Kosovarët 3.1 miliardë euro depozita, 2.4 miliardë euro kredi

Ekonomia May 08, 2018 - 08:17
Lexoni më shumë detaje

Në fund të muajit shkurt të këtij viti vlera totale e depozitave të qytetarëve nëpër bankat komerciale në vend ka arritur në 3.1 miliardë euro, derisa në periudhën e njëjtë kohore shuma e mjeteve që qytetarët i kanë kredi nëpër banka ka arritur në 2.4 miliardë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tre miliardë e 100 milionë euro ka arritur shuma e mjeteve që qytetarët i kanë të depozituara nëpër bankat komerciale në vend deri në fund të muajit shkurt të këtij viti. Duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se ka një rritje vjetore prej 7,3 për qind.

E në anën tjetër në periudhën e njëjtë kohore shuma e mjeteve që qytetarët i kanë kredi nëpër banka ka arritur në 2.4 miliardë euro e shihet se ka një rritje prej hiç më pak se 11,1 për qind.

Në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se depozitat në sektorin bankar të Kosovës në tremujorin e fundit të vitit që kemi lënë pas u rritën për 45.6 milionë euro kundrejt rritjes së shënuar në tremujorin e njëjtë të vitit paraprak prej 108.4 milionë eurosh.

Sipas BQK-së, rritja më e ngadalshme në kuadër të depozitave kryesisht reflekton zhvillimet në kuadër të depozitave për ndërmarrjet, të cilat u zvogëluan për 63.7 milionë euro dhe zbritën në 3.9 milionë euro në TM4 2017. 

“Po ashtu edhe depozitat për ekonomitë familjare u zvogëluan për 47.8 milionë euro në krahasim me TM4 2016 dhe shënuan vlerën prej 28.5 milionë eurove në TM4 2017. Këto zhvillime në kuadër të depozitave për ndërmarrje dhe veçanërisht depozitave për ekonomi familjare reflektojnë ndër të tjera normat e ulëta të interesit të aplikuara nga bankat në depozita”, thuhet në raportin e tremujorit të vlerësimit të ekonomisë, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas kategorive të depozitave, depozitat e transferueshme u rritën për 42.8 milionë euro në TM4 2017, duke i krahasuar me rritjen për 60.3 milionë euro në TM4 2016.

Po ashtu depozitat e afatizuara, të cilat janë më sensitive ndaj normave të interesit duke marrë parasysh normat e ulëta të aplikuara nga bankat, u tkurrën për 39.7 milionë euro, të krahasuara me TM4 2016, duke qëndruar në vlerë prej 6.6 milionë eurosh në tremujorin e fundit të vitit 2017.

Kurse depozitat e kursimit, që është kategoria me peshën më të vogël në kuadër të depozitave, ishte e vetmja kategori që gjatë TM4 2017 shënoi rënie, duke u zvogëluar për 3.7 milionë euro gjatë këtij tremujori.

2.4 miliardë euro kredi

Më tutje në raportin e fundit të BQK-së thuhet se kreditë e lëshuara nga sektori bankar përshpejtuan rritjen përgjatë tërë vitit 2017, një rritje që karakterizoi edhe tremujorin e fundit të vitit 2017.

Sipas BQK-së, sektori bankar kreditoi ekonominë vendore në vlerë rekorde prej 78.2 milionë eurosh në TM4 2017, dukshëm më e lartë se vlera prej 45.6 milionësh e shënuar në TM4 2016 dhe arritën vlerën prej 2.49 miliardë eurosh.

Ndikim në rritjen e kredive aktive kishin kreditë e reja të lëshuara si për ndërmarrjet (të cilat u rritën për 65.9 milionë euro në baza vjetore në TM4 2017 dhe arritën vlerën prej 218.3 milionë eurosh) dhe ekonomitë familjare (të cilat u rritën për 46.0 milionë euro në TM4 2017 dhe arritën në 143.9 milionë euro).

Zhvillimet në stokun e kredive aktive dhe atyre të reja ndër të tjera u ndikuan nga oferta lehtësuese e aplikuar nga bankat përmes përmirësimit të kushteve të kreditimit për të dy kategoritë ekonomike”, thuhet më tutje në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë.

Aty më tutje thuhet se kreditë ndaj ndërmarrjeve në TM4 2017 u rritën për 55.2 milionë euro dhe arritën vlerën prej 1.58 miliard eurosh.

“Në kuadër të kredive ndaj ndërmarrjeve, sektori i tregtisë dhe ai i ndërtimtarisë shënuan rritjen më të lartë vjetore në TM4 2017. Kreditë për sektorin e tregtisë, të cilat dominojnë strukturën e gjithsej kredive të ndërmarrjeve, u karakterizuan me rritje më të ngadalshme vjetore prej 30.0 milionë eurove në periudhën raportuese (rritje prej 50.0 milionë euro në TM4 2016) dhe shënuan vlerën prej 785.8 milionë eurosh”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se në anën tjetër kreditimi ndaj sektorit të ndërtimtarisë përshpejtoi rritjen, ku në TM4 2017 kreditë e destinuara për këtë sektor u rritën për 11.2 milionë euro dhe arritën në 136.4 milionë euro.

