Shpenzimet telefonike rriten për 63%

Ekonomia May 04, 2018 - 08:02
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti shpenzimet për shërbime të telekomunikimit janë ngritur për 63 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sivjet për tre muaj për këtë qëllim janë shpenzuar 1 milion e 420 mijë euro, derisa gjatë tre muajve të parë të vitit që lamë pas ishin shpenzuar 870 mijë euro, shktuan sot Gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 63 për qind janë rritur shpenzimet për shërbime telefonike gjatë tremujorit të parë të këtij viti në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

LEXO EDHE: 'Valës' i faturohet borxhi 24-milionësh i Arbitrazhit!

Duke u bazuar në raportin tremujor të buxhetit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se për këtë qëllim gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë shpenzuar 1 milion e 420 mijë euro, derisa gjatë tre muajve të parë të vitit që lamë pas ishin shpenzuar 870 mijë euro.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, shihet se shpenzimet buxhetore gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë arritur në 406.62 milionë euro (duke përfshirë edhe pagesën e interesit) përgjatë tremujorit të parë të vitit 2018, apo 17 për qind më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.

“Kjo rritje kryesisht është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i investimeve kapitale, të cilat janë rritur me 44 për qind, duke i krahasuar me vitin paraprak, të pasura nga kategorinë e shpenzimeve për mallra dhe shërbime 25 për qind, një rritje në kategorinë e shpenzimeve për subvencione dhe transfere me rreth 18 për qind, si dhe rritje e pagave prej 5 për qind si rezultat i rritjes së pagave për të gjithë shërbyesit publikë që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës në zbatim për herë të parë sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe sipas Ligjit Vjetor të Buxhetit”, thuhet në raportin tremujor të buxhetit për vitin 2018.

1.92 milion euro për qira për tre muaj

Duke u bazuar në dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, shihet se gjatë tre muajve të parë të këtij viti vetëm për qira të objekteve në të cilat janë të vendosura institucionet e vendit janë shpenzuar 1 milion e 920 mijë euro, apo 22 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Po ashtu një shumë e konsiderueshme e mjeteve është shpenzuar edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport si “Shpenzime për shërbime”, ku gjatë tremujorit të parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar hiç më pak se 10 milionë e 130 mijë euro, apo 27 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Gjatë kësaj periudhe kohore për derivate dhe lëndë djegëse janë shpenzuar 4 milionë e 610 mijë euro apo 6 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku për këtë qëllim ishin shpenzuar 4 milionë e 350 mijë euro.

Rritje të buxhetit për 27 për qind sivjet ka edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport “Shpenzime të udhëtimit”, ku për tre muaj për këtë qëllim sivjet janë shpenzuar 2 milionë e 350 mijë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar 1 milion e 840 mijë euro.

Po ashtu në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport si “Blerje të tjera për mallra & shërbime” gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë shpenzuar 11 milionë e 260 mijë euro, apo 24 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

143 milionë euro për paga dhe mëditje

Shpenzimet për paga dhe mëditje sipas raportit tremujor shënuan vlerën prej 143.65 milionë eurosh gjatë këtij tremujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 24 për qind, të krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori.

Sipas Ministrisë së Financave, fatura e pagave gjatë periudhës raportuese paraqet një rritje prej 5 për qind, apo rreth 7 milionë euro më shumë, e krahasuar me faturën e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

“Shpenzimet në mallra dhe shërbime kanë përcjellë trendin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 25%, të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe vlera e këtyre shpenzimeve arriti në 48.89 milionë euro (këtu janë përfshirë 6.63 milionë euro të shpenzimeve komunale), kjo shumë korrespondon me 18 për qind të buxhetit për këtë kategori. Shpenzimet në subvencione dhe transfere regjistruan shumën prej 127.27 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 18 për qind, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së ndihmave sociale dhe skemave të reja me vendim të Qeverisë, si dhe ngritje e lehtë në kategoritë ekzistuese”, thuhet në raportin tremujor të buxhetit për vitin 2018.

Aty më tutje thuhet se shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 80.85 milionë eurosh, apo rreth 44 për qind më shumë, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ndërsa e krahasuar me planin vjetor, është realizuar 12 për qind e planit.

Po ashtu shpenzimet për shërbimin e borxhit shtetëror (pagesa e interesit dhe kryegjësë) kanë regjistruar 11.7 milionë euro, duke shënuar kështu një rënie prej 54 për qind, duke i krahasuar pagesat për këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak 2017.

Pagesat për vendime gjyqësore rriten për 6532 për qind

Një shumë e madhe e mjeteve, apo hiç më pak se 5.5 milionë euro, gjatë kësaj periudhe kohore janë shpenzuar për pagesa të vendimeve gjyqësore e ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje të shpenzimeve për 6532 për qind.

