Javën që vjen shkarkohen 4 anëtarët e Bordit të “Ibër Lepencit”

Ekonomia May 05, 2018 - 08:21

Mungesa e kuorumit në mbledhjen e Qeverisë, e cila është dashur të mbahet sot (e premte) në orën 14:00, ka “shpëtuar” nga shkarkimi për tri ditë katër anëtarët e Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, të cilët më 10 prill kishin votuar për ndarje të shpërblimeve për performancë të mirë të ndërmarrjes, si dhe ndarjen e pagës së 13-të, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mbledhjen e radhës së Qeverisë, e cila do të mbahet të martën, kabineti qeveritar do t’i shkarkojë katër anëtarët e Bordit të kësaj ndërmarrjeje: Sami Veliun, Fatos Salihun, Imer Hamitin dhe Albiona Malokun. 

Ky vendim pritet të merret pas humbjeve që ndërmarrja thuhet se ka shënuar vitin e kaluar në vlerë prej 4 milionë e 177 mijë eurosh. 

“Duke pasur në konsideratë që ndërmarrja hidroekonomike “Ibër Lepenc” SHA për vitin 2017 ka shënuar humbje neto në vlerë 4.177.032 euro, sipas raportit të auditorit të pavarur, vendimi i tillë cenon skajshmërisht likuiditetin e ndërmarrjes, duke krijuar situatë të pafavorshme për ndërmarrjen dhe aksionarin”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar “Zëri”.