“Ferronikeli” qe më shumë se dy muaj jashtë prodhimit

Ekonomia May 05, 2018 - 08:51

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, tha se janë duke u bërë përpjekje për normalizimin e gjendjes në “Ferronikel”, por ka siguruar se prodhimi dhe puna nuk do të fillojë pa u qartësuar disa gjëra, që janë duke penguar procesin e prodhimit dhe punën e ndërmarrjes, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nika: Gjithçka do të dihet javën që vjen

Janë bërë më shumë se dy muaj që prodhimi në gjigantin e dytë më të madh kosovar pas “Trepçës”, në “Ferronikël”, është ndërprerë. Fillimisht menaxhmenti i “Ferronikelit” kishte ndërprerë prodhimin për shkak të, siç ishte thënë, “rinovimit të furrave elektrike”, ndërsa më vonë ishin vetë punëtorët ata të cilët kishin vendosur të mos shkojnë në punë me arsyetimin se menaxhmenti i “Ferronikelit” nuk ka përmbushur detyrimin ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve, respektivisht nuk ka paguar 30 për qind të pagave të muajit shkurt. Por tani janë bërë dy muaj të plotë që punëtorët e “Ferronikelit” nuk kanë marrë paga dhe për këtë arsye nuk dëshirojnë të punojnë. Punëtorëve u janë bashkëngjitur edhe kontraktorët. “Kompania nuk i ka kryer obligimet ndaj punëtorëve. Përfaqësuesit e punëtorëve bashkë me përfaqësuesit e kontraktorëve kanë marrë vendim që të ndalet prodhimi derisa të kryhen këto obligime. Punëtorët nuk janë në punë derisa t’u kryhen pagesat. Ne kemi kërkuar të na paguhen dy pagat që kanë mbetur, por kemi kërkuar gjithashtu të qartësohen disa gjëra, të cilat po e pengojnë procesin e prodhimit dhe punën në ‘Ferronikel’. Menaxhmenti është arsyetuar se ka pasur vështirësi teknike, por ato nuk qëndrojnë, pasi që të gjitha punët teknike janë në rregull. Prej rifillimit të prodhimit në tetorin e vitit 2016 punët teknike i kanë marrë në dorë stafi vendor, i cili është shumë profesional. Prej atëherë puna ka shkuar shumë mirë. Pra nuk qëndron puna se ka pasur vështirësi teknike. Nuk ka pasur vështirësi teknike, por nuk janë kryer obligimet ndaj 820 punëtorëve dhe rreth 200 kontraktorëve. Janë dy paga që na kanë mbetur borxh dhe për ta kryer këtë punë nevojiten gati 1 milion euro”, i ka thënë “Zërit” Fehmi Nika, kryetar i sindikatës së punëtorëve të “Ferronikelit”.

Nika ka folur edhe për takimin që drejtuesit e sindikatës së pavarur të “Ferronikelit” kanë pasur me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se kryeministri i vendit ka premtuar se do të përpiqet ta nxjerrë ndërmarrjen nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhet, duke e ndihmuar madje edhe materialisht.

“Ato 2 milionë euro që i ka përmendur kryeministri Haradinaj se do t’ia japë ‘Ferronikelit’ janë borxhe që na i ka Qeveria e Kosovës. Kryeministri insiston se ‘Ferronikeli’ duhet të vazhdojë me prodhimin, sepse është një investim dhe janë 820 punëtorë. Ne besojmë se kryeministri Haradinaj do të ndihmojë për ta gjetur një zgjidhje për normalizimin e gjendjes në ‘Ferronikel’. Do të presim deri në javën e ardhshme që të qartësohen disa gjëra, deri atëherë nuk do të punojmë. Jemi të vendosur të veprojmë me forca tona”, tha Nika.

E ndërkaq menaxhmenti i “Ferronikelit” pati dalë me një deklaratë, sipas së cilës “Ferronikeli” është duke u përballur me disa vështirësi teknologjike dhe se prodhimi do të rifillojë me kapacitetin e plotë kur lënda e parë të jetë në dispozicion”.

Në komunën e Drenasit ndërkaq situatën në “Ferronikël” e cilësojnë tepër shqetësuese për shkak të 820 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë. Në Drenas nuk hezitojnë të thonë se gjendja në “Ferronikël”, që për pasojë ka ndërprerjen e prodhimit, vjen për shkak të keqmenaxhimit me ndërmarrjen.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se puna dhe prodhimi në “Ferronikel” duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne jemi duke përcjellë situatën në ‘Ferronikël’ dhe jemi të gatshëm edhe të ndihmojmë. Komuna ka ndihmuar ‘Ferronikelin’, por deri te vështirësitë dhe pengesat në procesin e prodhimit kanë ardhur për shkak të menaxhimit të keq me ndërmarrjen”, ka thënë shkurt kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë me dikë nga menaxhmenti i “Ferronikelit”, por kontakti me ta ka qenë i pamundur, të premten. Punëtorët e sigurimit në hyrje të fabrikës i thanë “Zërit” se anëtarët e menaxhmentit ndodhen brenda, por që nuk lejojnë askënd të shkojë atje.

Ndryshe, më 5 prill fabrika “Ferronikel” ka ndalur prodhimin, derisa punëtorët e ndërrimit të dytë dhe të tretë nuk shkuan në punë, ndërsa menaxhmenti kishte njoftuar se punëtorët nuk do të punojnë deri në një vendim tjetër të menaxhmentit, ndërkaq një ditë më vonë punëtorët nuk kanë dalë fare në punë, përveç atyre të sigurimit dhe të administratës e duke përfshirë edhe menaxhmentin.