12 milionë euro për 5 kilometra të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë

Ekonomia May 15, 2018 - 08:03
Lexoni më shumë detaje

Kanë filluar punimet në “Segmentin M2” (Lumadh – Gojbulë, Vushtrri), që është pjesë e autorrugës Prishtinë – Mitrovicë, e gjatë 5 kilometra dhe që financohet prej fondeve arabe, vlera 12 milionë euro. Lekaj: Brenda 30 muajve do të ndërtohen të gjitha 35 kilometrat e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

“Segmenti M2” i rrugës Mitrovicë – Prishtinë (Lumadh - Gojbulë) në Vushtrri ka filluar të ndërtohet dhe më në fund banorët e qytetit të Vushtrrisë do të mundë të qarkullojnë pa vështirësi.

Rreth 5 kilometra të kësaj rruge kanë paraqitur problem të madh për qytetarët e qytetit të Vushtrrisë për një kohë të gjatë, por të hënën krerët e shtetit: presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë siguruar se së shpejti rruga do të ndërtohet.

LEXO EDHE: Manovrat politike me ushtrinë

Presidenti Hashim Thaçi tha se me këtë rrugë dhe rrugët e tjera që po ndërtohen Kosova po merr pamje evropiane, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo rrugë qytetarët e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës do t’i lidhë me Prishtinën, por që shpreson se ajo do të vazhdojë shpejt edhe deri në Leposaviq dhe të lidhet me korridoret rajonale e evropiane. 

Rruga, e cila është emërtuar “Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, sipas kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj është me rëndësi vitale për zhvillimin ekonomik të kësaj ane.

“Ky është lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe po vjen në të njëjtën kohë me lajmin e mirë të aktivizimit të ‘Trepçës’. Zotimi ynë për gjenerim të vendeve të punës, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë po merr kahjen e duhur dhe po ndihet nga qytetarët në çdo segment të jetës”, tha Haradinaj.

Ndërkaq ministri Pal Lekaj precizoi se vlera e projektit të rrugës së gjatë 5 kilometra ka koston prej 12 milionë eurove dhe mjetet janë të fondeve arabe. Ai siguroi se brenda 30 muajve të gjitha 35 kilometrat e rrugës Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojnë.

“Po fillojmë punimet e ndërtimit me të gjithë strukturën moderne të rrugës, të cilën emrat e heronjve do ta mbajnë si shtylla, ashtu si gjaku i tyre është në themel të shtetit, që po e ndërtojmë të gjithë së bashku. Qeveria e Republikës së Kosovës në respekt të veprës dhe sakrificës së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut e ka emëruar ketë autorrugë nacionale me emrin e tre heronjve të kombit. Ne si Ministri e Infrastrukturës po e nisim praktikisht atë nga vendi kur dikur ishin ndërprerë punimet. Kjo rrugë është njëra nga arteriet kryesore të Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor 6 në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore. Investimi që po bëhet këtu përmes fondeve arabe kap vlerën e rreth 12 milionëve, vetëm për ketë pjesë prej rreth 5 kilometrave. Përveç kësaj, do t’i kemi edhe dy të tjera, të cilat po ashtu janë milionëshe e me këtë dëshiroj të them se Vushtrria, Mitrovica e qytetet e tjera nga niset e çka përshkon do të jenë me të hapura për t’i afruar investitorët dhe me të afta për t‘i transportuar prodhimet e veta, qofshin ato bujqësore apo edhe të tjera. Kjo rrugë jo vetëm që i lidh ndërmjet vete këto qytete, por këto qytete i lidh edhe me korridore rajonale. Ne brenda 30 muajsh do t’i përfundojmë të gjitha 35 kilometrat që janë të pandërtuara në këtë autorrugë dhe kështu do të jemi më afër njëri-tjetrit”, tha ministri Lekaj. Ministri i Financave Bedri Hamza tha se janë siguruar mjete financiare që të vazhdohet rruga deri në Mitrovicë. 

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri “Segmentin rrugor M2”, që lidh dhe po ashtu shkurton shumë rrugën në mes të Vushtrrisë dhe Prishtinës, por edhe me Mitrovicën, e ka vlerësuar projektin më kapital për qytetarët e Vushtrrisë.

Përveç vlerësimit që kryetari Tahiri bëri për rëndësinë ekonomike të ndërtimit të këtij segmenti rrugor që lidh Vushtrrinë me kryeqytetin dhe me Mitrovicën, ai po ashtu theksoi gatishmërinë e Komunës së Vushtrrisë për t’i ofruar 250 hektarë tokë në fshatin Banjskë për zonën ekonomike për investimet e jashtme amerikane.

“Dhe pikërisht kjo rrugë lidh edhe zonën e 250 hektarëve që ka Komuna e Vushtrrisë në fshatin Banjskë, që mund ta dedikoheshin për zonën ekonomike për investimet e jashtme amerikane. Kjo zonë tashmë mund të jetë shumë e përshtatshme dhe Komuna e Vushtrrisë mund t’i marrë vendimet e nevojshme që atë zonë ta japë për atë qëllim”, tha kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.