Rikallo: Kryeshefin e shkarkova për korrupsion

Ekonomia May 11, 2018 - 11:22
Lexo detajet

“Kam një lajm të mirë për të gjithë fermerët e Kosovës. Z. Elhami Hajdari nuk është më Drejtor i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë”.

Kështu nis komunikata për media e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural një ditë pasi që drejtori i shkarkuar akuzoi ministrin se e shkarkoi nga pozita pasi që nuk ia aprovoi grantin gruas së ministrit, transmeton "Zëri.info". 

LEXO EDHE: Pezullohet nga puna Elhami Hajdari, kryeshef i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (DOKUMENT)

“Pas shumë ankesave dhe padive të cilat janë adresuar nga fermerët kundër punës së këtij Agjencioni, si dhe konfirmimi nga Prokuroria që është hapur proces ndaj tij, unë kam marrë vendim për pezullim të z. Hajdari. Arsyeja e këtij vendimi lidhet me çështjen e korrupsionit. Unë nuk mund të toleroj të vazhdoj në këtë mënyrë që të shkatërroj imazhin e Ministrisë së Bujqësisë. Zotëriu në fjalë për një kohë të gjatë është nën hetime nga policia dhe prokuroria dhe nga ky pozicion, si Drejtor i Agjencisë, ai nuk mund të ushtroj presion në proceset e hetuesisë. I gjithë dokumentacioni i Agjencisë do të jetë në disponueshmërinë e organeve të hetuesisë. Hetimi nuk do të mund të ndalet me mënyra korruptive përmes punësimit të grave dhe kërcënimet ndaj aplikuesve. I bëjë thirrje publikut dhe mediave që të përcjellin çdo rast që është ngritur kundër z. Hajdari”, thuhet në komunikaten për media të ministrisë së dërguar në emer të ministrit Nenad Rikallo.

Aty më tutje thuhet se gjithashtu, për mediat e interesuara do të ofroj për disponueshmëri gjithë materialin me dokumente për rastin e kompanisë “Extra Fruit Filings” nga Prizreni, për të cilën kam dhënë urdhër që të kryhet superkontrolla, me kërkesë të avokatit të kësaj kompanie për nevoja të procesit gjyqësor, e cila udhëhiqet mes kompanisë dhe Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, lidhur me grantin i cili është ndarë në vitin 2015 në kohën kur unë nuk isha i ngarkuar me detyrën e Ministrit të MBPZHR-së. Përmes manipulimit të këtij rasti, z. Hajdari synon ta shpërqendroj vëmendjen nga rastet korruptive në një rast imagjinar.

“Unë kam iniciuar 6 raste të superkontrollës, ku më janë ofruar dëshmi të forta se kompanitë dhe fermerët janë dëmtuar nga ana e Agjencisë. Superkontrolla e ka si detyrë të vetme të vërtetojë situatën aktuale dhe në këtë rast, AZHB-ja nuk mund të ndërroj vendimin të cilin e ka dhënë vet. Kështu, të gjitha informacionet e dhëna nga z. Hajdari janë gënjeshtra të thjeshta dhe manipulime përmes të cilave ka marrë vëmendje nga gazetarët dhe mediat të cilave u kemi ofruar qasje të plotë në dokumentet rreth këtij rasti, ndërsa të njëjtat dhanë pasqyrë false të tyre dhe nuk i pasqyruan dëshmitë e ofruara nga ne. Detyrën e Drejtorit të Agjencisë, z. Hajdarit nuk ia ka trashëguar babai i tij që të merr apo të lërë vendimin e pezullimit të tij nga detyra, ndërsa tani ky rast është në Komisionin Disiplinor për Zyrtarë të Lartë të Qeverisë. Dhe gjithashtu prej një periudhe të gjatë kohore është nën përgjegjësinë e policisë dhe prokurorisë të cilët udhëheqin procedurat kundër Drejtorit të pezulluar”, thuhet në fund të komunikatës.