Po ashtu duke u bazuar në të dhënat zyrtare, shihet se gjatë tre muajve të parë të këtij viti për ndërtim të rrugëve janë shpenzuar 62 milionë e 370 mijë euro, apo 34 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Po ashtu për shpronësime sivjet janë shpenzuar vetëm 750 mijë euro apo 22 për qind më pak, për ndërtesa, shkolla, spitale, etj. gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë shpenzuar 5.6 milionë euro, apo 5 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Po ashtu për automjete publike gjatë tremujorit të parë sivjet janë shpenzuar rreth 2 milionë euro, apo 285 për qind më shumë sesa në vitin paraprak. Po ashtu edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar si “Shpenzime kapitale të tjera” sivjet janë shpenzuar 1.4 milion euro, apo 80 për qind më shumë sesa vjet.

105 milionë euro për transfere sociale

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave (MF), shihet se gjatë tremujorit të parë të këtij viti për subvencione dhe transfere janë shpenzuar hiç më pak se 127.7 milionë euro, ku nga kjo shumë vetëm për transfere sociale janë shpenzuar hiç më pak se 105 milionë euro.

Në kuadër të transferove sociale, sipas të dhënave të MF-së, hyjnë pensionet me 64 milionë euro, pagesat e kategorive të luftës me 9.62 milionë euro, pagesat për veteranët e luftës 18.79 milionë euro, pagesat e të burgosurve politikë 2.19 milionë euro, etj.

Po ashtu duke u bazuar në të dhëna zyrtare, shihet se gjatë tremujorit të parë të këtij viti për subvencione të ndërmarrjeve publike janë shpenzuar 3 milionë euro, 5.6 milionë euro janë shpenzuar subvencione për RTK-në, 13.5 milionë euro të identifikuar në raport si subvencione të tjera.

Të hyrat rriten për 4%

Por derisa shpenzimet totale gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë rritur për 17 për qind, në anën tjetër të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej rreth 4%, që korrespondon me 14.11 milionë euro më shumë, të krahasuar me tremujorin e vitit paraprak.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo rritje ka ardhur në masë të madhe nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore të arkëtuara brenda vendit.

“Të hyrat tatimore të mbledhura nga Doganat e Kosovës kanë arritur vlerën prej 211.89 milionë eurosh, apo 0,2% më shumë, duke i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Të hyrat tatimore të mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur në 107.74 milionë euro, duke përfshirë edhe të hyrat e njëhershme nga arkëtimi i borxhit tatimor (0.2 milion euro), apo rreth 13% më shumë, të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Të hyrat jotatimore kanë pasur realizim më të vogël prej 8%, të krahasuar me vitin paraprak, si rezultat i rënies së të hyrave jotatimore nga niveli lokal (15%), si dhe rentës minerare që ka qenë më e ulët prej 30 për qind”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se pranimet nga huazimet kanë qenë më të ulëta, në total për 64.24 milionë euro, duke i krahasuar me vitin paraprak, përkatësisht huazimet e brendshme janë rritur për 38 milionë euro, kurse niveli i huazimeve të jashtme ka qenë i ulët gjatë periudhës raportuese.

Më tutje në raport thuhet se gjatë periudhës janar – mars 2018 të hyrat bruto të arkëtuara në kufi kanë shënuar një rritje simbolike prej 0.4 milion eurosh, duke arritur në vlerë prej 211.89 milionë eurosh, apo për 0,2%, të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Shuma e kthimeve arritën shifrën prej 3.04 milionë euro, rrjedhimisht të hyrat neto regjistruan rritje mjaft simbolike prej 0.2 milion eurosh, apo për 0,1% më shumë, të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Sa i përket strukturës së të hyrave kufitare, kontributin më të madh pozitiv në rritje të të hyrave e kanë dhënë të hyrat e arkëtuara nga TVSH-ja, që shënuan rritje rreth 3.52 milionë € (kontribut në rritje me 3,4%) e kundërvepruar nga ulja e akcizës prej rreth 3 milionësh, si dhe taksat doganore prej rreth 0.05 milion € më pak, të krahasuar me vitin paraprak, që vlerësohet se vjen si efekt i MSA-së”, thuhet në raportin e tremujorit të buxhetit për vitin 2018.

Po ashtu gjatë periudhës janar – mars 2018 të hyrat e arkëtuara nga ATK-ja kanë shënuar 107.74 milionë euro, apo për 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, duke përfshirë edhe të hyrat e njëhershme nga arkëtimi i borxhit tatimor (rreth 0.2 milion euro).

“Shuma e kthimeve arritën shifrën prej 10.09 milionë eurosh, rrjedhimisht të hyrat neto regjistruan rritje prej 15.28 milionë euro, apo për 18,5 % më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Tatimi në Vlerën e Shtuar ka shënuar ngritje, i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 20%”, thuhet më tutje në raportin e buxhetit.

Po ashtu të hyrat vetanake tatimore komunale në këtë tremujor kanë shënuar një rritje prej 21%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017, derisa të hyrat vetanake jotatimore të komunave kanë pësuar rënie prej 15%, të krahasuara me arkëtimin e periudhës së njëjtë të vitit 2017.