Telekomi i Kosovës e mohon se do të ketë ulje të pagave

Ekonomia May 04, 2018 - 16:48
(DOKUMENT)

Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës përmes një shkrese interne, të siguruar nga Gazeta Insajderi, njofton të gjithë punonjësit e Telekomit të Kosovës se lajmi i transmetuar në media të caktuara për zbritje të pagave nuk është i vërtetë.

“Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës hedh poshtë këtë dezinformatë për njoftimin se kinse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për uljen e pagave prej 40 për qind për punonjësit e Telekomit të Kosovës”, thuhet në shkresë.

LEXO EDHE: Qeveria ul rrogat në PTK për 40 për qind

Aty thuhet se Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës nuk është në dijeni për një vendim të tillë.

“Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës është i vetëdijshëm për situatën e vështirë operative dhe financiare në të cilën ndodhet kompania, por në asnjë mbledhje nuk është vendosur për ulje të pagave”, thuhet më tej në shkresën e siguruar nga Gazeta Insajderi.

Mediat gjatë ditës së sotme kanë raportuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur që pagat e punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës të ulen për 40 për qind. Sipas raportit, vendimi i ekzekutivit kosovar vjen pas fitores në arbitrazh kundër kompanisë Axos, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro.

Image