se Qeveria do t’i paguajë 2 milionë euro, në mënyrë që 820 punëtorët të mundin t’i marrin pagat e tyre dhe që të rifillojë procesi i prodhimit.

“Për ndërprerjen e prodhimit menaxhmenti është arsyetuar se ka pasur vështirësi teknike, por ato nuk qëndrojnë pasi të gjitha punët teknike janë në rregull. Prej rifillimit të prodhimit në tetorin e vitit 2016 punët teknike i kanë marrë në dorë stafi vendor, i cili është shumë profesional. Prej atëherë puna ka shkuar shumë mirë. Pra, nuk qëndron puna se ka pasur vështirësi teknike. Nuk ka pasur vështirësi teknike. Ato 2 milionë euro që i ka përmendur kryeministri Haradinaj se do t’ia japë ‘Ferronikelit’ janë borxhe që na i ka Qeveria e Kosovës. Kryeministri ka thënë se ‘Ferronikeli’ duhet të vazhdojë me prodhimin sepse është një investim dhe janë 820 punëtorë. Ne besojmë se kryeministri Haradinaj do të ndihmojë për ta gjetur një zgjidhje për normalizimin e gjendjes në ‘Ferronikel’, që prodhimi të rifillojë sa më shpejt”, thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të “Ferronikelit” Fehmi Nika, duke ripërsëritur se kryeministri i vendi ka premtuar se do ta nxjerrë ndërmarrjen nga gjendja e vështirën në të cilën ndodhet.

Në anën tjetër, menaxhmenti i “Ferronikelit” edhe më tutje hesht dhe se me asnjë fjalë asnjë prej tyre nuk është prononcuar për gjendjen. Menaxhmenti pati dalë me një deklaratë që në ditën e parë kur punëtorët lanë punën, nëpërmes së cilës patën thënë se

“Ferronikeli” është duke u përballur me disa vështirësi teknologjike dhe se prodhimi do të rifillojë me kapacitetin e plotë kur lënda e parë do të jetë në dispozicion”.