Familjarët nuk pranojnë t’i zhvendosin dëshmorët në Marinë

Ekonomia May 05, 2018 - 08:07

Procesi i zhvendosjes së mbetjeve mortore të 122 dëshmorëve nga kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Polac në varrezat e dëshmorëve në Marinë tani për tani nuk do të mundë të realizohet për shkak se “277 varret e ndërtuara për dëshmorët në Memorialin e UÇK-së në Marinë nuk janë me standarde, nuk kanë përmasa normale dhe nuk kanë formën siç duhet të jenë varret”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në komunën e Skenderajt, të martën, ka siguruar se së shpejti do të përfundojë projekti i zhvendosjes së varrezave të dëshmorëve nga Polaci në Marinë në Memorialin e UÇK-së, gjendja në terren tregon se projekti nuk do të mundë të realizohet edhe për një kohë më të gjatë. Kjo për faktin se shumë familje të dëshmorëve nuk kanë pranuar t’i zhvarrosin mbetjet mortore të familjarëve të tyre për arsye se varret që janë të ndërtuara në Memorialin e UÇK-së në Marinë nuk i plotësojnë standardet. “Kemi biseduar me familjet e dëshmorëve, mbi 50 për qind e tyre nuk kanë pranuar që t’i luajnë nga vendi, sepse kanë vlerësuar se varret që janë ndërtuar nuk janë të nivelit dhe me standarde që duhet t’i ketë varri i një dëshmori. Ato varre nuk janë ndërtuar me përmasa normale. Kreu i SHFD-së të Kosovës, Xhavit Jashari, me kohë ka prezantuar një projekt për varret e dëshmorëve se si do të duhej të jenë, me të gjitha detajet. Nëse varret bëhen sipas këtij projekti, që e ka dhënë ai, atëherë mund të ndodhë që edhe familjet të pajtohen për zhvendosjen e mbetjeve mortore të dëshmorëve nga Polaci në Marinë. Përveçqë janë dëmtuar dhe shumica e tyre janë rrënuar nga brenda, ato varre janë tepër të vogla, janë të ngushta, nuk janë të thella dhe nëse rivarrimi bëhet me arkivole, atëherë një varr i tillë nuk e zë arkivolin dhe atë duhet shkurtuar”, i ka thënë “Zërit” Brahim Misimi, kryetar i Degës së SHFD-së në Skenderaj, të mërkurën.

Sipas tij, ka familje dëshmorësh që kanë refuzuar fare t’i lëvizin familjarët e tyre nga varrezat e Polacit dhe po që se ndodh diçka e tillë, atëherë ata janë zotuar se do t’i tërheqin eshtrat dhe do t’i rivarrosin në fshatrat e tyre. 277 varret e dëshmorëve kanë mbetur bosh që nga përfundimi i fazës së parë të punimeve në Memorialin e UÇK-së, në vitin 2005 e në të cilin në një pllakë të mermertë janë skalitur emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve të luftës së UÇK-së nga e gjithë Kosova.

Projekti i filluar para më shumë se 6 vjetësh për zhvendosjen e 122 dëshmorëve jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të Drenasit, të Suharekës, të Malishevës, të Ferizajt, të Shtimes, të Vushtrrisë, të Klinës, të Rahovecit, të Lipjanit, por edhe dëshmorë që janë të shënuar pa emër me vetëm N.N., ndërsa një vetëm me inicialet S.B. e të cilët nuk dihen as prej nga janë, nuk ka mundur të realizohet, pasi që ai ishte ndërprerë pa ndonjë sqarim.

Kompleksi i varrezave të dëshmorëve në kuadër të Memorialit të UÇK-së në Marinë është ndërtuar për 277 dëshmorë dhe ishte planifikuar që aty të zhvendosen mbetjet mortore të të gjithë 122 dëshmorëve që prehen në varrezat e Polacit, si dhe të dëshmorëve të tjerë, të cilët janë varrosur në varreza familjare në fshatra. Në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve në Skenderaj kanë thënë se është pritur shumë që të jetësohet projekti për zhvendosjen e varrezave të dëshmorëve në Marinë, por ai për një kohë kishte dështuar, ndërsa tani është riaktualizuar.

Në ndërkohë, në marsin e vitit 2014 i gjithë Memoriali i UÇK-së në Marinë i ishte nënshtruar një vandalizmi të paparë, rrethojat, parmakët (gilinderat) prej alumini ishin vjedhur, ndërsa pllakat e mermerta ishin thyer. Ky vandalizëm kishte ardhur për shkak të mospërkujdesjes dhe mosmirëmbajtjes, që është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

Duke qenë i tillë dhe duke parë se mund të dëmtohet edhe më shumë, në prillin e vitit 2014 investitorët amerikanë e patën mbyllur Memorialin e UÇK-së, një memorial në brendi të të cilit, sipas modelit amerikan, në një pllakë të mermertë janë skalitur emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve të luftës së UÇK-së nga e gjithë Kosova. Sponsori dhe ideatori kryesor i Memorialit, Benito Mares, i mbështetur edhe nga donatorët e tjerë amerikanë, pllakën e mermertë, në të cilën ndodhen të gravura emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve, e pati mbuluar me pllaka llamarine të përforcuar me gozhda speciale.

Vendimin për mbylljen e Memorialit të UÇK-së në Marinë donatorët amerikanë, siç thuhej në një njoftim, e kishin marrë në shenjë pakënaqësie me Qeverinë e Kosovës, e cila nuk ka kryer obligimin e vet karshi Memorialit, përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e tij.

Në një njoftim që ishte vendosur në hyrje të Memorialit donatorët amerikanë e kanë quajtur “mospërfillje të turpshme” papërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka ofruar përkujdesje dhe mirëmbajtje për Memorialin e UÇK-së, i cili i është nënshtruar një vandalizmi dhe shkatërrimi total, andaj kanë vendosur ta mbyllin.

Por tani çdo gjë ka ndryshuar nga atëherë, pasi që janë kryer punime dhe të gjitha dëmtimet janë sanuar. Në Memorial ka ndriçim, ndërsa është angazhuar edhe një punëtor për mirëmbajtjen e tij. Tani Qeveria ka vendosur që projektin për zhvendosjen e mbetjeve mortore të dëshmorëve ta realizojë në tërësi, gjë që e konfirmuar edhe kryeministri Haradinaj dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Brahim Misimi, kryetar i Degës së Familjeve të Dëshmorëve në Skenderaj, thotë se janë duke shkuar edhe një herë shtëpi më shtëpi të familjeve të dëshmorëve për ta marrë pajtimin e tyre për zhvendosje të dëshmorëve nga Polaci në Marinë.

“Deri më tani nga 12-13 familje me të cilat kemi biseduar kemi marrë pëlqimin. Por, në varrezat e Polacit ka trupa të dëshmorëve edhe nga komunat e tjera. Tani për tani po bisedojmë vetëm me familjet e dëshmorëve të Skenderajt. Ka mundësi që familjet e dëshmorëve nga komunat e tjera të insistojnë që mbetjet mortore të bijve të tyre t’i bartin në vendet e tyre dhe t’i varrosin atje. Gjithashtu ende nuk kemi marrë pëlqimin dhe mund të ndodhë që as të mos e marrim, që edhe dëshmorët që janë varrosur në fshatrat e veta të mos i luajnë nga aty, sepse atyre u kanë ngritur lapidare dhe nuk duan t’i lëvizin eshtrat e tyre”, thotë Misimi.