“Gjatë kësaj periudhe kreditë ndaj sektorit të bujqësisë, prodhimtarisë, si dhe shërbimeve të tjera shënuan rritje, por që ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kreditë ndaj ekonomive familjare në TM4 2017 u rritën për 22.9 milionë euro dhe arritën vlerën prej 897.6 milionë eurosh. Kjo rritje ndër të tjera reflekton ecurinë në kreditë e reja të lëshuara nga bankat gjatë kësaj periudhe. Më konkretisht, gjatë kësaj periudhe kreditë e reja të destinuara për konsum shënuan rritje prej 106.0 milionë eurosh, apo 38.0 milionë euro më shumë sesa vlera në TM4 2016”, thuhet në raport.

Kreditë e këqija bien në 3,1%

Në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë thuhet se sektori bankar po vazhdon të karakterizohet me rënie të vazhdueshme të kredive joperformuese në vitet e fundit, si dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione.

Niveli i kredive joperformuese në fund të TM4 2017 qëndroi në nivel prej 3,1 për qind, që paraqet një rënie prej 1,8 pikë përqindje, të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione u përmirësua edhe më tej, duke i mbuluar rreth 50 për qind më shumë sesa niveli i kërkuar me rregullore, kryesisht si pasojë e rënies së theksuar të vlerës së kredive joperformuese deri në fund të TM4 2017. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar përmirësim të lehtë në fund të TM4 2017, i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ky tregues ishte për 0,2 pikë përqindje më i lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo ishte rezultat i rritjes më të lartë vjetore të kapitalit, i krahasuar me rritjen më të ngadalësuar të aseteve të peshuara me rrezik”, thuhet në raport.

Sigurimet, 3.7 milionë euro fitim

Po ashtu edhe sektori i sigurimeve gjatë tremujorit të këtij vitit u karakterizua me performancë pozitive dhe përmirësim të indikatorëve të profitabilitetit për dallim nga viti i kaluar.

Të hyrat neto nga primet e sektorit të sigurimeve në TM4 2017 shënuan rritje vjetore prej 4.4 për qind, përderisa në të njëjtën periudhë shpenzimet e sektorit të sigurimeve dhe dëmet e ndodhura u karakterizuan me një rënie të theksuar vjetore prej 14,7, përkatësisht 74,0 për qind.

Si pasojë e rritjes së të hyrave kundrejt rënies së theksuar të shpenzimeve dhe dëmeve të ndodhura, sektori i sigurimeve në TM4 2017 regjistroi fitim prej 3.7 milionë eurosh kundrejt humbjes prej 13.9 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Rënia e shpenzimeve të sektorit në periudhën raportuese mund t’u atribuohet deri në një masë masave të ndërmarra nga BQK-ja në fillim të vitit 2017, konkretisht hyrjes në fuqi të Rregullores për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve. Po ashtu rezultati pozitiv financiar u ndikua edhe nga rritja e pagesës së dëmeve nga disa kompani të sigurimit jo-jetë, si dhe ndryshimit të legjislacionit sekondar të BQK-së në përputhje me kërkesat ligjore, në kuadër të Rregullores së Fondit të Kompensimit. Këta hapa kanë ndikuar në zvogëlimin e rezervave teknike, duke rezultuar në zvogëlimin e shpenzimeve dhe rrjedhimisht në realizimin e profitit”, thuhet në raport

Mikrofinancat dyfishuan profitin

Më tutje në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë thuhet se dinamikat në sektorin mikrofinanciar mundësuan që performanca financiare pozitive të vazhdojë edhe gjatë TM4 2017.

Ky sektor dyfishoi profitin në vlerë prej 1.6 milion eurosh kundrejt TM4 2016, kur realizoi një profit prej 0.8 milion eurosh.

“Rritja e profitit kryesisht i atribuohet rritjes së theksuar të të hyrave prej 8.8 milionë eurosh, më konkretisht atyre nga interesi prej 7.6 milionë eurosh, të cilat edhe përfaqësojnë rreth 85 për qind të gjithsej të hyrave. Po ashtu ndikim në rritje, por me efekt më të ulët, kishin edhe të hyrat nga jointeresi me rritje prej 1.2 milion eurosh. Rritja e të hyrave nga interesi ishte rezultat i rritjes së aktivitetit kreditues nga institucionet mikrofinanciare në tre vjetët e fundit e po ashtu rezultat i rritjes së normës së interesit të aplikuar për kredi. Njëkohësisht rritja e të hyrave nga jointeresi u atribuohet arkëtimeve nga të ardhurat e tjera operative. Gjithsej shpenzimet e sektorit po ashtu shënuan rritje vjetore prej 7.2 milionë eurosh, prej të cilave rritjen më të madhe e patën shpenzimet nga jointeresi e veçanërisht shpenzimet e personelit dhe ato administrative”, thuhet në raport.

Aty më tutje në raport thuhet se si rezultat i performancës pozitive financiare, gjatë tremujorit të katërt dhe gjatë gjithë vitit 2017 treguesit e profitabilitetit të kalkuluar për të gjithë vitin shënuan përmirësim të ndjeshëm.

Sipas BQK-së, institucionet mikrofinanciare vazhdojnë të karakterizohen me nivel të ulët të kredive me probleme dhe mbulueshmëri të mirë me provizione.

“Niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë deri në dhjetor 2017 u zvogëlua për 0,4 pikë përqindje kundrejt vitit paraprak, duke rënë në 2.5 për qind. Kurse niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione në dhjetor 2017 qëndroi në nivel prej 190.3 për qind, i krahasuar me nivelin prej 200.2 për qind në dhjetor 2016”, thuhet në raport.