80 milionë euro kredi për rrugën Kijevë - Zahaq

Ekonomia May 12, 2018 - 09:27
Detajet

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, e cila është mbajtur të premten (dje), është miratuar vendimi për t’ia rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për financimin e ndërtimit të rrugës Kijevë - Zahaq. Marrëveshja financiare për këtë projekt ka vlerën 80 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

 Në komunikatën për medie të Qeverisë së Kosovës thuhet se kjo marrëveshje kompleton financimin nga institucionet ndërkombëtare financiare për autostradën Kijevë - Zahaq, e cila financohet me 71 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 17 milionë euro fonde nga burimet e tjera.

LEXO EDHE: 372 milion euro në vit për skemat sociale

“Po, sot është miratuar edhe Strategjia e komunikimit dhe informimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës 2018-2021. Strategjia trajton komunikimin e procesit të Integrimit Evropian, respektivisht Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Strategjia ka për qëllim gjithashtu edhe ndërtimin e mirëkuptimit të qëndrueshëm dhe të thellë në mes të qytetarëve të Kosovës për të gjitha aspektet e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë sfidat, përfitimet dhe detyrimet. Në këtë mënyrë qytetarëve do t’u mundësohet të bëjnë zgjedhje të informuar dhe të marrin pjesë aktivisht në formësimin e së ardhmes evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatën për medie.

Aty më tutje thuhet se miratimin në mbledhjen e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi preliminar për shpronësimin e përhershëm dhe krijimin e së drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projekteve për ndërtimin e linjave elektrike në Therandë, Rahovec, Drenas, Prishtinë, Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe në Graqanicë.

“Edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë ka marrë miratimin e Qeverisë. Shpronësimi prek pronat në segmentin Banullë – Bresalc, që gjenden në komunat e Lipjanit, Graqanicës, Novo Bërdos dhe të Gjilanit. Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në fushën e rinisë dhe sportit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë. Marrëveshja synon ta promovojë dhe ta lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin midis organeve të të rinjve dhe sporteve të të dyja vendeve dhe të krijojë kornizën e bashkëpunimit në këto fusha. Ky bashkëpunim do të zhvillohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit”, thuhet më tutje në komunikatën e dërguar për medie.

Po ashtu miratimin në parim të kabinetit qeveritar e ka marrë edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes financiare trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II në mes të Kosovës dhe Maqedonisë. Në realizimin e këtij programi kontributi financiar i Bashkimit Evropian është në vlerë prej 840 mijë eurosh.

“Në vazhdim Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes financiare për IPA 2018 në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministria e Integrimeve Evropiane ka njoftuar kabinetin qeveritar me zbatimin e prioriteteve të Agjendës Evropiane dhe të gjeturat kryesore të Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2018. Në informatë evidentohen veprimet në të cilat ministritë e Qeverisë së Kosovës duhet të angazhohen gjatë muajit maj. Edhe kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që ta fokusojnë vëmendjen në aktivitetet dhe veprimet që lidhen me procesin e integrimeve evropiane. Kryeministri ka informuar kabinetin për takimin e zhvilluar me Bordin e Drejtorëve të “Trepçës”, të cilët e kanë informuar kryeministrin për finalizimin e statutit të “Trepçës”, i cili do të dorëzohet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e më pas në Qeverinë dhe në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kabineti qeveritar po ashtu ka njoftuar se Hekurudhat e Kosovës do të jenë përfituese të një granti prej 17 milionë eurosh, pasi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për negocim të marrëveshjes për grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Fushë Kosovë - Mitrovicë. Shuma e grantit ka vlerën 17.200.000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyqind mijë euro). /ZERI